KAZAN, Rusi - Presidenti rus Vladimir Putin kryesoi të enjten sesionin përmbyllës të takimit të nivelit të lartë të grupit BRICS të vendeve me ekonomi në zhvillim, duke përshëndetur rolin e kësaj organizate si një kundërpeshë ndaj Perëndimit.
Takimi treditor i nivelit të lartë në qytetin e Kazanit kishte për tematikë thellimin e bashkëpunimit financiar, përfshirë zhvillimin e alternativave ndaj sistemeve të pagesave të dominuara nga perëndimi, si dhe zgjidhjen e konflikteve rajonale dhe zgjerimin e grupit të vendeve BRICS.
Aleanca që fillimisht përfshinte Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut është zgjeruar edhe me Iranin, Egjiptin, Etiopinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite. Turqia, Azerbajxhani dhe Malajzia kanë aplikuar zyrtarisht dhe disa vende të tjera kanë shprehur interesimin për t’u anëtarësuar.
Duke folur gjatë sesionit të së enjtes, ku përfshiheshin vendet që mund t'i bashkohen kësaj organizate, Presidenti rus Putin tha se të gjithë "ndajnë aspirata dhe vlera të ngjashme dhe vizionin për një rend të ri demokratik global".
Në takimin e nivelit të lartë morën pjesë 36 vende, në një aktivitet që synoi të nxjerrë në pah dështimin e përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për ta izoluar Rusinë për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Kremlini e cilësoi takimin e nivelit të lartë si "aktiviteti më i madh i politikës së jashtme të mbajtur ndonjëherë" nga Rusia.
Rusia ka nxitur në mënyrë specifike krijimin e një sistemi të ri pagesash që do të ofronte një alternativë ndaj rrjetit global të mesazheve bankare SWIFT dhe do t’i mundësonte Moskës të shmangte sanksionet perëndimore dhe të bënte tregti me partnerët.
Në një deklaratë të përbashkët të publikuar të mërkurën, pjesëmarrësit e takimit të nivelit të lartë shprehën shqetësimin për "efektin dëmtues të masave shtrënguese të paligjshme dhe të njëanshme, përfshirë sanksionet e paligjshme" dhe përsëritën angazhimin e tyre për të rritur bashkëpunimin financiar brenda grupit BRICS. Ata vunë në dukje avantazhin e “instrumenteve të pagesave ndërkufitare më të shpejta, me kosto të ulët, më efikase, transparente, të sigurta dhe gjithëpërfshirëse, të ndërtuara mbi parimin e minimizimit të barrierave tregtare dhe qasjen jodiskriminuese”.
Presidenti i Kinës Xi Jinping ka theksuar rolin e kësaj organizate në garantimin e sigurisë globale. Presidenti Xi vuri në dukje se Kina dhe Brazili kanë paraqitur një plan paqeje për Ukrainën dhe kanë kërkuar të krijojnë mbështetje më të gjerë ndërkombëtare për të. Ukraina e ka refuzuar propozimin.
Presidentët Putin dhe Xi deklaruan një partneritet "pa kufij" disa javë përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Ata janë takuar tashmë dy herë në fillim të këtij viti, në Pekin në maj dhe në një takim të nivelit të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në Kazakistan në korrik.
Bashkëpunimi i Rusisë me Indinë gjithashtu ka përparuar, pasi Nju Delhi e sheh Moskën si një partnere të sprovuar që nga koha e Luftës së Ftohtë, pavarësisht lidhjeve të ngushta të Rusisë me rivalen kryesore të Indisë, Kinën. Ndërsa aleatët perëndimorë kërkojnë që India të përpiqet më shumë për ta bindur Moskën për t'i dhënë fund luftimeve në Ukrainë, Kryeministri indian Narendra Modi ka shmangur kritikat ndaj Rusisë dhe thekson mundësinë e një zgjidhjeje paqësore.
Presidenti Putin, i cili zhvilloi një sërë takimesh dypalëshe në kuadrin e punimeve të takimit të nivelit të lartë, do të takohej të enjten me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, i cili po bën vizitën e tij të parë në Rusi pas gati dy vitesh. Vizita e zotit Guterres në Kazan të Rusisë ka shkaktuar një reagim me zemërim nga Kievi.