Lidhje

Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentagonin, përmes kredive për modernizimin e ushtrisë


Pirro Vengu
Pirro Vengu

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu thotë se Shqipëria synon kalimin në një fazë të re bashkëpunimi me Shteteve të Bashkuara, përmes kredive për modernizimin e ushtrisë. Zoti Vengu, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për takime në Departamentin amerikan të Mbrojtjes dhe atë të Shtetit, i tha në një intervistë Zërit të Amerikës se Kjo do të shënonte një etapë të re në marrëdhëniet ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me ardhjen e administratës së re të Presidentit të Zgjedhur Donald Trump, Ministri i Mbrojtjes parashikon një periudhë bashkëpunimi dhe jo problematikash, lidhur me situatën në rajon dhe Kështu që jemi në një situatë, mendoj unë, që presim vite konvergjence më shumë sesa vite problematikash, në të mirë të stabilitet rajonal. Gjatë vizitës në SHBA, zoti Vengu do të vizitojë gjithashtu edhe bazën ushtarake të Norfolkut në Vixhinia, një nga bazat më të mëdhe amerikane dhe të Nato-s, ku ndodhet dhe Komanda e Forcave të Përbashkëta.

Vengu: Shqipëria synon një fazë të re bashkëpunimi me Pentagonin
please wait

No media source currently available

0:00 0:08:06 0:00

Zëri i Amerikës: Zoti Vengu, tradicionalisht marrëdhëniet e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë qenë të forta në fushën e mbrojtjes. A mund të na thoni se cilat ishin temat ku u përqëndruat gjatë takimeve tuaja në Pentagon?

Pirro Vengu: Jemi në një situatë, ku përpjekja e Shqipërisë për të rritur kapacitetet në fushën e mbrojtjes, për të rijetësuar industrinë ushtarake nënkupton që ne duhet të bënim edhe konsultime të dedikuara me partnerin tonë strategjik, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë partnerët në Pentagon mbi përpjekjet për miratimin e buxhetit, i cili për pak ditë kalon dhe miratohet në Kuvendin e Shqipërisë. Është një periudhë e mirë e marrëdhënieve, unë do të thoja, në fushën e bashkëpunimit ushtarak, ku Shqipëria po merr përgjegjësi, të cila janë kërkuar në kuadër të aleancës dhe bashkëpunimit dypalësh me Shtetet e Bashkuara, sidomos në përpjekjen tonë për të pasur buxhete më të konsiderueshme për të rritur kapacitetet e forcave të armatosura për të pasur programe modernizimi të reja të forcave tona luftarake, detare, ajrore dhe tokësore. Dhe është krejt normale, që duke i bërë këto përpjekje buxhetore dhe investime domethënëse, ne të harmonizojmë hapat dhe përzgjedhim instrumentet e duhur në koordinim me partnerët tanë amerikanë, ndaj dhe jam sot këtu, pas një takimi shumë produktiv në Pentagon dhe për pak kohë edhe në Departamentin e Shtetit dhe më vonë siç e përmendet ju në Norfolk, në komandën e përbashkët të NATO-s.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, deri më tani Shqipëria ka përfituar ndihmë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara me automjete të blinduara apo helikopterë BlackHawk. A patët ndonjë bisedë për një marrëveshje tjetër në këtë drejtim?

Pirro Vengu: Aktualisht ne jemi në një fazë, ku jo vetëm po marrim mbështetje bilaterale por edhe duam që të financojmë përmes instrumenteve të rinj që ka krijuar Pentagoni dhe Departamenti i Shtetit për vendet aleate, që janë kreditë që jepen në dispozicion të aleatëve për të bërë investime domethënëse në modernizim. Pra, ne po kalojmë nga një fazë ku kishim donacion, në një fazë ku ne do të bëjmë investime të përbashkëta. Pra, është një etapë e re në marrëdhënien e bashkëpunimit ushtarak midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në fakt, kemi bërë konsultime përsa i përket mundësisë që të marrim edhe një miratim nga Kongresi amerikan, Departamenti i Shtetit dhe të gjithë aktorët vendimmarrës për mundësinë e kësaj kredie domethënëse. Shqipëria ka kapacitetet fiskale dhe financiare që të ndërmarrë një veprim të tillë, të marrë një kredi nga Shtetet e Bashkuara të dedikuar për programe modernizimi të forcave të armatosura. Është një instrument dhe program relativisht i ri, që Shtetet e Bashkuara e kanë zbatuar me sukses me vende aleate si Polonia, Rumania, Kroacia dhe Lituania. Tashmë edhe Shqipëria po i bashkangjitet vendeve të cilat kanë këtë program intensiv me instrumente financiare domethënës, që na jep shpresë se gjatë vitit 2025 të konkretizohet me një marrëvshje financimi të konsiderueshme në mënyrë që Shqipëria të rrisë kapacitetet ajrore, programin e mirëmbajtjes së helikopterëve BlackHawk, funksionalizimin e plotë të bazës së NATO-s në Kuçovë me të gjitha sistemet dhe pajisjet që i nevojiten si dhe në forcat tokësore, për të cilat na duhet të investojmë shuma domethënëse për rritjen e kapaciteteve.

