Lidhje

Refugjatët ukrainas, viktima të uraganit Helene në Karolinën e Veriut


Anna Wiebe u zhvendos në Shtetet e Bashkuara nga Ukraina 25 vjet më parë. Pas fillimit të agresionit rus në vitin 2022, katër nga të afërmit e saj në Ukrainë u larguan nga vendi dhe iu bashkuan asaj. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Rafael Saakov, ata u vendosën në Karolinën e Veriut, shtet i cili u godit rëndë nga uragani Helene disa muaj më parë.

Refugjatët ukrainas, viktima të uraganit Helene në Karolinën e Veriut
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:30 0:00


“Këtu mbillnim kunguj, borzilok, hudhra dhe shumë lloje të ndryshme erëzash dhe zarzavate. Madje edhe patate.”

Ana Wiebe, me origjinë nga Ukraina, ka jetuar në Karolinën e Veriut për më shumë se 20 vjet. Pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, nëna, motra e saj bashkë me djalin dhe bashkëshortin erdhën të jetonin me të.

Por kur uragani Helene shkaktoi përmbytje masive në fund të shtatorit, pjesëtarë të familjes ukrainase ishin në mesin e mbi 100 banorëve që humbën jetën në Karolinën e Veriut.

“Rrëke të mëdha uji vinin nga të gjitha anët. Ishte e pamundur që ata të futeshin në pyll. Bëmë përpjekje por niveli i ujit ishte i lartë. Nuk shihja shtëpinë, do ta kisha parë po të ishte aty. U ndjeva e mpirë. E kuptova që i ka marrë përmbytja”, tregon për Zërin e Amerikës, banorja Anna Wiebe.

Banesa ku jetonin ata gjendej në bregun e lumit “South Toe” derisa përmbytja e mori me vete.

“Këtu ka përmbytje dhe banesa ishte ngritur me blloqe betoni 1.5 metra mbi tokë. Ishte një vend i bukur, po jo më”, tregon zonja Wiebe.

Grupet e kërkimit gjetën trupat e motrës së saj 42 vjeçare dhe bashkëshortit të saj. Ndërsa trupi i nënës së sëmurë 73 vjeçare, të mbetur në shtrat dhe nipit 13 vjeçar, nuk u gjetën kurrë.

“Jam e trishtuar sepse ata ikën nga Khersoni në Ukrainë dhe kaluan vështirësi të mëdha për të arritur këtu. Shumë njerëz i ndihmuan ata rrugës por unë nuk munda t’i mbaja të sigurt këtu, ndoshta është faji im”.

Kati i parë i shtëpisë u përmbyt plotësisht, u thyen dritaret dhe një mur u shemb nga uji i rrëmbyer. Ndërsa përpiqeshin të shpëtonin nga përmbytjet, ajo mendonte për nënën dhe familjen e motrës, por telefonat nuk punonin. Ajo kujton se si nëna i kishte kërkuar që trupi i saj të prehej në Ukrainë.

“Kohët e fundit mamaja kishte mbetur në shtrat dhe më tha se kur të ndërronte jetë, hiri i trupit të saj të hidhej pak këtu dhe pjesa tjetër në Ukrainë”.

Sipas vlerësimeve, stuhia ka shkaktuar dëme që kapin vlerën e mbi 50 miliardë dollarëve në të gjithë shtetin. Zonja Wiebe shpreson për ndihmë dhe ka hapur një faqe interneti ku kërkon ndihmë për rindërtimin e shtëpisë së saj. Deri tani ka mbledhur mbi 44,000 dollarë... por asgjë nuk do ta kthejë familjen e saj.

XS
SM
MD
LG