Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi sot se ka goditur një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare. Ajo ka lëshuar të paktën 20 urdhëra arresti, që përfshijnë dhe një ish zyrtar të lartë policie dhe një ish gjyqtare. Për herë të parë, në kuadër të një operacioni të tillë, janë dhënë dhe masa sigurie detyrim paraqitje, për dy gazetarë të njohur të kronikës, Artan Hoxha dhe Elton Qyno. Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende shpjegime për rastin e tyre
Një tjetër organizatë kriminale, e cila sipas Prokurorisë së Posaçme e kishte shtrirë aktivitetin e saj jo vetëm në Shqipëri, u godit sot falë një operacioni të organizuar në bashkëpunim dhe me autoritete të vendeve europiane, dhe që u mbështet nga Europol. Njoftimi paraprak zyrtar bën të ditur se janë lëshuar masa sigurie për 21 persona, nga të cilat 18 arreste me burg dhe një arrest shtëpie.
Dy masa të tjera sigurie “detyrim paraqitjeje” janë dhënë për dy gazetarët e njohur të kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno, në banesat e të cilëve mësohet të jetë ushtruar kontroll, ndërsa u janë marrë dhe telefonat celularë. Ata u paraqitën pranë Prokurorisë së Posaçme pasdite. Të dy gazetarët nuk preferuan të jepnin shpjegime. Sikundër dhe vetë Prokuroria deklaroi se për hetimin që çoi në goditjen e sotme, do të ketë një njoftim më të detajuar në 24 orët e ardhshme.
Hetimet, mësohet se kanë zbuluar lidhje të organizatës, me personazhe të ndryshme të botës së krimit, mes të cilëve dhe Suel Çelën, një emër i njohur dhe i shpallur në kërkim edhe në kuadër të hetimeve të mëparshme të Prokurorisë së Posaçme. Të përfshirë rezultojnë dhe ish zyrtari i Policisë Dedan Gjoni, i arrestuar kohë më parë, po për lidhje me grupet kriminale, një avokate e cila ka mbrojtur në proceset gjyqësore interesat e grupit të Çelajve, si dhe një ish gjyqtare e Elbasanit, e cila ishte ndërkohë në arrest shtëpie.
Ndërkohë që policia ekzekutonte urdhërat e arrestit të Prokurorisë së Posaçme, drejtuesi i saj Altin Dumani, po fliste në një takim të organizuar nga Komiteti i Helsinkit, për goditjen që i është dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, të dënuar kryesisht për çështje korrupsioni e mosdeklarimi pasurie. Sipas zotit Dumani, njerëzit e Drejtësisë që e kanë kaluar tanimë filtrin e Vettingut, nuk mund të konsiderohen megjithatë të imunizuar.
“Shqetësimi më i madh në vlerësimin tonë, nuk janë subjektet e shkarkuara për efekt të rivlerësimit, por ata që e kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fokusi ynë është dhe kjo pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është dhe shqetësimi ynë më i madh, sepse aktualisht ata janë në sistem dhe ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Eshtë detyra jonë si institucion që në çdo rast të ushtrojmë ndjekjen penale”, deklaroi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas të cilit, krahas institucioneve përgjegjëse, edhe qytetarët nevojitet të denoncojnë korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Reagojnë dy gazetarët
Të dy gazetarët e vënë nën hetim reaguan mbrëmjen e së hënës, pasi Prokuroria e Posaçme u ktheu pas atyre pajisjet që u ishin sekuestruar gjatë kontrollit në banesat e tyre. “Në orën 7 të mëngjesit oficerë të BKH të mbështetur nga skuadra e posaçme operacionale, më kanë trokitur në banesë për të më vënë në dijeni në lidhje me një vendim të Gjykatës së Posaçme i marrë ditën e premte më 22 nëntor”, tregon për Zërin e Amerikës, gazetari Hoxha. “Më pas BKH-ja, ka ushtruar një kontroll të imtësishëm në banesë duke sekuestruar të gjithë mjetet elektronike të punës, nga celularë, lap top, tabletë, hardisqe të jashtem, usb, karta memorie, kaseta, CD, fashikuj dosjesh të bisedave nga rrjeti i kriptuar SkyeCC. Kontrolli ka zgjatur për rreth tre orë”, shpjegon Hoxha, sipas të cilit, vendimi i Gjykatës, përcaktonte se detyrimi i tij për t’u paraqitur pranë një oficeri të Policisë gjyqësore, është një herë në muaj.
Gazetari Hoxha thotë më tej se “rreth mesditës jemi njoftuar për t’u paraqitur në ambjentet e SPAK-ut, ku na njoftuan se kontrolli i banesave dhe sekuestrimi i mjeteve të punës, ka qene i paligjshëm. Vendimi ishte i firmosur nga kreu i SPAK-ut dhe një prokuror i dytë që heton dosjen. Në këto kushte, na u rikthyen të gjitha mjetet që ishin sekuestruar”. Ai shprehet se “tashmë procesi do të hyjë në një përballje gjyqësore, ku të dyja palët do të paraqesin argumentat e veta.”
Ndërsa gazetari tjetër i kronikës Elton Qyno, të cilit dhe më herët i është ushtruar kontroll dhe i janë marrë pajisjet elektronike personale, u shpreh i habitur nga masa e sigurisë ndaj tij. Në një reagim publik, ai deklaron se “brenda një kohe të shkurtër shtëpia ime është bastisur dy herë nga SPAK-u. Prej 19 vitesh punë pa ndërprerje, duke zënë me dorë thuajse të gjithë grupet kriminale në Shqipëri dhe jo vetëm, sinqerisht jam habitur për një masë të tillë të firmosur nga njerëz të cilëve unë u kam besuar dhe i kam mbështetur fuqimisht në detyrën e tyre kundër elementeve kriminalë”, shprehet ai duke theksuar se “s'kam kryer asnjë krim në detyrën time të ushtruar me krenari pranë grupit mediatik "Shqiptarja.com".