Lidhje

Macron dhe Tusk këmbëngulin se Ukraina duhet të jetë në qendër të çdo bisede për paqe


Presidenti francez Emmanuel Macron me Kryeministrin e Polonisë Donald Tusk
Presidenti francez Emmanuel Macron me Kryeministrin e Polonisë Donald Tusk

Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kryeministri i Polonisë Donald Tusk thanë se Ukraina duhet të ketë rol kyç në çdo negociatë të mundshme mbi agresionin rus, pas një takimi të enjten në Varshavë.

Presidenti Macron këmbënguli gjithashtu se evropianët duhet të përfshihen në diskutimin e çështjeve të sigurisë në koordinim “shumë të ngushtë” me Shtetet e Bashkuara për t’u siguruar që interesat e Evropës të merren parasysh.

Takimi vjen pasi Presidenti Macron zhvilloi bisedime me Presidentin e zgjedhur amerikan Donald Trump dhe Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky, të shtunën në Paris. Ndërkaq, Polonia do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian në janar, pak javë përpara se zoti Trump të marrë detyrën.

“Ne folëm për punën tonë të përbashkët për një paqe të drejtë në Ukrainë”, tha Kryeministri Tusk në një deklaratë të përbashkët me Presidentin francez.

“Ne kemi një qëndrim të qartë ... Ukraina duhet të jetë e pranishme në çdo (raund) bisedimesh dhe çdo propozim duhet të pranohet gjithashtu nga miqtë tanë në Kiev”, tha ai.

Polonia ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës kundër agresionit rus, i cili filloi më 24 shkurt të vitit 2022.

Kryeministri Tusk e hodhi poshtë si “spekulim” dërgimin e trupave në Ukrainë pas një armëpushimi ose marrëveshje paqeje të mundshme.

“Vendimet në lidhje me veprimet polake do të merren në Varshavë dhe vetëm në Varshavë”, tha ai. “Momentalisht ne nuk po planifikojmë veprime të tilla”.

Presidenti francez Macron tha se “administrata e Presidentit Trump ka treguar gatishmërinë e saj për të bërë përpjekje të ndryshojë rrjedhën e këtij konflikti”.

Një ditë pas takimit me zotin Zelensky, Presidenti i zgjedhur Trump i kërkoi udhëheqësit rus Vladimir Putin të marrë masa për të arritur një armëpushim të menjëhershëm me Ukrainën. Ai e karakterizoi kërkesën si pjesë të përpjekjeve të tij aktive si president i zgjedhur për t'i dhënë fund luftës, pavarësisht se ai merr detyrën pas disa javësh.

“Ne duhet të punojmë shumë ngushtë me amerikanët, sigurisht me Ukrainën, për të gjetur një rrugë të mundshme që merr parasysh sovranitetin dhe interesat e Ukrainës dhe sigurinë dhe interesat e evropianëve”, tha Presidenti Macron.

XS
SM
MD
LG