Lidhje

Finlanda i bashkohet Suedisë, çel hetimet për kabllot e prera në Baltik


Nga shtrimi i kabllit që lidhte Finlandën me Gjermaninë
Nga shtrimi i kabllit që lidhte Finlandën me Gjermaninë

HELSINKI, Finlandë – Autoritetet finlandeze thanë të mërkurën se kanë hapur një hetim për prerjen e një kablloje të transmetimit të të dhënave nën Detin Baltik, duke iu bashkuar kështu një hetimi suedez për sabotimin e mundshëm të këtij rrjeti dhe të një kablloje të dytë.

Kablloja C-Lion1, e cila lidh Finlandën me Gjermaninë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të ngjashëm të një kablloje që përshkon Balltikun duke lidhur Lituaninë dhe Suedinë. Incidentet ndodhën në ishujt suedezë Oland dhe Gotland. Ministri gjerman i mbrojtjes tha të martën se dëmi duket se ishte shkaktuar nga sabotazhi, megjithëse nuk ka prova për momentin.

Byroja Kombëtare e Hetimit të Finlandës tha se hapi një hetim penal për prerjen e kabllit C-Lion1 me dyshimin për veprën e “aktivitetit të rënduar kriminal dhe ndërhyrje në komunikim".

Policia suedeze tashmë ka hapur një hetim paraprak të martën për sabotim të dyshuar në lidhje me dy prerjet e kabllove dhe tha të mërkurën se "policia dhe prokurorët suedezë janë gjithashtu të interesuar për një anije që është parë në vendet në fjalë".

Anija kineze e mallrave Yi Peng 3
Anija kineze e mallrave Yi Peng 3

Ata nuk dhanë detaje dhe nuk e identifikuan anijen, por thanë se "ajo nuk është aktualisht në ujërat suedeze".

Hetimet zyrtare erdhën pasi u njoftua nga mediat se një anije me flamur kinez, “Yi Peng 3”, kishte qenë në zonë në kohën e prerjes së kabllove.

Informacioni për gjurmimin e anijes nga faqja e internetit Marine Traffic tregoi se anija e transportit, 225 metra e gjatë, nuk lëvizte pasditen e së mërkurës në brigjet e Danimarkës në Balltik.

Marina Mbretërore Daneze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

XS
SM
MD
LG