Udhëheqësit e 20 ekonomive më të mëdha në botë, G20, mbyllën takimin e nivelit të lartë dy ditor në Brazil, përmes një deklarate ku mbështesnin përparësitë e vendeve në zhvillim për t’u përballur me sfidat e ndryshimeve klimatike, uljen e varfërisë dhe vendosjen e taksave për të miliarderët.
Deklarata përfundimtare nuk përmbante një qëndrim me një gjuhë aq të fortë sa kishin pritur Shtetet e Bashkuara lidhur me Ukrainën dhe Gazën.
Korrespodentja e Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë Patsy Widakuswara njofton nga Rio De Janeiro.
Si mikrpritës i takimit të nivelit të lartë të 20 ekonomive më të mëdha të botës, G20, Brazili i përqëndroi pjesëmarrësit tek përparësite të ashtuquajturit Jugut Global, që përfshin vendet në zhvillim, plus Rusinë dhe Kinën.
Globalizmi ka dështuar, tha Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva.
“Mes sfidave në rritje komuniteti ndërkombëtar duket se është përqëndruar më shumë tek mosmarrëveshjet se kush udhëheq. Duket sikur na ka vënë përpara lumi dhe që po na çon drejt tragjedisë ”, tha ai.
Përmes një dekaratë të përbashkët, vendet e G20 nënvizuan nevojën për të ngadalësuar ngrohjen globale, për tkurrjen e varfërisë dhe për vendosjen e një takse globale për miliarderët.
Në deklaratë po ashtu bëhej thirrje për zgjerimin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara përtej 5 anëtarëve të përhershëm aktualë.
Po ashtu, bëhej thirrje për armëpushim në Gazë dhe Libian dhe për t’i hapur udhë një zgjidhjeje me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët, por në deklaratë nuk përmendej e drejta e Izraelit për t’u mbrojtur, një linjë që Presidenti Biden e ka nxitur në takime të ndryshme botërore.
“U kërkoj të gjthëve këtu që të nxisin trysninë ndaj Hamasit, i cili aktualisht po e refuzon marrëveshjen”, tha Presidenti Joe Biden.
Në takimin e nivelit të lartë të vitit të shkuar, udhëheqësit e G20 nënvizuan vuajtjet njerëzore dhe ndikimin ekonomik të luftës në Ukrainë, por pa dënuar Rusinë.
Lufta po përshkallëzohet ndërsa Ukraina nisi përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për të goditur brenda territorit rus. Kievi akuzon G20 se ka dështuar të veprojë.
“Vendet e G20 u mblodhën në Brazil A thanë ndonjë gjë? Asgjë. Asgjë të fortë. Pra cila mund të jetë strategjia kur edhe vendet e G20 nuk kanë ndonjë strategji të fortë”, tha Volodymyr Zelenskyy, Presidenti i Ukrainës.
Ndërsa pritet të vijë në krye adminsitrata e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, mbështetja për Ukrainën është në mendimet e shumë udhëheqësve.
Presidenti i zgjedhur Trump e ka kritikuar dërgimin e ndihmës për Kievin.
Gjatë takimit mes tyre, Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe homologu i tij brazilin nënvizuan nevojën urgjente për të trajtuar krizën klimatike, një tjetër çështje për të cilën ka pasiguri. Presidenti i zgjedhur Trump është shprehur vazhdimisht se çështja e ndryshimeve klimatike është një mashtrim.
Brazili ia kaloi Presidencën e G20 Afrikës së Jugut.