Zgjidhja për konfliktin rajonal që po zgjerohet me shpejtësi dhe që është përhapur në Liban e më gjerë, varet nga zgjidhja e krizës fillestare, asaj në Gazë, tha të mërkurën një zyrtar i lartë i Hamasit.
Ndërsa lufta në Gazë ka hyrë tashmë në vitin e saj të dytë, luftimet janë ndezur në pjesën jugore të Libanit, ku trupat izraelite tashmë po përballen me militantët e armatosur të Hezbollahut që mbështeten nga Irani. Situata rrezikon të përshkallëzohet në një konflikt të drejtpërdrejtë me Iranin.
Përpjekjet diplomatike për të ndalur luftimet kanë ngecur dhe vëmendja tashmë është përqendruar në një sulm të pritshëm Izraelit ndaj Iranit pas sulmit me raketa që Teherani kreu më 1 tetor, i dyti brenda këtij viti.
“Nuk është e lehtë të arrihet një armëpushim i përhershëm ose një zgjidhje e përhershme e këtij konflikti pa e zgjidhur atë në origjinë, që është konflikti në rajonin e Gazës”, tha Basem Naim për agjencinë ‘Reuters’ në Stamboll.
Komentet e tij nënvizojnë se sa e vështirë do të jetë për të zgjidhur një luftë që përfshin gjithashtu lëvizjen Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen, e që tashmë kërcënon të tërheqë Shtetet e Bashkuara në luftë. Uashingtoni dërgoi këtë javë në Izrael sistemin e avancuar të mbrojtjes nga raketat, THAAD.
Lufta në Gazë shpërtheu pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit 2023, duke vrarë rreth 1200 persona dhe duke marrë peng rreth 250 persona sipas njoftimeve nga zyrtarë izraelite.
Sipas autoriteteve në Gazë, një rajon nën kontrollin e Hamasit, fushata ushtarake e Izraelit ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 42,000 personave, ka shkatërruar pjesën më të madhe të rajonit, si dhe ka zhvendosur shumicën e popullatës së saj.
Izraeli është zotuar të shkatërrojë Hamasin ndërsa Hamasi mbeten armik të përkushtuar i shtetit hebre.
Hezbollahu, që hodhi breshërinë e parë me raketa kundër Izraelit menjëherë pas sulmit të 7 tetorit të vitit 2023, në shenjë solidariteti me Hamasin, kohët e fundit ka filluar të flasë për një armëpushim të mundshëm, por Basem Naim tha se kjo do ta linte të pazgjidhur çështjen më të gjerë.
“Edhe nëse arrijnë një armëpushim në Liban, nuk do të ketë qetësi në rajon sepse ata nuk po flasin për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, atyre që lidhen me Libanin apo Palestinën”, tha ai.
Përpjekjet e ndërmjetësuara nga Katari dhe Egjipti për ndalimin e luftimeve dhe kthimin e pengjeve izraelite nuk kanë arritur asgjë dhe Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për ngërçin e krijuar.
Basem Naim tha se ndërmjetësit ishin "të zhgënjyer" nga zgjerimi i konfliktit përtej kufijve të Gazës, por ai fajësoi sërish Izraelin për dështimin e bisedimeve.
"Ne nuk mundet që thjesht të fillojmë negociimin e kushteve të reja të shtuara nga (kryeministri izraelit) Benjamin Netanyahu", tha ai.
Izraeli është zotuar të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, por nuk duket se është pranë përfundimit të fushatës së tij në Gazë, ku dy javë më parë rriti trysninë në pjesën veriore të rajonit.
Basem Naim tha se ofensiva e fundit izraelite ishte një "rrethim shumë më mbytës" ndryshe nga të tjerët.
"Është shumë më brutal dhe agresiv (se operacionet e mëparshme). Ai vë në shënjestër drejtpërdrejtë shtëpitë ku jetojnë civilët", tha ai.
Izraeli thotë se trupat e tij kanë vrarë dhjetëra luftëtarë të Hamasit gjatë ditëve të fundit. Nga ana tjetër është rritur shqetësimi ndërkombëtar për situatën humanitare me të cilën përballen palestinezët. