Lidhje

Sekretari i ardhshëm i shëndetësisë me skepticizëm ndaj vaksinave


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka njoftuar se synon të emërojë Robert F. Kennedy Jr. për të drejtuar Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, zoti Kennedy nuk pajtohet me pjesën më të madhe të komunitetit shkencor për tematika të ndryshme, përfshirë vaksinat dhe sëmundjen HIV/AIDS.

Sekretari i ardhshëm i shëndetësisë me skepticizëm ndaj vaksinave
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:46 0:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump dha një mesazh të qartë për të propozuarin si drejtues të shëndetësisë, gjatë një tubimi pak përpara zgjedhjeve.

"Do t’i lë dorë të lirë për shëndetësinë. Unë do t’i lë dorë të lirë për ushqimet. Do t’i lë dorë të lirë për ilaçet", tha gjatë fushatës ish-Presidenti Trump.

Fushat e veprimtarisë ku zoti Kennedy do të kishte “dorë të lirë”, në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, përfshijnë agjencitë e shëndetit publik të vendit dhe të hulumtimeve mjekësore, së bashku me sigurimin shëndetësor të financuar nga qeveria për mbi 140 milionë persona.

“A nuk e meritojmë ne një president të Shteteve të Bashkuara që do ta bëjë Amerikën sërish të shëndetshme?”, tha zoti Kennedy.

Zoti Kennedy është jurist për çështjet mjedisore. Xhaxhai i tij ishte ish-Presidenti John F. Kennedy dhe babai i tij ishte ish-prokurori i përgjithshëm Robert F. Kennedy. Ai kandidoi për president këtë vit si kandidat i pavarur, duke u larguar nga Partia Demokrate, për të cilën tha se babai dhe xhaxhai i tij nuk do ta njihnin më, pjesërisht për shkak të asaj që ai thotë se janë lidhjet e partisë me kompanitë e mëdha farmaceutike.

“Është bërë partia e censurës. Është bërë si një parti për kompanitë e mëdha farmaceutike”, deklaroi ai.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, zoti Kennedy mbështeti pretendime të pavërtetuara për lidhje midis vaksinave dhe autizmit, si dhe ekzistencën e një komploti të qeverisë amerikane për t’i përdorur vaksinat e COVID-it, për të eksperimentuar me amerikanët me ngjyrë dhe ata hispanikë.

Zoti Kennedy thotë se nuk është kundër të gjitha vaksinave, por nuk dëshiron që ato të jenë të detyrueshme.

“Për këdo që dëshiron të marrë një vaksinë, unë nuk do t'i pengoj. Nëse dëshironi një vaksinë, ose nëse dëshironi të vaksinoni fëmijët tuaj, ato vaksina do të jenë të disponueshme”, tha ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i quan vaksinat "një histori suksesi global" që kanë shpëtuar miliona jetë - një qëndrim që kjo agjenci e OKB-së e përsëriti menjëherë pasi Presidenti i zgjedhur Trump njoftoi synimin e tij për të emëruar zotin Kennedy në postin më të lartë për shëndetësinë.

Dr. Margaret Harris është zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Vaksinat janë arsyeja përse shumë më tepër prej nesh se ndonjëherë më parë kanë mbijetuar deri në moshën madhore. Ato janë aq efektive saqë janë pothuajse viktimë e suksesit të tyre”, tha zonja Harris.

Skepticizmi ndaj vaksinave i zotit Kennedy mund të ndikojë tek kompanitë e sigurimit shëndetësor, që aktualisht e mbulojnë koston e vaksinave, thotë ish-koordinatori i përgjigjes ndaj koronavirusit të administratës së Presidentit Biden, Dr. Ashish Jha.

"Robert F. Kennedy Jr. mendoj se ka treguar gjatë dekadave, se nuk i kupton bazat e të menduarit shkencor dhe të analizave rigoroze. Ai thotë gjëra që janë krejtësisht të gabuara dhe mbështet teori konspirative", thotë Dr. Jha.

Aktivistët e shëndetit publik kanë shprehur shqetësime në lidhje me pikëpamjet e zotit Kennedy se virusi HIV nuk shkakton sëmundjen SIDA dhe se klori duhet të hiqet nga uji i pijshëm në Shtetet e Bashkuara.

Drejtuesi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson thotë se Presidenti i zgjedhur Trump dhe kabineti i tij i ardhshëm kanë fituar një mandat për ndryshim drastik.

"Status quo-ja nuk po funksionon për popullin amerikan. Pra, këta janë persona që do të vijnë duke sjellë reforma të vërteta, reforma të rëndësishme për agjencitë që ata drejtojnë", tha zoti Johnson.

Nëse konfirmohet, zoti Kennedy do të drejtonte një agjenci me mbi 80,000 punonjës në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe nëpër botë, me një buxhet prej 1.7 trilionë dollarësh.

XS
SM
MD
LG