Lidhje

Ndikimi i ndryshimeve demografike tek zgjedhjet në Arizona


Banorë me të drejtë vote të 50 shteteve do të votojnë në zgjedhjet presidenciale të këtij viti në Shtetet e Bashkuara. Por rezultatet në shtatë shtete të pavendosura ka të ngjarë të përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve.

Shteti jugperëndimor i Arizonës tradicionalisht ka favorizuar kandidatët republikanë, por demokrati Joe Biden e fitoi këtë shtet në vitin 2020. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouar, për votat elektorale të këtij shteti po bëhet një fushatë intensive edhe këtë vit.

Ndikimi i ndryshimeve demografike tek zgjedhjet në Arizona
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Arizona, një shtet me mbi 7 milionë banorë, historikisht ka anuar nga republikanët. Gjatë 76 viteve të fundit, vetëm tre kandidatë demokratë për president kanë fituar në këtë shtet jugperëndimor. Joe Biden arriti një fitore të ngushtë në 2020 dhe këtë vit zgjedhor, gara është përsëri e ngushtë.

“Mendoj se kjo nënvizon disi natyrën e pavarur të Arizonës. Ne nuk e identifikojmë veten me një parti, por kemi edhe një mbështetje për libertarianët”, thotë Thom Reilly nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Libertarianët besojnë se liria është vlera më e rëndësishme politike dhe ajo mund të arrihet duke kufizuar pushtetin e qeverisë.

“Parashikimi i votës së tyre është shumë sfidues, sepse mënyra se si ata votojnë në një zgjedhje nuk është domosdoshmërisht tregues i qartë se si do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Ata njihen për ndarje të votës së tyre. Pra, ata votojnë ndryshe”, thotë eksperti Reilly.

Elektorati në Arizona po ndryshon, përfshirë një popullsi hispanike në rritje, që po i bashkohet grupit të banorëve me të drejtë vote.

“Në këto zgjedhje, votuesit nën moshën 30 vjeç, tani po pasqyrojnë në përgjithësi popullsinë e Arizonës, dhe kjo po ndodh për herë të parë. Ka padyshim një prirje mes votuesve më të moshuar latinë, ndoshta, për të mos qenë kryesisht demokratë. Votuesit më të rinj priren të jenë demokratë”, thotë Thom Reilly nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Ndryshimi tjetër i madh në modelet e votimit është numri i madh i njerëzve, veçanërisht nga Kalifornia, të cilët po lëvizin në Arizona.

"Ata kanë prirje të jenë më shumë demokratë apo liberalë dhe kjo ka depërtuar në disa nga zonat tona më të mëdha metropolitane", thotë eksperti Thom Reilly.

Në qarkun e Marikopës, i cili përfshin edhe kryeqytetin e shtetit, Feniksin, jeton më shumë se gjysma e popullsisë së Arizonës. Kushdo që fiton në Marikopa zakonisht fiton shtetin.

"Tani kemi një proces të mbizotërimit të qyteteve të mëdha në politikën e nivelit shtetëor", thotë Ken Miller nga Universiteti i Las Vegasit.

Eksperti Thom Reilly thotë se çështjet me përparësi më të madhe për banorët e Arizonës janë ekonomia, të drejtat riprodhuese dhe imigracioni. Për dy nga këto çështje do të votohet në zgjedhjet e nëntorit, duke përfshirë Nismën 139, e cila do ta përfshinte në kushtetutën e shtetit të drejtën e abortit dhe mund të rrisë pjesëmarrjen në votime.

“Kjo mund të ketë një ndikim mjaft të rëndësishëm. Në shtetet ku është votuar për të drejtën e abortit, ka patur një rritje të pjesëmarrjes në votime, thotë Jennifer Piatt nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.

Nisma 314 do ta bënte kalimin ilegal të kufirit mes Arizonës dhe Meksikës një krim shtetëror, një gjë që tashmë është krim federal. Njëra çështje mund të rrisë pjesëmarrjen e votuesve më liberalë në zgjedhje, ndërsa tjetra mund të rrisë entuziazmin mes votuesve më konservatorë.

"Ne mund të kemi raste kur votuesit do të votojnë për nismën e abortit, por ata mund mos jenë të kënaqur me mënyrën se si është trajtuar çështja e emigracionit dhe kufirit dhe mund të votojnë për një kandidat tjetër për këto çështje. Mund të ndodhë edhe e kundërta, mund të kemi raste kur një votues mbështet nismën për emigracionin, por voton për një kandidat që mbështet abortin. Pra, vota e një votuesi të tillë quhet e ndarë", thotë Thom Reilly nga Universiteti Shtetëro i Arizonës.

Kjo do të thotë se disa banorë të Arizonës mund të votojnë për të mbrojtur të drejtat e abortit, pastaj të ndahen në votën për ish-presidentin Donald Trump apo për nënpresidenten Kamala Harris.

XS
SM
MD
LG