Lidhje

Presidenti serb u premton perëndimorëve orientimin evropian – Putinin e siguron se kurrë nuk do t’i vendos sanksione Rusisë


Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u tha të dielën zyrtarëve amerikanë dhe evropianë se Serbia është e përcaktuar për integrimet evropiane, vetëm pak kohë pasi e siguroi presidentin rus se kurrë nuk do t’i vendos sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë.

Të dielën në mbrëmje ai njoftoi në rrjetet sociale se ka pritur në Beograd Ndihmës Sekretari amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe Drejtoreshën e Përgjithshme për Evropën në Shërbimin Evropian për Punë të Jashtme, Angelina Eichhorst, në një vizitë të paparalajmëruar.

Nuk pati një konfirmim të menjëhershëm nëse të dy zyrtarët perëndimorë do të qëndrojnë edhe në Kosovë.

Presidenti serb shkroi se biseda u përqendrua rreth zhvillimeve politike në Kosovë dhe rolin e Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

“I informova bashkëbiseduesit në hollësi për situatën në Kosovë dhe shpreha shqetësimin tim të thellë për sfidat me të cilat përballet populli serb çdo ditë. Theksova nevojën për një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në këtë çështje, pasi mbështetja më e fortë dhe pjesëmarrja aktive e Shteteve të Bashkuara mund të kontribuojë në qëndrueshmërinë dhe sigurinë në rajon”, shkroi Presidenti Vuçiç.

Më tej ai shkroi se zyrtarëve perëndimorë u ka ritheksuar “përkushtimin e Serbisë për integrim në Bashkimin Evropian dhe reformat e nevojshme për të përmirësuar bashkëpunimin me BE-në, por gjithashtu theksova se i gjithë rajoni ka nevojë për një të ardhme të qëndrueshme dhe të parashikueshme, me mesazhe të qarta nga BE për zgjerimin e tij”.

Ai shprehu siç tha “gatishmërinë që bashkërisht të kërkojmë zgjidhje për qëndrueshmëri e përparim të qëndrueshëm dhe të përhershëm të Ballkanit Perëndimor”, ndërsa shfaqi shpresës se “ritmi i dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së”.

Presidenti Vuçiç e siguroi më herë të dielën Presidentin rus Vladimir Putin se vendi i tij, ndonëse kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të vazhdojë të refuzojë t’i vendos sanksione Rusisë, pavarësisht trysnisë së Perëndimit.

Ai shkroi në rrjetet sociale se beson që biseda telefonike, për të cilën ai tha se është para në më shumë se dy vjet me presidentin rus, do të ndihmojë "zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe thellimin e besimit midis Rusisë dhe Serbisë".

Mes tjerash ai tha se i shprehu “mirënjohje të jashtëzakonshme” udhëheqësit rus “veçanërisht për mbështetjen e vazhdueshme për tërësinë tokësore të Republikës së Serbisë”.

Rusia mbështet pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Perëndimit.

Tash e 13 vjet me radhë Kosova dhe Serbia janë përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve, por arritjet janë të pakta. Vitin e kaluar palët ranë dakord në Bruksel dhe në Ohër për një marrëveshje e cila nuk ka filluar të zbatohet, ndërsa tensionet mes palëve kanë vazhduar të jenë të larta.

Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje palëve që të fillojnë me zbatimin e marrëveshjes dhe të gjitha çështjet e hapura të trajtohen në kuadër të bisedimeve në Bruksel, vazhdimi i të cilave pritet me 24 tetor në nivel kryenegociatorësh.

XS
SM
MD
LG