Lidhje

Dronët ukrainas godasin Moskën, sulmi më i madh ndaj kryeqytetit rus


Arkivë
Arkivë

Ukraina sulmoi Moskën të dielën me të paktën 34 dronë, sulmi më i madh i këtij lloji ndaj kryeqytetit rus që nga fillimi i luftës në vitin 2022. Sulmi shkaktoi një të plagosur ndërsa detyroi fluturimet që të shmangin tre aeroportet kryesore të Moskës.

Mbrojtja ajrore ruse shkatërroi 36 dronë mbi rajone të tjera në pjesën perëndimore të Rusisë gjatë valës së sulmeve që zgjatën tre orë të dielën, tha Ministria e Mbrojtjes.

“Një përpjekje e regjimit të Kievit për të kryer sulm terrorist duke përdorur një dron të tipit aeroplan në territorin e Federatës Ruse u pengua”, tha ministria.

Agjencia federale e transportit ajror të Rusisë tha se aeroportet Domodedovo, Sheremetyevo dhe Zhukovsky devijuan të paktën 36 fluturime, por më pas rifilluan funksionimin. Njoftohet për një të plagosur në zonën e Moskës.

Moska dhe rajoni i saj, me një popullsi prej të paktën 21 milionë banorësh, është një nga zonat më të mëdha metropolitane në Evropë, krahas Stambollit.

Ndërkohë, Rusia lëshoi një numër rekord dronësh,145 të tillë gjatë natës, njoftoi Ukraina. Kievi tha se mbrojtja ajrore rrëzoi 62 prej tyre. Ukraina tha gjithashtu se sulmoi një depo armësh në rajonin Bryansk të Rusisë. Moska njoftoi se 14 dronë ishin rrëzuar në rajonin në fjalë.

Lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në atë që disa zyrtarë thonë se mund të jetë akti i saj përfundimtar pasi forcat e Moskës përparuan me ritmin më të shpejtë që nga ditët e para të luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara do të kenë një president të ri në janar të vitit që vjen.

Republikani Donald Trump, i cili do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ka thënë gjatë fushatës së tij se ai mund të sjellë paqen në Ukrainë brenda 24 orësh, por nuk ka dhënë detaje se si mund ta realizonte këtë objektiv.

Sidoqoftë, Moska ka thënë se është e gatshme të dëgjojë planin amerikan për t’i dhënë fund konfliktit.

Sipas njoftimeve të medias, kur Presidenti Volodymyr Zelenskiy i telefonoi zotit Trump për ta uruar për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale, në telefon me presidentin e zgjedhur ishte edhe shefi i firmës Tesla, Elon Musk. Zoti Musk zotëron gjithashtu firmën SpaceX, e cila ofron shërbime të komunikimit satelitor Starlink që janë jetike në përpjekjet e Ukrainës për mbrojtjen e vendit.

XS
SM
MD
LG