Ekipet e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut janë shpërndarë në disa nga qendrat më të rëndësishme në Shqipëri në përpjekje për të shtuar sasitë e grumbullimit të gjakut, por edhe për të rritur ndërgjegjësimin e komuniteteve lokale për nevojën e dhurimit vullnetar.
Prej disa vitesh, Shqipëria plotëson nevojat e shërbimit spitalor me gjak nga dhurimet vullnetare dhe ato familjare.
Por, sipas mjekes transfuziologe Silva Rista, gjatë muajve të verës, fluksi i madh i turistëve që po vizitojnë vendin, rritja e numrit të aksidenteve rrugore dhe ndërhyrjeve kirurgjikale, kanë vënë në vështirësi Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut.
“Jemi gjetur në vështirësi, por falë thirrjeve që u janë bërë vullnetarëve kemi arritur t’i plotësojmë kërkesat që na vijnë si nga spitalet shtetërore, ashtu edhe prej spitaleve rajonale. Jemi në ndihmë jo vetëm të Tiranës, por të gjitha spitaleve”.
Sipas INSTAT, nga janari deri në shtator, në Shqipëri u regjistruan 1228 aksidente rrugore nga 863 që ishin një vit më parë, ndërsa numri i të plagosurve dhe të vdekurve në këto aksidente arriti në 1689, ose 500 më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023.
Megjithatë, po sipas këtij burimi, vdekshmëria nga 16.1 për 100 aksidente rrugore, zbriti në 9,3. Në rastet e të aksidentuarve, një pjesë e madhe patën nevojë të menjëhershme për gjak.
Por në rritje janë edhe ndërhyrjet kururgjikale si dhe të sëmurët talasemikë, të cilët kërkojnë transfuzion të herëpashershëm të gjakut, thotë mjekja Rista.
“Numri i talasemikëve është diku rreth 800 persona që janë të shpërndarë në Shqipëri. Pjesa më e madhe janë në Tiranë dhe Lushnje, ku janë bankat më të mëdha të gjakut, të cilat edhe bëjnë tërheqjen e gjakut. Të sëmurët talasemikë marrin gjak çdo javë, ose çdo 10 ditë, në varësi edhe të problematikave të tjera shendetësore që kanë. Kërkesat vijnë gjithnjë në rritje, pasi me rritjen e moshës rritet edhe kërkesa dhe nevoja që ata kanë për gjak për të plotësuar përditshmërinë e tyre dhe për të bërë një jetë sa më normale”.
Kryqi i Kuq Shqiptar, thotë koordinatorja Vera Gjinaj, mbështet prej vitesh Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut si në fushatën ndërgjegjësuese, ashtu edhe për dhurimin vullnetar të gjakut.
“Grupi më aktiv janë studentët, kryesisht studentët e infermierisë pasi, duke qenë pranë njerëzve në nevojë janë edhe më të ndjeshëm, kanë edhe më shumë informacion. Ne tentojmë vazhdimisht që këtë informacion t’a shpërndajmë edhe tek persona të tjerë dhe jo vetëm tek studentët tanë, sepse nevojat për gjak janë të mëdha dhe të vazhdueshme”.
Janë të përditshme nevojat e qendrave spitalore në Shqipëri për gjak, ndaj laborantja e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Shpresa Germeni, apelon për rritjen e numrit të dhuruesve.
Gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri ka ardhur duke u rritur numri i dhurimeve të gjakut. Kështu, në vitin 2022 numri i dhurimeve arriti në rreth 35.500, ndërsa në vitin 2023 ky tregues shkoi në rreth 37.000, ose 1500 dhurime gjaku më shumë. Megjithatë, mjekët thonë se numri i dhurimeve të gjakut, duhet të rritet edhe më shumë, pasi nga viti në vit po shtohen edhe nevojat e pacientëve për gjak.