Lidhje

Gjeorgji, kriza thellohet me emërimin e presidentit të ri nga e djathta e skajshme


TBILISI – Kriza politike në Gjeorgji u thellua të premten, pasi u njoftuan protesta të reja pro-evropiane, përpara emërimit të debatueshëm të presidentit të ri nga radhët e së djathtës së skajshme në pushtet.

Vendi pranë Detit të Zi është përfshirë nga paqëndrueshmëria që nga fitorja e kontestuar në zgjedhjet parlamentare në tetor të partisë në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, e cila vendosi muajin e kaluar të shtyjë bisedimet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke shkaktuar një valë të re protestash masive.

Paqëndrueshmëria pritet të vazhdojë të shtunën kur partia Ëndrra Gjeorgjiane do të emërojë ish-futbollistin e së djathtës së skajshme Mikheil Kavelashvili si president në një proces të debatueshëm.

Presidentja pro-perëndimore Salome Zurabishvili ka refuzuar të dorëhiqet dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke i hapur kështu rrugën një beteje kushtetuese.

Grupet opozitare e akuzojnë partinë Ëndrra Gjeorgjiane për manipulimin e zgjedhjeve, për hapat pas për demokracinë dhe zhvendosjen e Tbilisit më pranë Rusisë – në dëm të aspiratave të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Shtypja me dhunë e protestave ka ngjallur gjithashtu zemëratë brenda vendit dhe kritika ndërkombëtare.

Uashingtoni vendosi sanksione të reja në mbrëmje ndaj zyrtarëve gjeorgjianë, duke ndaluar dhënien e vizave për rreth 20 persona të akuzuar për “dëmtimin e demokracisë në Gjeorgji”. Ndër këta zyrtarë janë ministra dhe parlamentarë, tha Departamenti amerikan i Shtetit.

Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë tubimet. Ka patur mbi 400 arrestime dhe avokati i popullit i ka akuzuar forcat e sigurisë për “torturim” të të ndaluarve.

"Krizë e paprecedentë kushtetuese"

Demonstruesit pro-Bashkimit Evropian kanë organizuar tubime të përditshme në të gjithë Gjeorgjinë gjatë dy javëve të fundit dhe ato vazhdojnë në kryeqytet të premten.

Të shtunën, kolegji zgjedhor, i kontrolluar nga partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, pritet të zgjedhë zotin Kavelashvili si presidentin e ri të vendit, në një proces të bojkotuar nga opozita.

Mikheil Kavelashvili, 53 vjeç, është i njohur për qëndrimet e tij të forta anti-perëndimore dhe kundërshtimin ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ.

Ëndrra Gjeorgjiane anuloi zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale në vitin 2017.

Ndërsa Presidentja Zurabishvili refuzon të largohet dhe ligjvënësit opozitarë bojkotojnë parlamentin dhe protestuesit nuk po japin shenja dorëzimi, kritikët kanë vënë në pikëpyetje legjitimitetin e zotit Kavelashvili, që përpara se ai të marrë detyrën.

XS
SM
MD
LG