Lidhje

Reagime në Shkup për sanksionimin nga DASH të Artan Grubit dhe Enver Behxhetit


Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler
Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler

Në Shkup, pati reagime të trupit diplomatik dhe të klasës politike lidhur me përcaktimin nga Departamenti i Shtetit të politikanit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti për korrupsion.

Reagime në Shkup për sanksionimin nga DASH të Artan Grubit dhe Enver Behxhetit
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:39 0:00

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler duke folur në një konferencë shtypi bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia për masa shtesë sanksionuese nga Uashingtoni ndaj ish-Zëvendëskryeminisrtit Artan Grubi dhe gjykatësit Enver Bexheti.

Ambasadorja tha se shpresonte që ky veprim i Departamentit të Shtetit bën të qartë se SHBA munden dhe do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të mbajtur përgjegjës ata individë, veprimet kriminale të të cilëve minojnë sigurinë, qëndrueshmërinë dhe vlerat e qevrisjes së Maqedonisë së Veriut.

“Korrupsioni i çfarëdo lloj forme qoftë nuk duhet të tolerohet në këtë shtet. Ata të cilët minojnë sundimin e ligjit për përfitime personale dhe në dëm të popullit të Maqedonisë së Veriut duhet të kuptojnë se korrupsioni ka pasoja”, tha ambasadorja Aggeler duke theksuar se SHBA do të vazhdojnë të mbajnë përgjegjës aktorët e korruptuar, teksa theksoi shpresat se gjyqësori dhe srtuktrat e zbatimit të ligjit këtu do të bëjnë të njejtën gjë.

“Qytetarët e këtij vendi meritojnë më shumë se kaq”, u shpreh ambasadorja. Ajo la të kuptohej se emra të tjerë po shqyrtohen për t’u sanksionuar nga Uashingtoni, por pa dhënë hollësi të tjera.

Ndërsa, zoti Grubi vetëm pak orë pas njoftimit nga Departamentit i Shtetit për pëcaktimin e tij, u shpreh përmes rrjetin social Facebook duke theksuar se ky vendim e prek atë drejtpërdrejt dhe personalisht dhe se do të punojë me “miqtë dhe partnerët” për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Ai nënvizoi se “transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi të tij”.

Partia e tij, Bashkimi Demokratik për Integrim doli të martën me një komunikatë të shkurtër duke theksuar se e respekton vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Si parti, mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj forcimit të vlerave demokratike dhe transparencës”, thuhet në komunikatë.

Rivalët politikë të Artan Grubit dhe BDI-së, eksponentët e koalicionit “Vlen” e kanë mirëpritur vendimi e Departamentit të Shtetit, teksa e cilësojnë atë si një goditje të rëndë jo vetëm për zotin Grubi por për vetë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.

“Po të kishte pasur BDI-ja fuqi që të ballafaqohej me korrupsionin në radhët e veta, Artan Grubi asnjëherë nuk do të bëhej Zëvendës-kryeministër në qeveri. Po të kishte pasur BDI-ja fuqi që të ballafaqohej me korrupsionin në radhët e veta, Ali Ahmeti do të dëgjonte kur i kërkonim që ta largonte dhe përjashtonet Artan Grubin. Po të kishte pasur fuqi Ali Ahmeti që t’ia ndalte hovin Artan Grubit, t’ia këpuste rrugën korrupsionit, t’ia ndalte Artanit rrugën e bashkëpunimit me Sasho Mijallkovin dhe Nikolla Gruevskin, ndoshta BDI-ja as nuk do të shkonte në opozitë”, tha Izet Mexhiti, Zv/kryeministër dhe kryetar i Lëvizjes Demokratike, pjesë e koalicionit “Vlen”.

Izet Mexhiti, i cili për rreth njëzet vjet ishte zyrtar i lartë i BDI-së para se të largohej nga partia për të formuar një subjekt të ri politik këmbëngulte në largimin e Artan Grubit nga rrethi i ngushtë i Ali Ahmetit, por nuk akuzonte publikisht partinë për përfshirje në korrupsion.

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski tha sot se po dalin të vërteta ato që partia e tij VMRO-DPMNE i ka paralajmëruar shumë më herët:

“Në periudhën e ardhshme do të ketë edhe shumë konfirmime të asaj për çka ne kemi pasur dyshime dhe do të dalë në shesh”, tha zoti Mickoski.

Gjykatësi Enver Bexheti, sipas nje pjese të medias në Shkup ka marrë pjesë në trajnimet profesionale të organizuara nga administrata amerikane, një gjë që ambasadorja Aggeler nuk e mohon, duke thënë se SHBA kanë siguruar trajnime për rreth 85 përqind të prokurorëve dhe gjykatësve të këtij vendi.

“Gjysmë miliardë dollarë kemi shpenzuar në gjyqësorin e këtij vendi dhe si përgjigje nuk kemi marrë rezultate shumë të mira për atë çka kemi investuar”, u shpeh ajo.

Në një njoftim të Departamentit amerikan të Shtetit thuhet se zoti Grubi dhe zoti Bexheti “morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin të Maqedonisë së Veriut”.

Si pjesë e këtij vendimi, Shtetet e Bashkuara përcaktuan si persona të padëshiruar edhe anëtarët e familjes së zotit Grubi, ish zyrtar i lartë qeveritar nga radhët Bashkimit Demokratik për Integrim.

Këto vitet e fundit Departamenti i Shtetit dhe ai i Thesarit kanë përcaktuar si të pëfshirë në korrupsion të lartë disa personalitete të Maqedonisë së Veriut, si ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, ish-kryetarja e Gjykatës Speciale, Katica Janeva, ish-kreu i shërbimit sekret Sasho Mijalkov, ish-Zëvendëskryeministri Koço Angjushev, kryetarët e komunave të Strugës dhe Karposhit në Shkup, Ramiz Merko dhe Stevçe Jakimovski, dhe biznesmenin Orce Kamçev.

XS
SM
MD
LG