Në Shqiqëri mjaft gra dhe vajza po sfidojnë vështirësitë duke ushtruar profesione që kryesisht ushtrohen nga burrat. Një prej tyre Elda Zite, prej 7 vitesh ia ka dalë të depërtojë në industrinë e prodhimit të tapicerive dhe mobilieve. 32 vjeçarja, nënë e tre fëmijëve krah një skuadre të vogël punonjësish, e ka rritur gamën e prodhimeve gradualisht dhe sot ndjehet e sigurt në treg dhe me ambicje për të ardhmen.
Elda Zite është një nga ato gra që jeta e ka vënë në provë, por ajo ia ka dalë. Në përpjekjet e saj, për të arritur aty ku është sot, ka përdorur të vetmen armë që zotëron atë të mosdorëzimit. 7 vite më parë Edla hyri në një rrugë profesionale të shkelur kryesisht nga burrat, në atë të prodhimit të tapicerive dhe mobilieve. Si fillim në kufijtë e mbijetesës, si nevojë për të siguruar të ardhura për familjen e re të sapokrijuar.
“Në fillim nisa punë në një rrobaqepësi tapicerie. M’u dha një mundësi që të bëja trajnim aty, si bëheshin skicat. Punoja pranë një inxhineri italian në këtë kompani dhe arrija të hyja dhe tek puna që bënin burrat. Kisha kureshtje, pyesja si bëhet, si montohet. Nuk dorëzohesha. Nëse nuk bëhej diçka mirë, e bëja sërish derisa të arrija rezultatin që doja”- thotë për Zërin e Amerikës Elda Zite, prodhuese e mobilieve dhe tapicerive.
Por natyra e saj këmbëngulese për të bërë çdo gjë me përkushtim dhe pasion, e nxiti tej punës së përditshme, duke e shtyrë drejt përvetësimit të profesionit.
“Ndonjëherë më përbuznin kolegët në punë duke më thënë se punoj kot, se po dëmtoja vetën duke plotësuar tekat e pronarit, që të më mbante në punë. Ndërsa unë u thosha se mësoj për veten. Nuk e shihja veten kurrë punëtoren e dikujt tjetër. Unë doja të mësoja dhe të kisha diçka timen”-rrëfen ajo.
Por asgjë nuk erdhi pa kosto. Atëherë kur i duhej mbështetja, provoi diskriminimin në vendin e punës.
“Isha shtatzënë dhe për shkak të ndërlikimeve shëndetësore, isha e detyruar të qëndroja regjim shtrati dhe të merrja disa javë pushim. Në këtë moment kompania më pushon nga puna. Dhe atëherë fillova të mendoja se kur të behesha më mirë do t’i përkushtohesha punës time. Fillimisht hapa një dyqan të vogël dhe prodhoja gjëra të vogla, krevate apo pupa. I prisja copat diku tjetër ndërsa në dyqan i montoja dhe u bëja tapicerinë. Kështu filloi. Pak nga pak, klientela u rrit bashkë me kërkesën. U shfaq dhe interesi i disa bizneseve të cilat unë i mirëmbaj duke më dhënë akoma më shumë shtysë që unë ta rris këtë punë”- tregon Elda.
Dhe sot Elda arrin të prodhojë dhe riparojë në punishten e saj përmes sfidash dhe vështirësish të shumta një gamë të gjerë moblijesh dhe tapicerish në funksion të arredimit të hoteleve, apartamenteve, bareve, restorateve dhe bujtinave.
Por në gjithë këtë rrugëtim në krah të saj qëndron bashkëshorti, Valteri. Ai është punonjës në radhët e policisë. E nisën rrugëtimin bashkë në akademinë e rendit, por rrethanat vendosën që sot të mos kenë të njëjtin profesion. Elda thotë se bashkëshorti është mbështetja kryesore, përmes së cilës ruan ekuilibrin dhe se të dy mes të tjerash kanë sfiduar edhe mosbesimin e të afërmve, se ajo do ia dilte mbanë një ditë.
“ Bashkëshorti është mbështetja kryesore. Sa herë mërzitesha dhe qaja si fëmijë, se nuk është lehtë të jesh nënë, grua dhe të menaxhosh punën. Demoralizohesha dhe thosha se nuk ia dal dot, jam lodhur. Ishte ai që më jepte zemër duke më thënë se -ti kur ke kaluar gjëra më të vështira edhe këtë mund të bësh. Do ia dalim bashkë”- vijon Elda.
E megjithatë duket se në genet e Eldës fle trashëgimia, dhe se gjërat nuk janë formësuar krejt rastësisht kështu, duke e vendosur Eldën në mes të një profesioni me pak gjasa për t’u zhvilluar nga një grua.
“Në fakt unë këtë punë e njoh që kur isha e vogël. Gjyshi nga ana e mamit ka qenë marangoz. Ai prodhonte gjithçka. Dhe unë u rrita me frymën e këtij profesioni. Nëna që ishte krah tij e ndihmonte në çdo punë dhe unë isha rritur më idenë se një grua mund të bëjë dhe një punë burri nëse ajo do”- thotë Elda Zite.
Nënë e tre vajzave me e madhja 7 dhe më e vogla 3, Elda ia del të jetë nënë, grua dhe profesoniste në fushën e prodhimit të mobilieve dhe tapicerisë. Nuk ka gjëra të lehta për Eldën, por as të pamundura.
“ Unë nuk jam e lirë si punëtorët që punojnë 8 orë dhe shkojnë në shtëpi. Për mua puna nis në 8 e 30 dhe ka raste që mbyllet në orën 10 të mbrëmjes apo në flukse pune si tani, ne e mbyllim dhe në 4 të mëngjesit bashkë me bashkëshortin. Unë jam një natyrë që kërkoj nga vetja. Unë nuk dua të rri në këtë nivel, dua ta zgjeroj biznesin po në këtë fushë”- vijon ajo.
Kur e sheh Eldën kaq entuziaste dhe të sigurt për atë që është dhe bën sot, e ke të vështirë ta përfytyrosh në disa hone të errëta, të cilat i është dashur t’i kalojë në jetë.
“Gjatë shtatzënisë së tretë ishte një moment që më dukej sikur çdo gjë ndaloi. Kam kërkuar ndihmën e psikologes. U demoralizova totalisht dhe mendoja se nuk mundesha dot më, se nuk ia dilja dot. Më ka ndihmuar shumë. Nuk bëra shumë seanca, diku tek pesë të tilla, por unë jam natyrë që eci vetë, sapo të më japësh pak zemër”- rrëfen Elda.
Pas një bisede të gjatë me Eldën ndjehesh si pas një terapie frymëzimi. Në vetëm 6 vite në krye të biznesit të prodhimit të mobilieve, dhe tapicerisë ajo me një skuadër të vogël punëtorësh arrin të ndjehet e sigurt në treg. Ka dëshirë të tregojë e të tregojë pa fund detaje të përpjekjeve të saj, por mbi të gjitha kërkon të përkufizojë motivimin.
“Sidomos për vajzat, të mos dorëzohen. Të mos tërhiqen nga paragjykime të tipit - je një femër dhe nuk e bën dot, ti nuk ia del dot, kjo nuk është punë për ty, është për burra, ti nuk vlen - e të tjera si këto. Njeriu nëse dëshiron mund të arijë majat nëse lufton. Nuk bëhet asgjë pa luftë. Nuk mund të kemi një paqe pa kaluar atë luftën e madhe”- thotë ajo.