Një fotoreporter që ka mbuluar ngjarje botërore, që nga konflikti në ish-Jugosllavi, rënia e Murit të Berlinit dhe lirimi nga burgu i Nelson Mandelës, u godit me thikë për vdekje ndërsa po kryente një ecje në fundjavë në malet San Gabriel. Autoritetet kanë arrestuar dhe akuzojnë djalin e tij 19-vjeçar, si autor të dyshuar për krimin.
Paul Lowe, 60 vjeç, një fotograf britanik, gazetar lufte dhe profesor në Universitetin e Arteve në Londër, u shpall i vdekur të shtunën tha zyra e Sherifit të Qarkut të Los Anxhelosit.
Autoritetet thanë se ai vdiq nga një plagë me thikë në qafë.
Një person, i cili u identifikua më vonë si djali i zotit Lowe-t, u pa duke u larguar nga vendngjarja. Autoritetet arritën ta arrestojnë atë.
Zyra e Prokurorit të Qarkut të Los Anxhelosit, e cila ngriti një akuzë për vrasje ndaj Emir Abadzic Lowe-t, tha se punonjësit e ndihmës se shpejtë u thirrën në vendngjarje nga një kalimtar.
Paul Lowe ishte profesor mbi konfliktin, paqen dhe imazhin në Kolegjin e Komunikimit të Universitetit të Arteve në Londër. Universiteti tha se ka qenë "një koleg i vlerësuar thellësisht" për më shumë se dy dekada.
“Paul la një trashëgimi të pabesueshme si fotograf, kritik dhe jo më pak të rëndësishme, si një profesor vërtet i dhembshur”.
Libri i tij “Boshnjakët” dokumentoi 10 vite luftë dhe situatën e pasluftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u botua në vitin 2005. Të tjerë libra të tij janë "Masterklasa e fotografisë", "Raportimi i rrethimit të Sarajevës" apo “Fotografia, Dëshmitë dhe Luftërat Jugosllave, 1988-2021”.
Në një intervistë për gazetën ‘The Guardian’, zoti Lowe ishte shprehur se ai ishte përqendruar tek viktimat dhe pacientët në spital gjatë ditëve të para të rrethimit të Sarajevës. Ai ishte i interesuar të kuptonte atë që ndodh me njerëzit kur "detyrohen të jetojnë në kushtet mesjetare të shkaktuara nga një rrethim".
"Njerëzit do të rrezikonin jetën e tyre për një kënaqësi të vogël", i tha ai gazetës në atë kohë.
Në homazhet për gazetarin morën pjesë një numër i madh njerëzish.
"Paul ishte një fotoreporter shumë i talentuar, i guximshëm dhe i përkushtuar, i cili vazhdimisht e vinte veten në rrezik për t'i treguar botës realitetin e zonave të luftës dhe krizave humanitare në mbarë botën", tha Santiago Lyon, ish-drejtor fotografie në agjencisë The Associated Press, i cili kishte punuar me zotin Lowe gjatë rrethimit të Sarajevës, në fillim të viteve 1990.