I përballur me protestat disajavëshe të studentëve të nxitura nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, u zotua të mërkurën të përmbushë kërkesat e studentëve në një përpjekje për të ulur tensionet.
Çatia prej betoni në stacionin hekurudhor të rinovuar së fundmi në qytetin verior të Novi Sadit, që u rrëzua më 1 nëntor, la pas vetes 15 të vdekur dhe dy të plagosur.
Pas katastrofës, partitë opozitare, studentët dhe grupe qytetarësh dolën në rrugë, duke fajësuar për aksidentin korrupsionin, lënien pasdore dhe nepotizmin e qeverisë, që çuan në punime të dobëta renovimi.
Koalicioni qeverisës dhe Presidenti Vuçiç mohuan akuzat dhe thanë se të gjithë ata që janë përgjegjës për katastrofën duhet të mbajnë përgjegjësi.
Kërkesat e studentëve përfshijnë publikimin e të gjitha dokumenteve në lidhje me rindërtimin e stacionit si dhe lirimin e protestuesve të arrestuar.
Presidenti Vuçiç është përballur me protesta të tjera antiqeveritare që kur erdhi në pushtet si zëvendëskryeministër në vitin 2012, por kjo është hera e parë që ai lëshon pe rreth kërkesave të protestuesve.
"Gjithçka që kemi dhe ajo që ka zyra e prokurorisë ... do të vihet në dispozicion të publikut nesër", tha ai në një konferencë shtypi të mërkurën në mbrëmje.
Ai tha se të arrestuarit gjatë protestave janë liruar dhe u zotua të falë të gjithë ata që mund të dënohen në proceset e mëvonshme gjyqësore.
Ndërsa ai po mbante konferencë shtypi, qindra studentë të mbledhur para zyrës së tij në qendër të qytetit kërkuan dorëheqjen e tij.
Irina Sekuliç, një studente, tha se protestat e përditshme do të vazhdojnë derisa autoritetet të arrestojnë njerëzit që shpesh përleshen me studentët nëpër tubime.
"Ne nuk do të tërhiqemi," tha ajo.
Savo Manojloviç, udhëheqës i lëvizjes opozitare Lëviz-Ndrysho, kritikoi trajtimin e dokumenteve ligjore në lidhje me katastrofën nga ana e Presidentit Vuçiç.
"Çfarë turpi, (që) dokumentacioni ... nuk është me prokurorët por me Presidentin. Kjo është rënie e shtetit”, shkroi ai në platformën X.
Me gjithë zotimin për përmbushje të kërkesave të protestuesve, presidenti serb tha të mërkurën se “jashtë po mbahen demonstrata politike”.
Të martën ai akuzoi shërbimet e huaja të zbulimit se po përpiqen ta rrëzojnë atë dhe nënvizoi se nuk do të largohej nga vendi si udhëheqësi i rrëzuar sirian Bashar al Assad.
Kundërshtarët e udhëheqësit populist e krahasuan atë me Assadin, i cili iku në Moskë pas një përparimi mahnitës të kryengritësve, duke i dhënë fund sundimit të hekurt gjysmë shekullor të familjes së tij.
Presidenti serb pretendon se protestat financohen nga Perëndimi, me qëllimin për ta rrëzuar atë dhe qeverinë e tij nga pushteti “me taktika të ndryshme hibride që përdoren për të dëmtuar vendin”.
Të mërkurën pretendoi se në katër vjetët e fundit janë investuar 426 milionë euro në “grupet e trysnisë”, që sipas tij, duan të “ndryshojnë Serbinë dhe të rrëzojnë qeverinë”.
Vendi ballkanik kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që mban lidhje shumë të ngushta me Rusinë dhe Kinën dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Në një lëvizje që mund ta pengojë më tej Serbinë në ambiciet e saj të shpallura për anëtarësim në BE, ligjvënësit e parlamentit kanë filluar të diskutojnë një projektligj që do të krijonte një regjistër të "agjentëve të huaj", një kopje e një ligji kufizues të miratuar më parë në Rusi.
Projektligji synon të rregullojë organizatat dhe individët që marrin më shumë se 50 për qind të financimit të tyre nga burime të huaja. Kritikët si brenda Serbisë ashtu edhe jashtë saj, kanë paralajmëruar se një ligj i tillë mund të stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile, të pengojë operacionet e tyre dhe të kufizojë lirinë e shprehjes.
Presidenti serb tha të mërkurën se "për shumë arsye”, nuk do të pranojë miratimin e projektligjit, që është propozuar nga zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.