Lidhje

Trump emëron të fejuarën e djalit të tij në postin e ambasadores në Greqi


Kimberly Guilfoyle
Kimberly Guilfoyle

Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi një sërë emërimesh të martën, duke zgjedhur Andrew Ferguson për kryetar të Komisionit Federal të Tregtisë, Ron Johnson për ambasador në Meksikë dhe zonjën Kimberly Guilfoyle për ambasadore në Greqi.

Andrew Ferguson, i cili tashmë është një nga pesë komisionerët e Komisionit Federal të Tregtisë, do të zëvendësojë udhëheqësen aktuale të kësaj organizate, Lina Khan, e cila tërhoqi vëmendjen në industrinë financiare dhe atë të teknologjisë, duke bllokuar blerjet nga korporatat në vlerë prej miliarda dollarësh dhe duke paditur kompanitë Amazon dhe Meta për veprime në dëm të konkurrencës së drejtë.

"Andrew ka një histori të dëshmuar të punës kundër censurës së kompanive të mëdha të teknologjisë dhe në mbështetje të mbrojtjes së lirisë së fjalës në vendin tonë të madh", deklaroi zoti Trump në një postim në rrjetin Truth Social. "Andrew do të jetë kryetari i Komisionit Federal të Tregtisë më pro lëvizjes Amerika e Para dhe novacionit në historinë e vendit tonë”, shtoi ai.

Financieri Tom Barrack u zgjodh për postin e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Turqi. Barrack, një financier i pasur, u takua me zotin Trump në vitet 1980 ndërsa ndihmonte në negocimin e blerjes së hotelit të njohur Plaza nga zoti Trump. Ai është akuzuar për përdorim të lidhjeve me ish presidentin për të çuar përpara fshehurazi interesat e Emirateve të Bashkuara Arabe, por u lirua nga të gjitha akuzat në një gjyq federal në vitin 2022.

Donald Trump e quajti atë një "zë të arsyeshëm të respektuar dhe me përvojë".

Ron Johnson, i cili ka shërbyer në postin e ambasadorit amerikan në El Salvador gjatë administratës së parë të Presidentit Trump, është emëruar për postin e ambasadorit amerikan në Meksikë. Emërimi i tij pason paralajmërimet e presidentit të zgjedhur për vendosjen e tarifave ndaj importeve meksikane dhe dëbimin masiv të emigrantëve që kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara përmes kufirit me Meksikën. Zoti Johnson është gjithashtu një veteran i ushtrisë amerikane dhe ish zyrtar i CIA-s.

Kimberly Guilfoyle, ish-prokurore e Kalifornisë dhe ish prezantuese e lajmeve, ka drejtuar operacionet për mbledhjen e fondeve për fushatën e zotit Trumpit në 2020. Ajo u fejua me djalin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, Don Jr. në vitin 2020. Zoti Trump e quajti atë "një mike të ngushtë dhe aleate" dhe vlerësoi se "intelekti i saj i mprehtë e bën atë një kandidate të kualifikuar". Zonja Guilfoyle ishte në skenë me familjen Trump natën e zgjedhjeve.

"Unë jam shumë krenar me Kimberly-n. Ajo e do Amerikën dhe gjithmonë ka dashur t'i shërbejë vendit si ambasadore. Ajo do të jetë një udhëheqëse e mahnitshme për lëvizjen Amerika e Para", tha në një postim në mediat sociali i fejuari i saj Don Jr.

Emërimet për postet e ambasadorit duhet të miratohen nga Senati.

Në një postim në rrjetet sociale zonja Guilfoyle tha se ndihej e "e nderuar që pranoi emërimin e Presidentit Trump për të shërbyer si ambasadore e ardhshme në Greqi” dhe se pret“mbështetjen e Senatit për këtë".

Presidenti i zgjedhur Trump gjithashtu njoftoi të martën se kishte zgjedhur zotin Jacob Helberg për postin e nënsekretarit të shtetit për rritjen ekonomike, energjinë dhe mjedisin, dhe zotin Dan Bishop për atë të zëvendësdrejtorit për buxhetin në Zyrën e Buxhetit dhe Menaxhimit.

Kryetari i ri i Komisionit Federal të Tregtisë pritet të emërojë drejtorët e rinj të divizioneve të antitrustit dhe mbrojtjes së konsumatorit në këtë organizatë.

"Këto ndryshime ka të ngjarë ta bëjnë Komisionin Federal të Tregtisë më të favorshëm për biznesin krahasuar me vitet e fundit", tha përmes një postimi në mediat sociale, Anthony DiResta, avokat për mbrojtjen e konsumatorit në firmën “Holland & Knight”.

Marrëveshjet që u bllokuan nga administrata e Presidentit Biden mund të rishqyrtohen nga administrate e re e Presidentit Trump.

Për shembull, drejtuesi i ri i Komisionit Federal të Tregtisë mund të jetë më i hapur ndaj propozimit për bashkimin e dy zinxhirëve më të mëdhenj të dyqaneve ushqimore në vend, Kroger dhe Albertsons, të cilat arritën një marrëveshje prej 24.6 miliardë dollarësh për t'u bashkuar në vitin 2022. Dy gjykatës e bllokuan bashkimin e këtyre dy kompanive të martën.

Komisioni Federal i Tregtisë ngriti një padi në gjykatën federale në fillim të këtij viti për të bllokuar bashkimin e tyre, duke pretenduar se marrëveshja do të eliminonte konkurrencën, do të çonte në rritjen e çmimeve për konsumatorët dhe paga më të ulëta për punëtorët. Dy kompanitë thonë se bashkimi i tyre do t'i ndihmonte të ulnin çmimet për të konkurruar me rivalët më të mëdhenj si kompania “Walmart”.

Megjithatë, duke patur parasysh shqetësimin në rritje të publikut për çmimet e larta të ushqimeve, administrata e Presidentit Trump mund të mos frenojë plotësisht përpjekjet e Komisionit Federal të Tregtisë për të bllokuar marrëveshjen, thonë disa ekspertë.

Komisioni Federal i Tregtisë mund të vazhdojë inspektimin e firmave të mëdha të teknologjisë për të frenuar veprimet e tyre, që mund të dëmtojnë konkurrencën. Shumë politikanë republikanë kanë akuzuar firmat e mëdha të teknologjisë, si “Meta” për censurim të pikëpamjeve konservatore dhe disa zyrtarë të zgjedhur nga zoti Trump, përfshirë Nënpresidentin e zgjedhur JD Vance, kanë shprehur më parë mbështetje për kontrollin nga zonja Khan të firmave të mëdha teknologjike.

XS
SM
MD
LG