Lidhje

BB: Ballkani Perëndimor me rritje ekonomike, por parashikimi për të ardhmen i pasigurt


Raporti i Bankës Botërore
Raporti i Bankës Botërore

Banka Botërore vlerëson se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë këtij viti, por paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt.

Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, me titull “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, në tërësi, rajoni pritet të shënojë një rritje ekonomike prej 3.3 për qind në vitin 2024, krahasuar me 2.6 në vitin 2023 dhe kjo rritje e “moderuar” pritet të vazhdojë përgjatë vitit 2025, thuhet në raport.

Rritja e përgjithshme ekonomike në rajon parashikohet të arrijë në 3.7 për qind gjatë vitit 2025, sipas Bankës Botërore.

“Përkundër parashikimeve pozitive, rajoni mbetet i brishtë” për shkak të rritjes së dobët ekonomike botërore, inflacionit, pasigurisë politike dhe motit ekstrem, thuhet deklaratën e Bankës Botërore të publikuar të enjten.

Tabela nga raporti i Bankës Botërore
Tabela nga raporti i Bankës Botërore

Në raportin mbi rritjen ekonomike dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në të, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovinë dhe Maqedonia e Veriut kanë shënuar rritje krahasuar me viti 2023. Shqipëria ka përjetuar të njëjtin nivel të rritjes ekonomike si në vitin 2023, ndërsa Mali i Zi është i vetmi vend që ka rënie ekonomike në rajon, nga 6.3 për qind në 2023 në 3.4 për qind në vitin 2024.

Sipas Bankës Botërore, në vitin 2024 Shqipëria pati një rritje ekonomike prej 3.3 për qind, njësoj si vitin e kaluar, e nxitur kryesisht nga konsumi, turizmi dhe ndërtimet.

Shkalla e varfërisë, sipas raportit, pritet të zbutet ndërkohë që pagat do të vazhdojnë të rriten. Aktualisht, sipas Bankës Botërore, 21.7 % e popullsisë në Shqipëri jetojnë në varfëri, punësimi ka shënuar rritje me mbi 1% dhe pagat në sektorin privat kanë shënuar një rritje prej 12.7%. Investimet e huaja në Shqipëri gjatë vitit 2024 janë rritur me 8.5% krahasuar me një vit më parë.

Sfidat kryesore për Shqipërinë mbeten rënia e numrit të popullsisë për shkak të emigracionit, cilësia e dobët e forcës së punës dhe vendeve të krijuara të punës, si dhe kryerja e reformave strukturore jo me ritmin e nevojshëm, thuhet në raport.

Në Kosovë rritja ekonomike është 3.8 për qind, kryesisht e nxitur nga konsumi dhe investimet e diasporës në ndërtime.

Sfidat kryesore për Kosovën, sipas raportit, mbesin reformat në sektorin e energjisë, furnizimit me ujë dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, si dhe lidhjet me tregjet e jashtme.

Në mesin e rreziqeve, Banka Botërore thekson trysninë për rritjen e shpenzimeve buxhetore në prag të zgjedhjeve, por edhe pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë në kontekstin e veçantë politik të Kosovës.

Në rajon rritjen më të madhe ekonomike, sipas Bankës Botërore e shënoi Serbia, me 3.8 për qind, apo 1.3 për qind më të madhe se ajo e vitit 2023 për shkak të investimeve dhe shtimit të konsumit të brendshëm.

“Rritja ekonomike gjatë vitit 2024 është rezultat i politikave stimuluese fiskale, rritjes së mundësive për huamarrje dhe masave për të kontrolluar ngritjen e çmimeve, të cilat kanë çuar në rritje të konsumit dhe investimeve,” thuhet në raportin e fundit të Bankës Botërore.

Megjithatë, sipas raportit, rritja e vogël ekonomike në vendet partnere evropiane ka çuar në uljen e kërkesave për eksporte dhe shërbime nga rajoni, kryesisht në sektorin e turizmit.

“Pasiguria që lidhet me rënien e kërkesës nga vendet e BE-së për eksporte dhe ndikimi i saj në rajon mbetet i lartë. Ruajtja e nivelit të tanishëm të rritjes ekonomike kërkon një kombinim reformash strukturore dhe integrim më të afërt ekonomik të vendeve të rajonit”, thuhet në raport.

Në parashikimet e Bankës Botërore, rritja ekonomike në vendet e rajonit deri në vitin 2026 do të pasqyrojë prirjet e deritashme. Shqipëria pritet të ketë një rritje prej 3.4 për qind në vitet 2025 dhe 2026, ndërsa Kosova 3.9 dhe 4 për qind.

