Lidhje

Shqipëri, mbi 4 mijë denoncime për dhunë me bazë gjinore


Konferenca kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore
Konferenca kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore

Në Shqipëri janë regjistruar këtë vit mbi 4 mijë denoncime të grave e vajzave në polici për dhunë ndaj tyre. Veprimtaret pohojnë se 17 gra e vajza shqiptare janë vrarë këtë vit në rajon, ndërsa denoncimet e dhunës janë shtuar dukshëm.

Shqipëri, mbi 4 mijë denoncime për dhunë me bazë gjinore
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Dhuna me bazë gjinore është një nga format më të përhapura të shkeljes së të drejtave të njeriut në Shqipëri, pohuan sot në një konferencë kombëtare veprimtaret e shoqërisë civile. Sipas statistikave, një në dy gra deklaron se ka përjetuar një herë në jetën e saj një formë të dhunës fizike, psikologjike, ekonomike, seksuale e digjitale.

Përfaqësuesja e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, Mirela Arqimandriti, thotë se ndihma ndaj grave e vajzave të dhunuara është e fragmentuar, ndërsa ato ndeshen me një seri barrierash sociale dhe ekonomike.

“Viktimat përballen me stigma shoqërore, izolim në komunitetet e tyre dhe nuk kanë pavarësi ekonomike, gjë që i detyron të mbeten në marrëdhënie abusive, ose të përballen me pasigurinë financiare gjatë përpjekjeve për të rindërtuar jetën e tyre. Ndërsa kemi përmirësime të dukshme në legjislacion, zbatimi i ligjit mbetet sfidë, viktimat shpesh ndjehen të pasigurta për të raportuar dhunën për shkak të mungesës së besimit tek institucionet e drejtësisë dhe frikës nga represioni dhe mungesa e mbrojtjes efektive”, tha zonja Arqimandriti.

Rrjeti për Fuqizimin e Gruas rendit 17 vrasje të grave e vajzave shqiptare në Shqipëri, në rajon, Maqedoni të Veriut, Kosovë, gjendja e dhunës me bazë gjinore mbetet e njëjtë ndërsa shtimi i dukshëm i denoncimeve vjen prej rritjes së ndërgjegjësimit të viktimave për të refuzuar dhuën dhe për të mos e fshehur më atë.

Përfaqësuesja e Rrjetit për Fuqizimin e Gruas në Shqipëri, Ines Leskaj, thotë për Zërin e Amerikës që këtë vit janë më shumë se 4 mijë raste të zonjave që kanë denoncuar në polici dhunën me bazë gjinore dhe forma të ndryshme të saj, si dhe janë lëshuar një numër i konsiderueshëm urdhëra mbrojtjeja nga drejtësi.

“Çështja e sigurisë së jetës është çështje emergjence kombëtare. Duke parë ato që po ndodhin në shoqërinë tonë, ato që po ndodhin në shkollat shqiptare, ajo që ndodh me shifrat dhunës me bazë gjinore dhejo vetëm, dhuna në përgjithësi, dhuna kibernetike, dhuna në mjedise të ndryshme është shumë e rëndësishme që të reagojmë si shoqëri dhe të mos ta gjejmë fajtorin vetëm në një drejtim të caktuar, sepse e gjithë shoqëria është përgjegjëse”, tha zonja Leskaj.

Autoritetet po përpiqen që të rehabilitojnë të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore, përmes shërbimeve cilësore të integruara.

“Jemi të gjithë që kemi mundësinë që të çojmë më lart zërin dhe të përmirësojmë ato politika aktuale të cilat sot zbatohen nëpërmjet mekanizmave të referimit në 61 bashkitë e vendit, nëpërmjet nëpunësve gjinorë të cilët bëjnë pjesë në të gjithë ministritë e linjës, nëpërmjet strukturave vendore, të cilat janë vija e parë ku mbështeten gjithë viktimat e dhunës dhe aty ku jepet mundësia për të qenë pjesë e programit të mbrojtjes sociale”, tha Denada Seferi Dibra, zëvendës ministre e shëndetësisë.

Megjithatë veprimtaret vlerësuan në konferencën kombëtare se mbeten ende të kufizuara ndërgjegjësimi dhe edukimi i komunitetit kundër dhunës më bazë gjinore, ndërsa nevojitet të shtohen masat konkrete dhe të zbatohen ligjet në fuqi për rehabilitimin dhe riintegrimin e viktimave të mbijetuara të dhunës.

XS
SM
MD
LG