Lidhje

BE-ja, Koreja e Jugut kërkojnë largimin e trupave koreano-veriore nga Rusia


Koreja e Jugut dhe Bashkimi Evropian dënuan furnizimin e Moskës me armë nga Koreja e Veriut dhe kërkuan largimin e trupave të Koresë komuniste nga Rusia.

Blloku evropian dhe Koreja e Jugut mbajtën takimin e parë të “Dialogut Strategjik” në Seul, pak kohë pasi Uashingtoni dhe Koreja e Jugut njoftuan se Pheniani kishte dërguar ushtarë për të ndihmuar Rusinë në luftën e saj me Ukrainën.

Në një deklaratë të përbashkët, shefi i politikës së jashtme të bllokut Josep Borrell dhe ministri i jashtëm koreano-jugor Cho Tae-yul, dënuan “transferimin e paligjshëm të armëve për në Federatën Ruse për tu përdorur në sulmin e saj ndaj Ukrainës”.

Ata kërkuan dhënien fund të “bashkëpunimit të paligjshëm ushtarak” dhe tërheqjen e forcave koreano veriore. Zoti Borrell gjithashtu u takua edhe me ministrin koreano jugor të mbrojtjes, Kim Yong-hyun.

“Agresioni rus kundër Ukrainës është një kërcënim ekzistencial”, tha zoti Borrell në një publikim që bëri në rrjetin social X krahas një fotografie ku ai shihet duke shtrënguar duart me zotin Kim.

“Republika e Koresë është në gjendje ta kuptojë këtë më së miri. Ne jemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës. Unë iu kërkova që ta rrisin këtë mbështetje”.

Blloku evropian dhe Seuli nënshkruan një partneritet në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen që mbulon 15 fusha duke përfshirë atë të sigurisë kibernetike.

Javën e kaluar, kur u pyet nëse Seuli do t’i dërgonte armë Ukrainës si kundërpërgjigje ndaj ndihmave që Koreja Veriore po i jep Rusisë ministri i jashtëm Cho tha se të gjithë skenarët janë duke u shqyrtuar.

Koreja e Jugut i ka dërguar Ukrainës ndihma jo ushtarake si pajisje për pastrimin e fushave të minuara, por nuk ka pranuar të dërgojë armë.

Seuli pret që Koreja e Veriut të shpërblehet nga Moska duke i dërguar Phenianit pajisje teknologjike, përfshirë ato ushtarake ndërsa Koreja komuniste vazhdon përpjekjet që të përmirësojë aftësitë e saj ushtarake.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se Uashingtoni mendon se trupat koreano-veriore, të dislokuara në rajonin rus Kursk, pjesë të të cilit janë marrë nën kontroll nga Ukraina, do të përfshihen së shpejti në luftime kundër forcave të Kievit.

Gjatë një vizite në Moskë, të premten, ministrja e jashtme e Koresë së Veriut Choe Son Hui tha se vendi i saj do ta ndihmonte Rusinë derisa të fitonte luftën në Ukrainë.



XS
SM
MD
LG