Lidhje

Burimet: I dërguari amerikan në Bejrut, përpjekje për armëpushim


Burime libaneze bënë të ditur se i dërguari amerikan Amos Hochstein do të vizitojë të martën Libanin për bisedime për një armëpushim mes Izraelit dhe Hezbollahut. Bejruti është shprehur pozitivisht mbi përpjekjet e Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës, por ka kërkuar ndryshime në mënyrën se si do të monitorohej armëpushimi, tha një zyrtar i lartë libanez.

Vizita e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, është njoftuar nga disa burime libaneze, por ende nuk është konfirmuar nga Uashingtoni. Bisedimet pritet të bazohet në një propozim amerikan për armëpushim, paraqitur Libanit javën e kaluar.

Përpjekjet amerikane për armëpushim janë kthyer në qendër të vëmendjes pasi aleati i tij Izraeli, ka intensifikuar ofensivën ndaj Libanit.

Si pasojë e sulmeve izraelite ndaj dy lagjeve të Bejrutit të dielën, u vranë gjashtë persona, përfshirë të paktën një zyrtar të lartë të Hezbollahut. Kjo shënoi herën e parë që Izraeli godet zonat qendrore të kryeqytetit në më shumë se pesë javë.

Një zyrtar i dytë libanez tha se për disa pika të propozimit amerikan është rënë dakord dhe disa të tjera do të diskutohen të martën me zotin Hochstein.

Të dy zyrtarët libanezë folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë që paraqet çështja.

Fuqitë botërore thonë se një armëpushim në Liban duhet të bazohet në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas kushteve të këtij armëpushimi, Hezbollahu i mbështetur nga Irani duket të zhvendosë armatimet dhe luftëtarët, në veri të lumit Litani, rreth 30 km larg kufirit me Izraelin.

Prej fillimit të një ofensive kundër grupit militant në shtator, Izraeli i ka dhënë goditje të mëdha Hezbollahut, duke vrarë dhe udhëheqësin e tij, Sayyed Hassan Nasrallah.

Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë raketa drejt pjesës veriore të Izraelit, ku edhe sot u dëgjuan sirenat e alarmit për sulme.

Hezbollahu i dërgoi vërejtjet e tij kryetarit të parlamentit libanez Nabih Berri lidhur me propozimin amerikan, ku shprehej se nuk do ta pengonte një armëpushim, tha zyrtari i lartë libanez.

Libani është shprehur kundër një propozimi për të zgjeruar përbërjen e një komisioni monitorues të armëpushimit, duke përfshirë ndoshta Gjermaninë ose Britaninë.

Izraeli është ankuar prej kohësh se Rezoluta 1701 nuk është zbatuar kurrë siç duhet, duke vënë në dukje praninë e luftëtarëve dhe armatimeve të Hezbollahut dhe përgjatë kufirit.

Libani thotë se Izraeli e ka shkelur atë duke fluturuar rregullisht në hapësirën e tij ajrore.

Zoti Berri, që ka mbështetjen e Hezbollahut për të negociuar, i tha gazetës Asharq al-Awsat të premten se po zhvilloheshin diskutime rreth atij që e quajti "propozim për një mekanizm alternativ (monitorimi)".

"Ne nuk do ta mbështesim një gjë të tillë", tha ai, duke shtuar se ekzistonte një "mekanizëm i qartë" që mund të aktivizohej, duke iu referuar paqeruajtësve të OKB-së.

Ai tha se propozimi nuk i jep liri Izraelit të veprojë nëse Hezbollahu shkel marrëveshjen - një kërkesë kjo izraelite e refuzuar nga Libani.

Duke folur pas takimit me kryeministrin Najib Mikati, ligjvënësi Simon Abi Ramia u shfaq optimist, duke thënë se Libani ishte në prag të një armëpushimi, nëse nuk do të ndodhte ndonjë "manovër nga ana e Izraelit", siç shprehej në një njoftim zyra e kryeministrit.

XS
SM
MD
LG