Qëndrimi i Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan shpesh bie ndesh me udhëheqësit perëndimorë. Por ai nuk e fsheh se gjatë mandatit të partë të Presidentit Trump ai kishte marrëdhënie të ngrohta me të. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones, analistët thonë se udhëheqësi turk po i shikon lidhjet e vjetra me zotin Trump si një mundësi për t’u dhënë fund konflikteve rajonale, por edhe për të kërkuar një mbështetje më të madhe amerikane në ballafaqimin e Turqisë me separatistët kurdë.
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kishte marrëdhënie të ngrohta me Presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, gjatë mandatit të parë të udhëheqësit amerikan. Fitorja e republikanit Trump, thonë analistët, përbën një mundësi për udhëheqësin turk.
Zëri i Amerikës bisedoi me profesorin Mesut Casin të Universitetit Yeditepe në Stamboll, i cili gjithashtu është këshilltar presidencial.
“Dy udhëheqësit karizmatik do të hapin rrugë të reja, duke hapur mundësi të reja, jo vetëm në Turqi, por midis NATO-s, veçanërisht midis Rusisë. Sipas mendimit tim, nëse vazhdon kështu, Turqia dhe Amerika mund ta ndalojnë luftën e Rusisë dhe Ukrainës”.
Zoti Erdogan ka kërkuar të luajë një rol në përfundimin e luftës, duke patur parasysh lidhjet e tij të ngushta me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe afërsinë e debatueshme me Vladimir Putinin, një marrëdhënie që ka shkaktuar kritika nga partnerët e Turqisë në NATO.
Zoti Trump premtoi gjatë fushatës se do t’i jepte fund menjëherë luftës në Ukrainë. Analistët thonë se ky qëllim mund të përputhet me synimet e Presidentit Erdogan për t’i dhënë fund konfliktit dhe për t'u vlerësuar si një ndërmjetës i rëndësishëm. Asli Aydintasbas është analiste në Institutin Brookings në Uashington.
“Trumpi do të kërkojë që të ketë negociata për luftën Rusi-Ukrainë. Turqia e ka preferuar këtë gjithmonë. Me të vërtetë, Presidenti Erdogan dëshiron të luajë një rol kyç në organizimin e negociatave të mundshme, por përtej kësaj, të luajë një lloj roli lehtësues”.
Një përparësi kyçe për zotin Erdogan, thonë analistët, do të jetë që të bind administratën e ardhshme të Presidentit Trump për t’i dhënë fund mbështetjes amerikane për forcat kurde, të njohura si YPG, të cilat po luftojnë në Siri kundër grupit terrorist “Shteti Islamik”.
Ankaraja e akuzon grupin YPG për lidhje me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, e cila lufton kundër qeverisë turke në juglindje të vendit.
Aydin Selcen ka qenë diplomat i lartë turk dhe ka shërbyer në rajon.
“Erdogani mendon se edhe Trumpi, si ai, është një udhëheqës pragmatik, ndaj duke lënë mënjanë parimet apo qëndrime të tjera, të dyja palët mund të arrijnë një marrëveshje duke shkëmbyer diçka mes të dyve”.
Analistët thonë se lufta e Izraelit kundër Hamasit dhe Hezbollahut përbën një kërcënim në marrëdhëniet mes udhëheqësve Erdogan dhe Trump. Zoti Trump është mbështetës i vendosur i Izraelit, ndërsa zoti Erdogan mbështet palestinezët.
Murat Aslan është me Fondacionin SETA për Kërkime Politike, Ekonomike dhe Sociale, një institut turk pro-qeveritar.
“Edhe pse Trumpi po fliste pozitivisht në favor të Erdoganit, a mund të mbështeteni tek ai? Për shembull, çfarë ndodh nëse ekziston një përshkallëzim në Lindjen e Mesme? Në rastin e polarizimit mes Turqisë dhe Izraelit, duke patur parasysh qëndrimin e Trumpit, është shumë e qartë se administrata e tij do ta kërcënonte Turqinë”.
Ndërsa analistët thonë se zoti Erdogan sheh mundësi tek një mandat i dytë i republikanit Trump, të njëjtët analistë thonë se elementët e shumtë në këtë çështje nënkuptojnë se mundësia nuk vjen pa rreziqe.