Lidhje

Ministri i Mbrojtjes Katz pret që Izraeli të ketë kontrollin e sigurisë në Gazë pas luftës


Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha të martën se Izraeli do të ketë kontrollin e sigurisë në Gazë, pasi të ketë përfunduar lufta me militanët e Hamasit.

“Pas eleminimit të ushtrisë së Hamasit dhe kapaciteteve qeverisëse në Gazë, Izraeli do të merrte kontrollin e sigurisë në Gazë, në liri të plotë veprimi”, shkroi në rrjeti X ministrit Katz.

Ai e krahasoi idenë e tij për të ardhmen e Gazës me gjendjen në Bregun e pushtuar Perëndimor, ku forcat izraelite kryejnë sulme të vazhdueshme që sipas tyre, synojnë shkatërrimin e aktivitetit terrorist.

Izraeli ka deklaruar si qëllime të tij të luftës: shkatërrimin e ushtrisë së Hamasit dhe sigurinë se militantët e grupit nuk do të mund ta godasin Izraelin, siç ndodhi në sulmin e Hamasit në tetor 2023, ku sipas autoriteteve izraelite vdiqën 1200 njerëz.

Kontrolli i Gazës nga Izraeli do të binte ndesh me idenë që kanë për Gazën e pasluftës, Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe vende e organizma të tjerë.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në tetor se lufta në Gazë duhet të përfundojë "në mënyrë të tillë që të garantohet se Hamasi do të largohet dhe Izraeli nuk do të qëndrojë".

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha në shtator se OKB-ja parashikon që Autoriteti Palestinez, i cili qeveris një pjesë të Bregut Perëndimor, të ushtrojë sovranitetin e tij në Rripin e Gazës.

Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan të martën se të paktën 10 vetë ishin vrarë si pasojë e sulmeve izraelite në qytetin e Gazës, ndërsa ushtria izraelite njoftoi vdekjen e dy ushtarëve të saj gjatë operacioneve në jug të Gazës.

Veç atyre që u vranë në sulmin e Hamasit në Izrael, militantët morën peng rreth 100 persona. Besohet se së paku një e treta e tyre ka vdekur.

Gjatë ditëve të fundit zyrtarët izraelitë janë shprehur optimist për një përparim të mundshëm në bisedimet e ngecura prej kohësh për arritjen e një armëpushimi në Gazë dhe lirimin e pengjeve, që mbahen akoma nga militantët.

Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, kundërofensiva e Izraelit në Gazë ka vrarë më shumë se 45,000 njerëz. Në bilac, ministria nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por më parë ka deklaruar se më shumë se gjysma e të vrarëve kanë qenë gra dhe fëmijë.

Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian dhe të tjerë.

Disa informacione për këtë lajm u morën nga agjencitë The Associated Press, Agence France-Presse dhe Reuters.

XS
SM
MD
LG