Lidhje

Poloni, fermerët bllokojë kalimin kufitar me Ukrainën


Fermerët polakë bllokuan kalimin kufitar me Ukrainën në zonën Medyka në shenjë proteste ndaj marrëveshjes mes Bashkimit Evropian dhe bllokut tregtar “Mercosur”, për të cilën thonë se do të dëmtojë konkurrencën e tyre, njoftoi agjencia polake e lajmeve PAP.

Fermerët po protestojnë gjithashtu pasi qeveria nuk ka përmbushur kërkesën e tyre që gjatë vitit 2024 Polonia të mbajë taksën bujqësore në nivelin e vitit 2023.

Ministri i Bujqësisë i Polonisë tha se i mbështet kërkesat e fermerëve në lidhje me marrëveshjen “Mercosur” dhe se qeveria do ta trajtojë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme. “Mercosur” është një bllok tregtar i vendeve të Amerikës së Jugut.

Ministri i Bujqësisë, Czeslaw Siekierski, u shpreh në rrjetin X se: “Protesta e fermerëve në Medyka ka të njëjtin objektiv për të cilin kam luftuar në fronte të ndryshme për një kohë të gjatë. Më lejoni t’ju kujtoj se në Ministrinë e Bujqësisë ne i thamë JO marrëveshjes me vendet e Mercosur”.

Agjencia e lajmeve PAP njofton se gjatë bllokadës të shtunën, që pritet të zgjasë 24 orë, rreth 30 individë u panë të ecnin përgjatë kalimit kufitar. Vetëm një kamion ukrainas në orë u lejua të largohej nga territori polak.

“Për momentin nuk ka vështirësi”, citohet të ketë thënë Anita Pukalska nga rajoni i policisë së bashkisë Przemysl, lidhur me bllokadën e fermerëve, e cila nuk pengon lëvizjen e automjeteve me pasagjerë, transportin humanitar dhe ushtarak.

XS
SM
MD
LG