Lidhje

Bisedimet me BE-në, Shqipëria hap një tjetër grupkapitujsh


Bruksel, delegacioni shqiptar në Konferencën e Tretë ndërqeveritare për hapjen e nje grupkapitulli të ri në bisedimet për anëtarësim në BE
Bruksel, delegacioni shqiptar në Konferencën e Tretë ndërqeveritare për hapjen e nje grupkapitulli të ri në bisedimet për anëtarësim në BE

Shqipëria nisi sot bisedimet për një tjetër grupkapitull, pjesë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ato u zyrtarizuan me mbajtjen e Konferencës së tretë ndërqeveritare në Bruksel. Grupkapitulli VI, “Marrëdhëniet me jashtë”, përfshin Kapitullin 30 “Marrëdhëniet e jashtme” dhe Kapitullin 31 “Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes”.

Dy muaj më parë, Shqipëria nisi bisedimet konkrete të anëtarësimit me Bashkimin Europian, për grupkapitujt e parë. I quajtur "Themeloret", ky grupkapitujsh, është dhe më kryesori. Ai hapet i pari dhe mbyllet i fundit, duke qenë se prek tema me peshë që nga Gjyqësori dhe të Drejtat themelore, te Drejtësia e Siguria, Prokurimet publike, Statistikat dhe Kontrolli financiar. Në total janë 6 grupkapituj, të cilët përmbledhin 35 kapitujt, që përbëjnë arkitekturën ligjore të Bashkimit Europian.

Në dy muaj janë hapur dy grupkapituj. Dhe kjo shpejtësi është e paprecedentë. Më shumë ka ndodhur në këto dy muaj se sa në 15 vjet”, deklaroi ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó, vendi i të cilit po mbyll gjashtëmujorin e presidencës së Bashkimit Europian, duke sjellë në vëmendje faktin se Shqipëria ka bërë aplikimin e saj për anëtarësim që në vitin 2009.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, tha se përballë situatës ndërkombëtare të paqëndrueshme, hapja e bisedimeve me Shqipërinë në grup-kapitullin VI tregon rëndësinë thelbësore gjeostrategjike dhe një sinjal të fortë gjeopolitik për rajonin dhe më gjerë, si dhe njohjen e faktit që Shqipëria është tërësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë dhe rolin e saj një partner sigurie prej disa vitesh në skenën botërore.

Ky vendim i rëndësishëm sot është dhe një sinjal i fuqishëm për Shqipërinë, për rajonin e Ballkanit Perëndimor e më tej, se zgjerimi mbetet përparësi kryesore për BE-në dhe ne jemi të përkushtuar për të marrë rezultate të tjera në vitet e ardhshme, e të bëjmë Bashkimin tonë të plotë, më të fortë e më të madh përballë ndryshimeve të shpejta e sfiduese gjeopolitke”, u shpreh nga ana e saj Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.

Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, bisedimet për këtë grupkapitujsh nuk parashikohen “fort të vështira, sepse Shqipëria ka qenë në harmoni me politikat e jashtme të BE-së, sa i takon diplomacisë e sigurisë. Dhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash”.

Shqipëria duket se po kërkon të përfitojë nga momenti i favorshëm gjeostrategjik, ku për shkak të agresionit rus në Ukrainë, BE-ja ka rikthyer vëmendjen ndaj zgjerimit, siç nuk ndodhte prej një kohe shumë të gjatë. Për këtë arsye, zoti Rama edhe sot përsëriti se “ne duam të sigurohemi që i kemi bërë detyrat tonë ta shtëpisë dhe që negociatat tona të mbyllen në vitin 2027, e me shpresë anëtarësimi jonë në BE të mbyllet brenda kësaj dekade”.

Me hapjen e negociatave mbi grupkapitujt që lidhen me politikën e jashtme, mbrojtjen dhe sigurinë zyrtarët europianë shprehën besimin se do të forcohet bashkëpunimi me Shqipërinë në fusha që lidhen me marrëdhëniet e jashtme, në përputhje me angazhimin e BE-së për të nxitur paqen, qëndrueshmërinë dhe sigurinë në Europë si dhe përtej kufijve të saj si një aktor global së bashku me Shqipërinë., siç u shprehën ata.

XS
SM
MD
LG