Lidhje

Brazil, policia akuzon ish-presidentin Bolsonaro për komplot për grusht shteti


Ish-Presidenti brazilian Jair Bolsonaro komplotoi për të kryer një grusht shteti me qëllimin për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022 së bashku me dhjetëra ish-ministra dhe ndihmës të lartë, thuhej në një dokument të paraqitur nga policia federale të enjten në Gjykatën e Lartë të vendit.

Raporti final është pjesë e një hetimi gati dy-vjeçar të policisë mbi rolin e zotit Bolsonaro në lëvizjen që mohonte rezultatin e zgjedhjeve, e cila kulmoi me trazira nga mbështetësit e tij, që përfshinë kryeqytetin e vendit Brasilian në janar 2023, vetëm një javë pasi rivali i tij, Luiz Inacio Lula da Silva, mori detyrën si president.

Shumë protestues në atë kohë thanë se po kërkonin të krijonin kaos për të justifikuar një grusht shteti ushtarak, të cilin ata e konsideronin të pashmangshëm.

Në fillim të kësaj jave, policia arrestoi pesë komplotistë të dyshuar për planifikimin e vrasjes së zotit Lula përpara se ai të merrte detyrën.

Hetuesit kishin gjetur prova se zoti Bolsonaro ishte në dijeni të planit të supozuar, sipas një burimi policor në dijeni të hetimeve.

Nga ana e tij zoti Bolsonaro shkruante në mediat sociale se hetuesit dhe gjyqtari i Gjykatës së Lartë që mbikëqyrte çështjen, kishin qenë "krijues" dhe kishin bërë "gjithçka që ligji nuk e thotë".

Ai shtoi se do ta shqyrtonte më nga afër raportin e policisë. Avokati i tij i tha agjencisë Reuters se ai do të priste të shihte raportin përpara se të komentonte.

Ky zhvillim është një goditje e re për planet e zotit Bolsonaro për të kandiduar për president në vitin 2026.

Gjykata e Lartë tha se javën e ardhshme do t’i dërgojë prokurorit të përgjithshëm raportin e policisë - detajet e plota të të cilit mbeten sekrete – për të vendosur nëse do ta padisë zyrtarisht zotit Bolsonaro dhe 36 persona të tjerëve të akuzuar për komplot për të përmbysur me dhunë rendin demokratik.

Policia federale tha se kishte paraqitur prova të bazuara në kontrollet që kishte bërë me urdhër gjykate, ne përgjimet, të dhëna financiare dhe në dëshmitë e atyre që kishin pranuar fajësinë.

Në mesin e të akuzuarve janë dy nga ish-ministrat e mbrojtjes të zotit Bolsonaro, gjenerali në pension Walter Braga Netto; ish-këshilltari i tij për Sigurinë Kombëtare, gjenerali në pension Augusto Heleno; ish komandanti i Marinës Almir Garnier Santos; dhe ish-ministri i Drejtësisë Anderson Torres.

XS
SM
MD
LG