Dërgimi në Ukrainë i disa armatimeve amerikane mund të realizohet pasi mandati i Presidentit Joe Biden të përfundojë në janar, i thanë Zërit të Amerikës zyrtarë të Pentagonit, duke theksuar se do të duhet kohë që disa kapacitete të mbërrijnë në Ukrainë.
"Siç e dini, disa pajisje dhe disa sisteme mund të arrijnë në Ukrainë shumë shpejt dhe ju e keni parë këtë të ndodhë brenda disa ditëve ose javëve. Ndonjëherë, zgjat më shumë ... dhe mund të jetë më shumë se javë, mund të jenë muaj", tha më 14 nëntor zv.sekretarja e Shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
Zonja Singh vuri në dukje se në kuadrin e Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës (USAI), dërgesat e armëve mund të zgjasin me vite.
“Pra, disa pajisje arrijnë në Ukrainë jashtëzakonisht shpejt. Por pastaj ka disa për të cilat duhet më shumë kohë”, tha ajo.
Shtetet e Bashkuara kanë ende fonde në dy programe kryesore që mbështesin mbrojtjen e Ukrainës - programi PDA, ose Programi i Autorizimit Presidencial, dhe programi USAI. Programi i parë lejon që armët të sigurohen nga rezervat ekzistuese të Shteteve të Bashkuara, duke mundësuar shpërndarje më të shpejtë. Programi i dytë përfshin blerjen e armëve nga industria, një proces që mund të zgjasë më shumë.
Që nga nëntori, Shteteve të Bashkuara u kanë mbetur rreth 9 miliardë dollarë për ndihma ushtarake për Ukrainën, ka raportuar Pentagoni. Nga këto, afërsisht 7 miliardë dollarë janë në dispozicion sipas programit PDA, përfshirë rreth 4 miliardë dollarë të miratuara nga Kongresi në prill dhe 2.8 miliardë dollarë shtesë të vëna në dispozicion pas bilanceve të reja nga Departamenti i Mbrojtjes. Gjithashtu, 2.2 miliardë dollarë të tjerë janë në dispozicion për programin USAI.
Më 20 nëntor, Shtetet e Bashkuara njoftuan një paketë shtesë të ndihmave të sigurisë për Ukrainën, me vlerë 275 milionë dollarë. Në të përfshihen municione për sistemet e raketave, predha artilerie, armë antitank dhe të tjera.
Zyrtarët e Pentagonit i kanë konfirmuar Zërit të Amerikës se Departamenti i Mbrojtjes është i angazhuar të përdorë të gjitha fondet e mbetura të programit PDA të autorizuara nga Kongresi përpara datës 20 janar 2025 dhe fondet shtesë të vëna në dispozicion për shkak të përllogaritjeve të reja. Shuma e saktë do të varet nga vlerësimet e vazhdueshme të nevojave të mbrojtjes së Ukrainës dhe logjistikës së ofrimit të ndihmës.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin ka thënë se disa dërgesa të armëve amerikane në Ukrainë mund të kërkojnë kohë.
"Jo të gjitha do të dërgohen menjëherë", u tha ai gazetarëve gjatë një vizite në Itali në tetor. "Gjërat që po blejmë tani, për shembull, mund të arrijnë vetëm disa muaj më vonë".
Sekretari shtoi se disa materiale nga rezervat e Shteteve të Bashkuara riplotësohen përpara se të dërgohen në Ukrainë, dhe kjo kërkon gjithashtu kohë. "Dhe sërish, nuk është e menjëhershme, mund të duhen javë ose në disa raste, disa muaj", tha sekretari Austin.
Sekretari Austin nënvizoi se Pentagoni i ka paraqitur një plan zyrtarëve ukrainas dhe ka besim se dërgesat e armëve do të vazhdojnë sipas planit të parashikuar.
Nëse administrata e ardhshme Trump vendos të ndalë disa nga dërgesat e mbetura, asaj do t’i duhet të anullojë zotimet për ndihmën të ndërmarra më herët nga administrata e Presidentit Biden, tha sekretari Austin muajin e kaluar në Itali.
Më 12 nëntor, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder tha se ndërsa Kongresi po shqyrtonte miratimin e fondeve shtesë në prill dhe në mes të tetorit, Shtetet e Bashkuara i kanë dërguar Ukrainës nga rezervat e tyre rreth 83% të municioneve të premtuara, 67% të municioneve kritike për mbrojtjen ajrore dhe 60% të kapaciteteve për artilerinë dhe funksionet mbështetëse ajrore.
“Që nga kalimi i buxhetit shtesë, kemi dërguar qindra mijëra predha artilerie, mijëra automjete të blinduara, mijëra municione për sistemet HIMARS dhe armë antitank, dhjetëra sisteme artilerie, kapacitete të rëndësishme të mbrojtjes ajrore, përfshirë një bateri Patriot, qindra interceptorë dhe dhjetëra sisteme të tjera”, tha zëdhënësi i Pentagonit.
"Dhe së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, dërgesat e sistemit strategjik të mbrojtjes ajrore, që u angazhuam të ofrojmë në takimin e nivelit të lartë të NATO-s, janë pothuajse të realizuara".