Një raport i Qendrës së Kosovës për Studime të Sigurisë thekson se Rusia përmes mediave të saj përhap rrëfime që e paraqesin Kosovën si shtet të dështuar e të paqëndrueshëm.
Në raportin e hartuar në bashkëpunim me zyrën e fondacionit Konrad Adenauer me titull “Kosova në diskursin e politikës së jashtme ruse”, theksohet se qëllimet kryesore të Rusisë mbeten nxitja e paqëndrueshmërisë në Kosovë dhe kundërvënia ndaj integrimit euroatlantik.
“Për Rusinë, Kosova është më shumë se një çështje territoriale. Në të vërtetë, është në fakt një simbol gjeopolitik i rezistencës ndaj integrimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor në rendin global të udhëhequr nga perëndimi. Atë që bën Rusia që e dëmton më shumë Kosovën është se ajo përpiqet të thyejë konsensusin ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës dhe për shtetësinë e Kosovës, gjë që është bërë më së shumti përmes propagandës”, tha Jeta Loshaj, një nga autoret e raportit.
Në raport thuhet se janë analizuar mbi 34 mijë fjalë që janë nxjerrë nga mbi 100 deklarata zyrtare, fjalime, intervista dhe tekste të tjera nga ministria e Punëve të Jashtme Ruse.
“Përderisa nuk ka prezencë diplomatike, ekonomike apo politike të Rusisë në Kosovë, ka një mënyrë që Rusia e ka shënjestëruar Kosovën dhe kjo është pasoja që Kosova ka paguar si rezultat i armiqësisë ruse dhe kjo përmes diskursit të politikës së jashtme”, tha zonja Loshaj.
Sipas raportit, rrëfimet kryesore të dezinformimit rus kanë të bëjnë me paraqitjen e Kosovës si vend të dështuar, se ndërhyrja perëndimore është bërë për interesa vetjake dhe se perëndimi po përdor Kosovën për të zgjeruar ndikimin dhe për të izoluar Serbinë.
Sipas raportit, Rusia përfiton nga lidhjet e thella kulturore, fetare dhe politike me Serbinë për të ruajtur ndikimin në Ballkan, duke shfrytëzuar lidhjet me Kishën Ortodokse Serbe dhe me politikanë serbë në dëm të Kosovës.
Në raport theksohet se Rusia është duke dëmtuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi një normalizim i tillë do t’i jepte goditje të fortë ndikimit të Rusisë si në Serbi ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Hajdi Xhixha, dekane e fakultetit të shkencave politike në kolegjin UBT në Prishtinë tha se Kosova duhet të ndërtojë një strategji efektive të kundërvëbies ndaj ndikimit rus.
“Duhet të kemi parasysh se Kosova duhet të jetë e vetëdijshme se pozicioni i Rusisë nuk ka gjasa të ndryshojë duke pasur parasysh strategjinë e saj më të gjerë për të kundërshtuar zgjerimin e NATO-s dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Kjo do të thotë se Kosova nuk mund të mbështetet në asnjë ndryshim diplomatik nga Rusia në të ardhmen e afërt”, tha ajo duke nënvizuar se nëse marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë përmirësohen, mund të ketë një zhvendosje drejt zvogëlimit të paqëndrueshmërisë në rajon dhe ku mund të përfitojë edhe Kosova.
Lulzim Peci nga Instituti për Hartimin e Politikave KIPRED tha se Kosova ka kapacitete institucionale për t'u marrë me dezinformatat ruse por sipas tij problem është mungesa e bashkërendimit të institucioneve të shtetit.
“Ne nuk kemi një njësi, një task-forcë që do të merret me të, e cila do të vendosë në një vend të gjitha institucionet e vendit për t'u marrë me Rusinë apo me operacione informative keqdashëse dhe nga aktorë të tjerë. Dhe kjo nuk është e vështirë për t'u bërë. Ne i kemi të gjitha burimet, por nuk kemi bashkërendim”, tha ai.
Sipas raportit, situata në veri të Kosovës dhe tensionet në atë pjesë të vendit, i mundësojnë Rusisë të përforcojë deklaratat, duke e paraqitur Kosovën si shtet të dobët dhe të brishtë.
Dezinformimi rus, thuhet në raport, ka pasur sukses të kufizuar në ndryshimin e opinionit publik në Kosovë, ku ndjenjat pro-perëndimore mbeten të forta. Megjithatë, në Serbi dhe në rajonet me shumicë serbe të Kosovës, këto fushata kanë pasur ndikim më domethënës.