Rritja e dobët ekonomike në Bashkimin Evropian, sidomos në Gjermani, po ndikon në pasigurinë e përgjithshme ekonomike të rajonit si dhe në rritjen e deficitit buxhetor, sipas Bankës Botërore. Raporti vlerëson se dërgesat nga diaspora në vitin 2024 do të shënojnë ngecje.

Sipas raportit, deficiti buxhetor i shteteve të rajonit parashikohet të thellohet më tej gjatë këtij viti, duke arritur në 2.5 për qind të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar, kryesisht për shkak të zgjerimit të skemave të pensioneve, pagave dhe sigurimeve shoqërore.

“Kërkesat e dobësuara për eksporte nga jashtë, krahas çmimeve të larta të energjisë elektrike dhe rritjes së pamjaftueshme të tregut të punës në BE, që ndikojnë tek dërgesat e diasporës, kanë çuar në përkeqësimin e gjendjes buxhetore”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Punësimi në mbarë rajonin, (grup-mosha mbi 15 vjeç e aftë për punë) sipas raportit, ka shënuar përmirësim, duke arritur në 48.5 për qind këtë vit, apo vetëm gjashtë pikë më poshtë se shkalla e punësimit në shtetet anëtare të BE-së, por edhe në këtë aspekt rritja nuk është e njëtrajtshme në të gjitha vendet. Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të të papunëve, me vetëm 37% të popullsisë së aftë për punë, të punësuar. Në Shqipëri, në fund të vitit 2023, shkalla e punësimit ishte 66.7%.

Zbutja e varfërisë, sipas raportit, ka vazhduar në tërë rajonin, por shkalla e uljes së saj është më e ngadaltë se para pandemisë, kryesisht për shkak të rritjes më të ngadaltë ekonomike dhe rritjes së çmimit të prodhimeve ushqimore gjatë viteve të fundit. Në përgjithësi, Banka Botërore parashikon një zbutje të varfërisë me 1% çdo vit.

Sipas raportit të Bankës, konsumi dhe investimet pritet të luajnë një rol më të rëndësishëm në rritjen ekonomike gjatë viteve të ardhshme, ndërkohë që importi do të tejkalojë eksportin.

Shqipëria dhe Serbia kanë shënuar rritjen më të mirë ekonomike në rajon të nxitur nga investimet. Në Shqipëri rritja po nxitet nga ndërtimet si dhe klima e përmirësuar e të bërit biznes, sipas raportit.

Banka Botërore e vlerëson planin e ri të BE-së për Ballkanin Perëndimor si hap pozitiv që mund të mbështesë rritjen ekonomike të rajonit, por njëkohësisht paralajmëron që ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme, siç janë “rritja e ngadaltë botërore, rritjet e çmimeve, pasiguria politike dhe dëmet nga moti ekstrem.” Raporti bën thirrje për reforma të tregut të punës, në veçanti për shtimin e përfshirjes së grave në të.

Banka Botërore po ashtu veçon emigracionin në rajon, i cili sipas saj, është vendi më i madh i origjinës së emigrantëve në botë në raport me popullsinë, me 1 në katër banorë që jetojnë jashtë vendit. Në këtë kategori, Bosnja dhe Shqipëria janë shtetet me numrin më të lartë të emigrantëve nga rajoni, me rreth një të tretën e banorëve që kanë braktisur vendet e tyre në kërkim të një vendi pune.

Sipas raportit të Bankës, ndërkohë që banorët e rajonit janë larguar nga vendet e tyre, ata janë zëvendësuar me punonjës të huaj që po plotësojnë kërkesat e tregut të punës.

“Në periudhën në mes vitit 2000 dhe 2020, popullsia ka shënuar rënie me 8 për qind, apo 1.2 milionë banorë,” thuhet në raportin e Bankës, duke shtuar se prirje të tilla do të vazhdojnë në të ardhmen dhe nxitur vendet e rajonit të hartojnë politika për të angazhuar emigrantët për të kontribuar në ekonomitë e vendeve të tyre të origjinës.

Për të përshpejtuar qëndrueshmërinë ekonomike, Banka Botërore thotë se është i nevojshëm një integrim më i madh ekonomik i rajonit.

“Për të nxitur këtë rritje, shtetet duhet të shtojnë tregtinë rajonale dhe me BE-në, të shkurtojnë kohën e pritjes në kufi dhe të integrojnë sistemet e pagesave... Për të kaluar nga statusi (i vendeve) me të ardhura mesatare në atë të vendeve me të ardhura të larta, është thelbësore të përmirësohen sistemet arsimore dhe shëndetësore,” thuhet në raport.

XS
SM
MD
LG