Zëri i Amerikës: Pra synimi kryesor është rivitalizimi. Besoj keni parasysh edhe bashkëpunim me industrinë amerikane të mbrojtjes?

Pirro Vengu: Absolutisht. Një temë e rëndësishme e bisedimeve të sotme është edhe përpjekja që po bën qeveria shqiptare për të rijetësuar industrinë ushtarake dhe patjetër që ne do të donim të kishim edhe prani të kompanive lidere amerikane të industrisë ushtarake në këtë fushë. Siç e thashë, Shqipëria po ndërmerr hapa domethënës në investime në këtë fushë, blerje pajisjesh, sistemesh dhe patjetër do të donim që të kishim një prani amerikane edhe më të theksuar pse jo në të ardhmen edhe në prodhim që ndodh në vendin tonë.

Zëri i Amerikës: Duke patur parasysh infrastrukturën që është e vjetëruar, sa është e mundur të realizohet një gjë e tillë pa e rregulluar këtë infrastrukturë apo mendoni që do të rregullohet deri atëherë?

Pirro Vengu: Ç’është e vërteta, kapacitetet e industrisë ushtarake sot që flasim në Shqipëri janë ato që thatë ju janë të fjetura, asetet janë të vjetëruara por ato mund të rehabilitohen dhe akomodohen relativisht shpejt. Ky nuk është procesi më i vështirë. Procesi i vështirë ka të bëjë me investimin në linja e reja moderne të prodhimit të municioneve, eksplozivëve dhe armëve të lehta. Këto nuk janë investime që detyrimisht marrin kohë, por ato janë të kushtueshme. Legjislacioni shqiptar sot parashikon mundësinë që të krijohen kompani të përbashkëta mes investitorëve të huaj dhe aleatëve. Ne synojmë të kemi pse jo edhe investitorë amerikanë sikundër edhe kompania shtetërore KAYO e sapothemeluar, mund të bëjnë partneritete për të ndërmarrë njëra palë investime në infrastrukturë dhe pala tjetër në investimet në linjë prodhimi dhe këtë linjë po ndjekim aktualisht.

Zëri i Amerikës: Zoti ministër, pas ndryshimeve të administratës në Shtetet e Bashkuara dhe në kushtet kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka shprehur rezerva për NATO-n, si mendoni që këto ndryshime mund të ndikojnë në situatën në rajonin e Ballkanit, duke pasur parasysh që ka trupa amerikane në Kosovë?

Pirro Vengu: Ç’është e vërteta, unë mbaj mend që në mandatin e tij të parë, të gjitha qëndrimet e Presidentit Trump shërbyen si një rizgjim i NATO-s më shumë se sa e kundërta. Dhe ky rizgjim në fakt ka prodhuar efekte jo vetëm në vendin tonë por në mbarë aleancën pasi tashmë shumica dërrmuese e aleatëve kanë kapur nivelin e shpenzimeve dhe investimeve në mbrojtje mbi 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto. Shqipëria e realizon këtë nivel për të dytin vit radhazi, për vitin buxhetor 2025.

Unë besoj se ky qëndrim për të rizgjuar kapacitetin e Evropës që të marrë përgjegjësi më të mëdha, padyshim ka efekt edhe tek vendi ynë, kur flitet tek ndikimi rajonal. Padyshim që ka një ndikim përsa i përket dedikimit tonë për një mbrojtje më moderne, e cila jo vetëm është konsumatore e sigurisë së aleancës dhe ombrellës që ofron ajo, por edhe pse jo, mund të kontribuojë në atë që përmendet edhe ju, pikërisht edhe për ne.

KFOR është padyshim një pikë e rëndësishme ku konvergojnë në fakt vlerësimet e administratës aktuale amerikane apo të gjithë bashkëbiseduesve që kemi pasur mundësi të kemi pranë Presidentit të zgjedhur Trump. Kështu që jemi në një situatë, mendoj unë, që presim vite konvergjence më shumë sesa vite problematikash, kur flitet për rëndesat që ka mbrojtja dhe siguria në administratën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG