Lidhje

Italia sjell në Shëngjin, grupin e dytë të migrantëve


Anija italiane Libra, e cila solli në Shëngjin, grupin e dytë prej 8 migrantësh
Anija italiane Libra, e cila solli në Shëngjin, grupin e dytë prej 8 migrantësh

Në Shqipëri, në Portin e Shëngjinit, mbërriti të premten, grupi i dytë i emigrantëve të cilët pritet të qëndrojnë në kampin e Gjadrit të ngritur nga qeveria italiane. Në mëngjes, ata zbritën nga anija ushtarake italiane “Libra”, për t’u shoqëruar më pas në qendrën e ngritur brenda portit, ku i janë nështruar vizitave mjekësore dhe procedurave të identifikimit. Bëhet fjalë për 5 egjiptianë dhe 3 qytetarë nga Bangladeshi, të cilët u kapën në det nga autoritetet italiane 4 ditë më parë.

Përpjekja e kryeministres Giorgia Meloni, për të frenuar fenomenin e emigracionit, përmes një marrëveshjeje që ajo nënshkroi një vit më parë me kryeministrin Edi Rama, mori një goditje pak javë më parë, pasi gjykata e Romës hodhi poshtë vendimin për ndalimin e 12 emigrantëve të parë të cilët u dërguan në Shqipëri, për t’u mbajtur në kampin e Gjadrin, në pritje të përgjigjes për kërkesën për azil. Gjykata, në interpretim dhe të një vendimi të mëparshëm të Gjykatës europiane të Drejtësisë europiane argumentoi se ata nuk mund të kthehen në vendet e origjinës, në Bangladesh apo Egjipt, pasi ato vende nuk konsiderohen të sigurta.

Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në kampin e Gjadrit në Shqipëri, do të duhet të mbahen, vetëm migrantë nga vende të konsideruara të sigurta, sipas një liste prej 22 shtetesh, të hartuar nga ministria e jashtme italiane. Për të forcuar pozitat përballë gjykatave, qeveria italiane u përgjigj duke miratuar menjëherë, pak ditë më pas, një ligj të posaçëm, i cili parashikonte listën e vendeve të sigurta, e reduktuar tanimë në 19 shtete.

Por pavarësisht kësaj, në katër raste të tjera gjykatat në Romë, Bolonja, Catania e pak ditë më parë dhe në Palermo, kanë kundërshtuar mbajtjen në qendra pritjeje të disa rasteve emigrantësh. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i radhës i Gjykatës së Romës, me gjasë brenda të dielës së ardhshme, për migrantët e mbërritur të premten në Shëngjin, nga të cilët, njëri do të kthehet sërish pas për t’u dërguar në Itali, për shkak të problemeve shëndetësore.

XS
SM
MD
LG