Në Shqipëri, sipas një studimi të Avokatit të Popullit, publikuar sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, janë vrarë 32 gra e vajza në 3 vitet e fundit, tre të katërtat e të cilave janë vrasje për shkak të gjinisë. Veprimtaret pohuan se kjo gjendje e rëndë e dhunës ndaj grave bën përgjegjës gjithë strukturat e shtetit dhe shoqërisë. Drejtuesja e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, tha për Zërin e Amerikës se një pjesë e konsiderueshme e grave të vrara kishin e kishin denoncuar dhunën, ndërsa mbetet ende i dobët zbatimi i ligjeve nga institucionet shtetërore si dhe koordinimi mes tyre.
Avokatja e Popullit publikoi sot në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut raportin “Vrasjet e grave dhe vajzave 2021-2023”, nga doli që 3 ndër 4 gra dhe vajza të vrara në vitet e fundit e humbën jetën, sepse bashkëshortët e tyre kryen vrasje me dashje për shkak të gjinisë së tyre.
Gjatë kësaj periudhe janë vrarë 32 gra e vajza, 24 nga të cilat janë raste femicidi, pjesa më e madhe në Tiranë, Fier dhe Elbasan. Studimi i Avokates së Popullit në bashkëpunim me UN Woman Shqipëri, thekson se pjesa më e madhe e viktimave janë të moshave 30 deri në 60 vjeçare, tre të katërtat e tyre të martuara, afro gjysma e tyre lanë fëmijë jetim nën moshën 18 vjeçare dhe gjysma tjetër mbi 18 vjeçare, ndërsa më shumë se gjysma ishin të papuna ose në pension në çastin e vrasjes.
“A është e pranueshme që sot të dëgjojmë histori si ajo e një nëne në Elbasan, që u vra sapo doli nga gjykata, ndërsa priste drejtësi për dhunën e ushtruar ndaj saj ndër vite? Apo vrasja e një vajze të re sepse refuzoi një martesë t imponuar? Këto ngjarje tragjike duhet të na tronditin indiferencën dhe të na shtyjnë për ndryshimin e gjendjes”, tha zonja Ballanca.
Nga ana tjetër veprimtaret e të drejtave të njeriut shohin me shqetësim faktin që një pjesë e autorëve të këtyre vrasjeve kanë kërkuar rishikim të vendimeve, sepse kanë sjellë raporte mjekësore për probleme psikike.
Drejtuesja e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, thotë për Zërin e Amerikës se dhuna dhe vrasjet ndaj grave dhe vajzave janë format e pandëshkueshmërisë së krimeve në familjet shqiptare, ndërsa institucionet shtetërore janë shumë pasive përballë kësaj situate.
“Ky lloj krimi është një barrë për të gjithë shoqërinë shqiptare dhe është një peshë e rëndë për të gjithë ne, sepse ne jemi të gjithë fajtorë këtu. Fajtorët kryesorë janë ata që jetojnë pranë këtyre familjeve, shpesh njerëz të afërt që mbyllin veshët dhe sytë dhe nuk e kuptojnë ngjarjen dhe nxitin dhunuesin që të veprojë deri në aktin e fundit, por edhe gjithë shoqëria sepse shumica e këtyre grave kishin urdhëra mbrojtjeje dhe përsëri vrasja ka ndodhur”, thotë zonja Arqimandriti.
Veprimtaret pohojnë se një tjetër fushë tjetër që nuk funksionon mjaftueshëm janë institucionet e rehabilitimit të viktimave të dhunës me bazë gjinore, të cilat duhen riintegruar në shoqëri dhe të largohen nga mjedisi dhunues pas çastit që ato e raportojnë dhunën.
Drejtuesja e Kuvendit, Elisa Spiropali, thotë që dhuna ka hyrë në shtëpi, pikërisht aty ku gratë duhet të ishin më të sigurta se askund tjetër, ndaj duhen marrë shumë masa për ta parandaluar krimin, duke nisur nga zbatimi i ligjit për ndëshkimin e dhunuesve, strehim dhe këshillim për viktimat, si dhe të forcohet ligji më tej në ato pika, ku është më e nevojshme.
“Kontrolli është i nevojshëm që të rritet mbi zbatueshmërinë e ligjit, për ndëshkimin e dhunuesve, si dhe të përmirësojmë legjislacionin ekzistues aty ku është e nevojshme. Propozimi i Avokatit të Popullit drejtuar ministrisë së Drejtësisë mbi parashikimin në Kodin Penal të femicidit si vepër penale e veçantë mendoj se duhet vlerësuar”, tha zonja Spiropali.
Por veprimtaret theksojnë nga ana tjetër që ligjet janë të sakta, por zbatimi i tyre është ende i mangët. Zonja Arqimandriti thotë se parandalimi është thelbi i çështjes, duke nisur nga edukimi në shkolla, sepse dhuna në vend që të pakësohet, po shtohet përditë e më shumë, duke bërë hapa prapa dhe duke i bërë të paqëndrueshme rezultatet e deritanishme.
“Nuk është halli se çfarë kemi të shkruar në letër, por problem është se çfarë zbatojmë ne në realitet. Zbatimi në realitet i ligjeve nga institucionet dhe koordinimi midis tyre është i dobët faktikisht. Por ndihma që duhet t’i jepet fëmijëve të nënave të vrara është minimumi nevojshëm, sepse një pjesë e madhe e vitimave kishin fëmijë nën 18 vjeç. Dhuna nuk ka moshë”, thotë zonja Arqimandriti.
Avokata e Popullit propozoi krijimin e një fondi për të mbështetur fëmijët e mbetur pa prindër nga vrasjet në familje. Sipas studimit të këtij institucioni, 37 fëmijë janë prekur nga vrasjet e nënave, ndërsa këto ngjarje tragjike në 75 për qind të rasteve janë kryer brenda banesave familjare dhe në oborin para tyre.
Krahas mbrojtjes dhe fuqizimit ekonomik të grave, ekspertët besojnë se edhe ndëshkimi i autorëve është një prej elementëve që e shmang apo parandalon dhunën në të ardhmen.
Të dhënat tregojnë se 4 nga autorët e këtyre grave e vajzave janë dënuar me burgim të përjetshëm, 5 të tjerë me burgim nga 12-30 vjet burgim, 6 raste janë ende në proces gjyqësor, ndërsa 6 çështje janë pushuar, sepse autorët kanë humbur jetën pas ngjarjes.