Lidhje

SHBA dhe Kina nënshkruajnë marrëveshjen e ndryshuar për bashkëpunim shkencor dhe teknologjik


Shtetet e Bashkuara dhe Kina nënshkruan të premten një protokoll për të ndryshuar Marrëveshjen dypalëshe mbi Shkencën dhe Teknologjinë dhe për ta zgjatur atë për pesë vjet, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Marrëveshja, e nënshkruar për herë të parë më 1979 nga Presidenti amerikan Jimmy Carter dhe udhëheqësi kinez Deng Xiaoping, synon të lehtësojë bashkëpunimin në fusha të tilla si bujqësia, energjia, hapësira, shëndeti, mjedisi, inxhinieria dhe shkëmbimet arsimore dhe shkencore.

Marrëveshja e ndryshuar, për të cilën zyrtarët amerikanë thanë se përjashton “teknologjitë kritike ose në zhvillim”, hyri në fuqi në mënyrë prapavepruese nga 27 gushti për një mandat pesë-vjeçar dhe u nënshkrua në Pekin nga përfaqësues të të dy vendeve. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit u tha gazetarëve se marrëveshja e re ngushton fushëveprimin e marrëveshjes së mëparshme dhe vë “masa mbrojtëse” për të siguruar “reciprocitet dhe transparencë”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning u tha gazetarëve në shkurt se natyra e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik midis dy vendeve është e favorshme dhe me “përfitim reciprok”.

Bashkëpunimi shkencor dhe teknologjik Uashington-Pekin është përballur me kritika dhe ka ngritur shqetësime për sigurinë përgjatë viteve. Kritikët thonë se marrëveshja mund të forcojë aftësitë ushtarake të Pekinit.

Që nga fillimi, marrëveshja është ripërtërirë përafërsisht çdo pesë vjet. Në gusht të vitit 2023 ajo u zgjat për gjashtë muaj dhe u pasua nga një tjetër në shkurt të këtij viti. Vazhdimi i përkohshëm u bë me qëllim për të ruajtur marrëveshjen ndërsa Shtetet e Bashkuara negocionin ndryshimin e saj. Vazhdimet afatshkurtëra ndodhën gjithashtu mes shqyrtimit të saj nga disa ligjvënës, të cilët argumentuan se Kina e kishte shfrytëzuar më parë marrëveshjen për të çuar përpara objektivat ushtarake kundër Amerikës.

Në qershor të vitit 2023, ligjvënësja republikane Elise Stefanik, e cila është emëruar nga Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump për ambasadore në OKB, si dhe ligjvënës të tjerë, i shkruan Sekretarit të Shtetit Antony Blinken duke i kërkuar, që të mos e vazhdojë marrëveshjen, pas skadimit më 27 gusht të vitit të kaluar. Ata përmendën shqetësimet rreth projekteve të përbashkëta kërkimore midis Departamentit amerikan të Bujqësisë dhe entiteteve kineze, duke përfshirë teknologjitë me përdorim të dyfishtë, si ato të përdorura për të analizuar imazhet e bëra nga dronët për menaxhimin e ujitjes.


Marrëveshja mundëson hulumtime bazë


Marrëveshja e ndryshuar përqëndrohet në hulumtime në fusha të tilla si moti, oqeanografia dhe gjeologjia. Sipas Departamentit të Shtetit, ajo ndihmon agjencitë shkencore amerikane në lidhje me paralajmërimet për cunami, të dhënat mbi gripin, monitorimin e cilësisë së ajrit, bujqësinë dhe trajtimin e kafshëve që bartin sëmundje.

Një tjetër zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se korniza e ndryshuar e marrëveshjes u mundëson agjencive të tilla si Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës dhe departamentet e Energjisë dhe Bujqësisë të propozojnë bashkëpunim dhe të krijojnë marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave dhe projekte të përbashkëta kërkimore me homologët e tyre kinezë.

Departamenti i Shtetit shqyrton bashkëpunimet e propozuara, të cilat gjithashtu i nënshtrohen një procesi më të gjerë shqyrtimi ndërinstitucional të udhëhequr nga Shtëpia e Bardhë. Pasi të verifikohen, propozimet mund të zbatohen.

Nëse njëra palë dështon t'u përmbahet kushteve të dakorduara, aktivizohet një mekanizëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Për më tepër, një klauzolë lejon anulimin e projekteve të propozuara.

Marrëveshja e ndryshuar “përfshin mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe vendos pengesa të reja për agjencitë zbatuese për të mbrojtur sigurinë e studiuesve të tyre”, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.


Shqetësimet mbi sigurinë


Megjithatë, shqetësimet vazhdojnë në lidhje me ligjet e rrepta kineze mbi privatësinë dhe mbledhjen e të dhënave, të cilat krijojnë rreziqe ligjore për studiuesit amerikanë që trajtojnë të dhënat kineze. Ende nuk është sqaruar se çfarë mbrojtje ofron marrëveshja e re për studiuesit amerikanë që mund të përdorin ose transferojnë të dhëna kineze jashtë Kinës.

Kritikët në Kongres, përfshirë senatorin republikan Marco Rubio, i emëruari i Presidentit të zgjedhur Trump për Sekretar të Shtetit, kanë qenë kundërshtarë të hapur të vazhdimit të bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik SHBA-Kinë.

Në fillim të këtij viti, Senatori Rubio bëri thirrje për masa më të forta për të mbrojtur sigurinë e kërkimeve shkencore të Shteteve të Bashkuara. Ai prezantoi gjithashtu një projekt-ligj për të theksuar rreziqet që vijnë nga bashkëpunimet problematike kërkimore me entitetet e lidhura me Kinën.

XS
SM
MD
LG