Lidhje

Policia e Kosovës mohon pretendimet serbe se pjesëtarë të saj e kanë kaluar kufirin me Serbinë


Pamje nga një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Pamje nga një vendkalim kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Policia e Kosovës i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet e autoriteteve të Beogradit për kalim të vijës kufitare nga pjesëtarë të policisë së Kosovës.

Të enjten ministria e Mbrojtjes e Serbisë tha se një grup i policëve të Kosovës, të armatosur rëndë, ka kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviç të komunës së Leposaviqit në veri të Kosovës.

Kjo ministri tha se “kalimi i paautorizuar i vijës administrative” mes Serbisë dhe Kosovës paraqet “provokim të rrezikshëm dhe kërcënim për paqen”.

“Ministria e Mbrojtjes kërkon nga KFOR-i, si forca e vetme legale dhe e ligjshme ushtarake në territorin e Kosovës, të marrë masa në përputhje me mandatin e tij dhe të parandalojë autoritetet e përkohshme të Prishtinës në përpjekjet për të shkaktuar përshkallëzim të dhunës”, thuhet në një deklaratë të kësaj ministrie.

Policia e Kosovës tha në një deklaratë se pohimet e tilla janë të pavërteta dhe të paqëndrueshme.

“Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformatë që ka për qëllim të krijojë pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha ndërkaq në një intervistë në televizionin shtetëror serb se nuk pret ndonjë reagim nga forcat paqeruajtëse të NATO-s, “përveç amerikanëve”.

“Amerikanët e dinë që ishte (kryeministri i Kosovës, Albin) Kurti ai që e urdhëroi këtë me qëllim. Ai priste që këta individë të likuidoheshin dhe kjo të ishte shkak për të përfshirë NATO-n në një konflikt me Serbinë. Herën tjetër, ne do të reagojmë në përputhje me rregullat e plota të shërbimit ushtarak, dhe kërkojmë nga amerikanët që të na informojnë nëse kemi të drejtë kur themi se Kurti personalisht urdhëroi provokimin dhe hyrjen e forcave të tij të armatosura në territorin e Serbisë”, tha Presidenti Vuçiç.

Nuk pati ndonjë reagim të misioneve ndërkombëtare në Kosovë rreth pretendimeve serbe e as të KFOR-it, forcat e të cilit kujdesen për sigurinë e kufirit me Serbinë.

XS
SM
MD
LG