Lidhje

Sky ECC: ‘Arma’ e SPAK kundër krimit të organizuar sfidohet në Kushtetuese


Sky ECC
Sky ECC

Komunikimet e aplikacionit Sky ECC i kanë dhënë Prokurorisë së Posaçme në Shqipëri një avantazh në goditjen e krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me politikën dhe biznesin, por përdorimi i tyre si prova po sfidohet së fundmi në Gjykatën Kushtetuese. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

Sky ECC: ‘Arma’ e SPAK kundër krimit të organizuar sfidohet në Kushtetuese
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:39 0:00

Në Shqipëri, lufta kundër krimit të organizuar është transformuar nga një teknologji që më parë përdorej nga grupet kriminale për të komunikuar në fshehtësi. Sky ECC, një aplikacion i koduar që reklamonte privatësi absolute, është kthyer gjatë viteve të fundit në armën kryesore të Prokurorisë së Posaçme, duke zbuluar mijëra biseda që lidhin kriminelë, politikanë dhe biznesmenë në Shqipëri.

Falë zbërthimit të sistemit Sky ECC, SPAK ka goditur të paktën nëntë organizata të fuqishme kriminale, ka kryer dhjetëra arrestime dhe ka hedhur dritë mbi ngjarje të rënda të viteve të fundit.

Këto komunikime konsiderohen gjithashtu nga prokurorët si një avantazh për të kuptuar më gjerësisht shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar dhe depërtimin e tij në administratën publike dhe agjencitë ligjzbatuese.

"Sky na ka ndihmuar të kuptojmë shtrirjen e krimit të organizuar shqiptar, që përfshin Shqipërinë, Evropën, por edhe Amerikën Latine, Qendrore dhe Jugore. Na ka ndihmuar të kuptojmë nivelin e organizimit, fuqinë financiare që kanë grupet kriminale,” thotë prokurori i SPAK, Klodian Braho.

“Gjithashtu, na ka ndihmuar të kuptojmë edhe depërtimin e tyre në administratën publike, policinë, prokurorinë, si dhe në organet gjyqësore," shtoi ai.

Sky ECC është një aplikacion i zhvilluar nga kompania kanadeze Sky Global. Ky aplikacion ofronte kriptim të avancuar dhe përdorej gjerësisht nga organizata kriminale për aktivitete të paligjshme, si trafiku i drogës apo i armëve.

Megjithatë, në mars të vitit 2021, autoritetet franceze, belge dhe holandeze arritën t’i deshifronin komunikimet. Prokurori Braho thotë se mes përdoruesve të Sky ECC ishin me mijëra shqiptarë, si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij.

“Gjuha shqipe është një nga gjuhët më të përdorura në platformën Sky ECC,” tha Braho.

Por jo të gjithë janë dakord me trajtimin e të dhënave të Sky ECC si prova gjyqësore.

Njëri prej përdoruesve dyshohet se është biznesmeni Pëllumb Gjoka, një investitor strategjik i qeverisë, i cili akuzohet për vrasje me paramendim si pjesë një grupi të strukturuar kriminal që u godit gjatë operacionit “Metamorfoza” në korrik të vitit 2023.

Gjoka e ka ankimuar vendimin që e mban në burg në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar si të paligjshëm arrestimin e tij në bazë të provave të marra nga Sky ECC.

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, njëherazi avokat i Gjokës, mbron idenë se përdorimi i këtyre të dhënave si prova gjyqësore përbën një shkelje të të drejtave të njeriut dhe rregullave të privatësisë.

"Jemi përballë faktit që kemi përgjime masive. Me një pajisje përgjuese, ndërmjet dy serverëve të komunikimit të pajisjeve Sky, është marrë i gjithë informacioni. Çfarëdo që të gjesh aty, mund ta përdorësh për të dhëna të sigurisë kombëtare, por jo si prova gjyqësore," tha Manjani.

"Ne nuk jemi në debat me Sky ECC. Ne jemi në debat gjyqësor me prokurorinë shqiptare dhe me gjykatat shqiptare. Të dhënat e përftuara nga Sky ECC duhet t’i nënshtrohen kontrollit të ligjshmërisë në vendin ku përdoren. Nëse në Francë del qoftë dhe një vendim gjykate që autorizon përgjimin e Pëllumb Gjokës, atëherë mund të pranojmë provat," theksoi ai.

Ankimi i Gjokës në Gjykatën Kushtetuese nuk është sfida e parë gjyqësore kundër përdorimit si prova të të dhënave nga aplikacioni i koduar. Padi të ngjashme janë bërë edhe në Gjykatat Evropiane.

Ish- ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shpjegon se të gjitha vendimet kanë qenë unanime dhe konvergojnë sipas tij në tre komponentë kryesorë.

“Së pari, është shumë e rëndësishme e drejta e mbrojtjes së privatësisë së personave, qoftë edhe nëse ata kanë ushtruar veprimtari kriminale. Së dyti, përgjegjës për mbledhjen e të dhënave dhe respektimin e standardeve është autoriteti dhe shteti ku ato janë mbledhur. Pra, përgjegjës është Franca, ajo i ka mbledhur dhe më pas i ka transmetuar. Gjykata e Strasburgut thotë se këto të dhëna janë mbledhur në përputhje me standardet franceze dhe ato evropiane,” tha Halimi.

“Së treti, çdo shtet duhet t’i analizojë dhe t’i përdorë këto të dhëna në përputhje me legjislacionin e tij. Gjithashtu, këto të dhëna duhet t’i nënshtrohen një shqyrtimi gjyqësor për t’u konsideruar të ligjshme," theksoi ai.

Edhe pse përdorimi i mesazheve të deshifruara nga Sky ECC u ka dhënë prokurorëve një avantazh të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, dokumentimi i ngjarjeve kriminale të lidhura me këto mesazhe mbetet një proces hetimor kompleks.

Për prokurorin Klodian Braho, ky proces kërkon kohë, kujdes dhe profesionalizëm.

“Në Sky mund të gjeni komunikime që kanë vlerë provuese, por mund të gjeni edhe opinione, hamendësime dhe thashetheme. Sfida e grupit të hetimit, prokurorit dhe hetuesve është të bëjnë një vlerësim sa më të saktë të këtyre komunikimeve. Kjo bëhet duke i ndërthurur komunikimet e Sky ECC me prova të tjera, dokumente dhe dëshmi nga dëshmitarët," theksoi Braho.

Më 19 dhjetor, trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të vendosë mbi këtë çështje, duke përcaktuar nëse përdorimi i të dhënave të Sky ECC si prova përputhet me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare. Ky vendim do të ketë një ndikim të rëndësishëm mbi të ardhmen e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG