Ish ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong Hyun, u arrestua zyrtarisht të mërkurën lidhur me dyshimet për bashkëpunim me presidentin Yoon Suk Yeol dhe të tjerë në shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme javën e kaluar, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse veprimet e tyre përbëjnë rebelim.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, e para në më shumë se 40 vjet, zgjati rreth gjashtë orë, por ka shkaktuar reagime dhe protesta të mëdha në vend. Yoon dhe bashkëpunëtorët e tij përballen me hetime penale dhe përpjekje për shkarkim. Ministria e Drejtësisë i ka ndaluar zotit Yoon dhe tetë të tjerëve të largohen nga vendi pasi autoritetet i shohin ata si të dyshuar kryesorë në çështjen e ligjit ushtarak. Kjo është hera e parë që një president në detyrë në Korenë e Jugut merr një ndalim udhëtimi.
Gjykata Qendrore e Seulit tha se miratoi një urdhër-arresti për ish-ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun bazuar në akuzat për rebelim dhe shpërdorim detyre.
Zoti Kim ishte mbajtur në paraburgim që të dielën. Prokurorët kanë deri në 20 ditë për të vendosur për këtë çështje. Ligji parashikon në maksimum dënim me vdekje për personat e shpallur fajtor për akuzat për rebelim.
Zoti Kim është personi i parë i arrestuar për këtë rast. Ai është akuzuar për rekomandim të ligjit ushtarak para Presidentit Yoon dhe dërgimin e trupave në Asamblenë Kombëtare për të bllokuar përpjekjet e ligjvënësve për të votuar për këtë masë.
Përfundimisht një numër i mjaftueshëm i ligjvënësve arritën të hynin në parlament dhe njëzëri hodhën poshtë dekretin e Presidentit Yoon, duke e detyruar kabinetin e tij ta anulonte dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme disa orë pas shpalljes së saj më 4 dhjetor.
Ministri i mbrojtjes Kim tha përmes një deklarate të martën se kërkonte falje për shkaktimin e ankthit dhe shqetësimit të madh". Ai tha se e gjithë përgjegjësia për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme i takon vetëm atij dhe u lut për trajtim të mirë të ushtarëve të dislokuar për zbatimin e vendimit për gjendjen e jashtëzakonshme, duke thënë se ata thjeshtë po zbatonin urdhërat.
Parlamenti i kontrolluar nga opozita miratoi një projekt-ligj të martën për të emëruar një prokuror të posaçëm të pavarur për të hetuar Presidentin Yoon dhe zyrtarë të tjerë të lartë ushtarakë mbi shpalljen e jashtëzakonshme.
Partitë e opozitës dhe shumë ekspertë thonë se dekreti për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte antikushtetues. Ata thonë se me ligj presidentit i lejohet të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme vetëm në “kohë lufte” apo emergjenca të tjera kombëtare" dhe se Koreja e Jugut nuk ishte në një situatë të tillë.
Një mocion për shkarkim ndaj Presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol në parlament dështoi të shtunën pasi anëtarët e partisë së tij bojkotuan votimin.