Policia e Kosovës tha të premten në mbrëmje se një shpërthim në komunën e Zubin Potokut, në veriun banuar me shumicë serbe, ka dëmtuar një kanal të furnizimit më ujë nga liqeni i Ujmanit në zonë.
Kompania rajonale e ujësjellësit "Mitrovica" njoftoi se ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijes për shkak të dëmtimit të një pjese të kanalit furnizues. Kompania që furnizon me ujë të pijes të dy komunat e Mitrovicës, Vushtrrinë, Skenderajn dhe Zveçanin, u bëri thirrje qytetarëve “të sigurojnë rezerva të ujit të pijes”.
Policia tha se po kryen hetime por tani për tani nuk ka pasur ndonjë të arrestuar lidhur me sulmin, që kaloi pa dëme në njerëz.
Kurti: Sulm kriminal e terrorist që synonte të dëmtojë infrastrukturën kritike
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha në një konferencë shtypi rreth mesnatës se sulmi i së premtes është akt kriminal dhe terrorist, i cili synonte të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe më të rëndësishme të vendit.
“Sulmi është kryer nga profesionistë, është sulm i radhës kriminal e terrorist që ne besojmë që vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia e cila e ka edhe interesin edhe gatishmërinë edhe aftësinë për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla, në rastin konkret duke përdorur një sasi të madhe të eksplozivit në një nyje kyçe ku riparimi është i vështirë”, tha ai.
Ai tha se institucionet shtetërore janë të angazhuara për të siguruar menaxhimin e situatës, rikuperimin e dëmit dhe zbardhjen të plotë të rastit.
“Nëse dëmi nuk riparohet atëherë një pjesë e Kosovës rrezikon të mbetët pa energji elektrike që në mëngjes. Disa qytete dhe një pjesë e Prishtinës rrezikojnë të mbesin pa ujë të pijshëm”, tha kryeministri Kurti.
Ai paralajmëroi takimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës pas situatës së krijuar ndërsa falënderoi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian, që reaguan duke dënuar sulmin dhe duke i ofruar mbështetje qeverisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në reagimin e saj tha se bandat kriminale serbe do të humbin çdo betejë me institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre qyqare për të sulmuar infrastrukturën jetike të Kosovës nëpërmjet akteve terroriste.
“Mbrojtja e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë në çdo cep të vendit dhe lufta e pa kompromis ndaj këtyre elementeve kriminale janë jetike. I ftoj qytetarët të vazhdojnë të tregojnë qetësi e maturi derisa institucionet tona po merren me hetimin e rastit dhe sanimin e dëmit me profesionalizmin më të lartë”, tha ajo.
Shpërthimi u dënua menjëherë nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, e cila tha në një deklaratë se ky sulm ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve.
“Duam të theksojmë qartë se ky akt është absolutisht në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim të menjëhershëm lidhur me të”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj tha se sulmet e fundit në veri të vendit tregojnë, sipas tij, politikat e gabuara të qeverisë.
“Institucionet e sigurisë të punojnë ngushtë me KFOR dhe prezencën amerikane! Naivitieti dhe mosnjohuria me esencën e problemit nga ana e zyrtarëve politikë të qeverisë po rrezikon infrastrukturën strategjike të Kosovës”, shkroi ai.
Liqeni i Ujmanit që serbët e quajnë Gazivodë, është ndërtuar në vitet e 80-ta dhe një pjesë e tij shtrihet në Serbi. Ai ka rëndësi për furnizimin më ujë të termocentraleve të Kosovës dhe në muajt e verës edhe të disa komunave të vendit, përfshirë kryeqytetin. Liqeni është një nga pikat e nxehta të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Në qershor të vitit 2021 Shtetet e Bashkuara u dorëzuan qeverive të Kosovës dhe Serbisë raportin e Departamentit amerikan për Energji, mbi menaxhimin e ujit të liqenit të Ujmanit, që ishte pjesë e zotimeve në marrëveshjen ndërmjet të dyja vendeve për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, të nënshkruar më 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë në praninë e ish presidentit amerikan, Donald Trump.
Shpërthimi i së premtes në kanalin furnizues me ujë nga ky liqen ndodhi pak orë pasi policia e Kosovës njoftoi se ka shtuar masat e sigurisë në tërë vendin me qëllim të, siç thuhet në njoftimin e saj, “parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme”.
Policia tha se do të ketë veprimtari të shtuara për të ofruar më shumë siguri në gjithë Kosovën, duke përfshirë veriun e saj, ku brenda tre ditësh u raportua për dy sulme me granata dore.
Autoritetet njoftuan sot se të enjten vonë persona të panjohur kanë hedhur një granatë dore në ndërtesën e komunës së Zveçanit në veri të Kosovës, duke lënë pas vetes dëme materiale, po pa pasoja në njerëz. Ndërkaq të martën e kësaj jave persona të panjohur hodhën dy granata dore në oborrin e stacionit policor në këtë komunë.
Policia i vlerësoi rastet si “sulme serioze kriminale”, ndërsa ato u dënuan fuqishëm nga autoritetet e vendit.
“Ky është shpërthimi i tretë në tre ditë e fundit që ka pasur për cak institucionet e vendit tonë dhe është synuar të nxitet frika dhe pasiguria së pari te banorët e katër komunave në veri të Ibrit për ta përshkallëzuar situatën dhe më pastaj mbarë vendin tonë. Përpjekjet e tilla do të mbetët të dëshpëruara për shkak se kushtetutshmëria në vendin tonë, sundimi i ligjit, rendi dhe populli e Republika jonë nuk do të mund të mposhtën asnjëherë nga askush”, tha të premten kryeministri i Albin Kurti.