Lidhje

Hjustoni, qyteti i madh më i larmishëm në SHBA


American flag
American flag

Kur njerëzit mendojnë për shtetin amerikan të Teksasit, shpesh kanë parasysh kaubojtë me kapele të mëdha dhe çizme me majë. Por Teksasi është shumë më tepër se burrat që veshin pantallona lëkure. Një studim zbuloi se qyteti i tij më i madh, Hjustoni, është qyteti i madh më i larmishëm në Shtetet e Bashkuara, siç mund të vihet re në restorantet e tij të shumta dhe historitë e emigrantëve pas tyre. Korrespodentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee na tregon më shumë mbi qytetin.

Hjustoni, qyteti i madh më i larmishëm në SHBA
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:08 0:00

Amy Satsady dhe familja e saj sollën aromat e Laosit dhe Tajlandës Verilindore në Hjuston të Teksasit, një qytet që e befasoi atë.

“Vë bast që të gjithë e përfytyrojnë Teksasin si vend i kaubojve, bagëtive dhe fermave. Kështu mendoja unë, të paktën.”

Zonja Satsady, e cila erdhi nga Filadelfia e Pensilvanisë, zbuloi se Hjustoni ishte një qytet imigrantësh.

Ajo dhe i vëllai ndihmojnë në restorantin në pronësi të nënës së tyre, Chomsy Saysane, e cila di të gatuajë shumë mirë ushqimet tradicionale të Laosit dhe rajonit Isaan të Tajlandës verilindore, vende ku ajo u rrit.

"Gjatë Luftës së Vietnamit ne qëndruam në Laos deri në vitin 1979. Dhe në fund u transferuam në Tajlandë."

Më pas erdhi në SHBA me bashkëshortin. E kujton si sot se si u ndje.

“O Zot, nuk e kisha idenë. Do të shkoja në një botë tjetër, në vend tjetër, me një tjetër sitil jetese. Është sikur t’ia nisësh nga e para. Mendoja ndoshta nuk kanë oriz për të ngrënë. Thosha, mos duhet të marr me vete orizin vendas për të gatuar”?, kujton ajo.

Pasi jetoi në disa shtete amerikane, zonja Saysane u zhvendos në Hjuston, aty ku përbërësit aziatikë janë me bollëk. Disa njerëz që jetojnë atje thonë se ushqimi i larmishëm është arsyeja kryesore që e bën qytetin tërheqës.

“Nëse shkoni në një vend të huaj, dëshironi një vend që ka njerëz që flasin gjuhën tuaj dhe ku mund të blini ushqimin tuaj, dhe Hjustoni i ka të gjitha këto”, thotë Tracy Xavia Karner nga Universitieti i Hjustonit.

Ajo që i nxit emigrantët të shkojnë në Hjuston është kostoja e ulët e jetesës dhe shumëllojshmëria e punëve, në fusha që variojnë nga sektori i energjisë në fushën e mjekësisë.

Kompania financiare WalletHub analizoi të dhënat e qeverisë dhe shpalli Hjustonin si qytetin e madh më të larmishëm në Shtetet e Bashkuara në vitin 2024.

“Qyteti renditet lart në një sërë treguesish mbi larmishmërinë, duke përfshirë diversitetin arsimor, gjuhësor, industrial dhe atë fetar."

Zonja Saysane thotë se qyteti ka ndryshuar shumë që nga koha kur ajo u zhvendos atje në 1985.

“Atëherë nuk kishim shumë zgjedhje. Tani po”.

Si shumë emigrantë, zonja Saysane hapi një restorant me ndihmën e familjes. Djali i saj Alan Ortiz kujton se gatimet e së ëmës kanë shoqëruar fëmijërinë e tij.

“Ajo na gatuante oriz, siç gatuhet tradicionalisht në Laos. Ajo na tregonte dashurinë përmes ushqimit", shprehet ai.

Tani ajo gatuan për ata që duan të provojnë ushqimet e bëra nga familja e saj.

Menaxhimi i një restoranti me familjen nuk ka qenë përherë diçka e lehtë.

“Në fund ajo që ka rëndësi është se e duam njëri tjetrin. Nuk do punonim me njeri tjetër veç saj sepse po ashtu kalojmë mire”.

Ndërsa ata kalojnë këndshëm me njëri tjetrin, në të njëjtën kohë bëjnë të mundur që qyteti të ketë më shumë larmi në ushqim dhe kulturë.

XS
SM
MD
LG