Lidhje

SHBA vendos veton për një projekt-rezolutë për armëpushim në Gazë 


Shtetet e Bashkuara i vendosën veton të mërkurën një projekt-rezolute të OKB-së që parashikonte një armëpushim të menjëhershëm të luftës në Gazë, pasi ajo nuk e lidhte këtë kërkesë me lirimin e menjëhershëm të pengjeve që mbahen nga Hamasi që nga sulmi ndaj Izraelit në tetor 2023.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi me 14 vota pro dhe 1 kundër për projekt-rezolutën e propozuar nga 10 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit prej 15 anëtarësh, por ajo nuk u miratua për shkak të vetos së SHBA-së.

Dokumenti i paraqitur për votim “kërkonte një armëpushim të menjëhershëm, të pakushtëzuar dhe të përhershëm që të respektohej nga të gjitha palët, dhe më tej përsëriste kërkesën e saj për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”.

"Shtetet e Bashkuara punuan për javë të tëra në mirëbesim për ta shmangur këtë rezultat," tha zëvendës ambasadori amerikan në OKB, Robert Wood pas votimit. “E bëmë të qartë gjatë negociatave; nuk mund të mbështesim një armëpushim të pakushtëzuar që dështoi në lirimin e pengjeve, sepse, siç ka kërkuar më parë ky këshill, një fund i qëndrueshëm i luftës duhet të vijë me lirimin e pengjeve. Këto dy synime urgjente janë të lidhura pazgjidhshmërisht”.

Robert Wood
Robert Wood

Vetoja e Shteteve të Bashkuara ishte e katërta për Gazën, që nga fillimi i luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit 14 muaj më parë.

Teksti u hartua dhe u parashtrua nga 10 vendet anëtare të zgjedhura në Këshillin e Sigurimit, të cilët kanë shprehur zhgënjimin në rritje gjatë muajve të fundit për paaftësinë e këshillit për të ndërmarrë veprime vendimtare për t'i dhënë fund luftës dhe për të çliruar pengjet e mbajtura nga Hamasi.

Zoti Wood tha se rezoluta e propozuar “do të kishte dërguar një mesazh të rrezikshëm për Hamasin: nuk ka nevojë të riktheheni në tryezën e bisedimeve”.

Ndryshe nga pesë anëtarët e përhershëm – SHBA, Rusia, Kina, Britania dhe Franca – anëtarët e zgjedhur nuk kanë të drejtë vetoje.

Në qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën e tij të parë mbi një plan armëpushimi që synonte t'i jepte fund luftës midis Izraelit dhe Hamasit.

Rezoluta e mbështetur nga SHBA-ja përshëndeste një propozim armëpushimi të shpallur nga Presidenti Joe Biden që Shtetet e Bashkuara thanë se Izraeli e kishte pranuar.

Aty i bëhej thirrje grupit palestinez Hamas, që konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara që të pranonte një plan me tre faza – por lufta ka vazhduar.

XS
SM
MD
LG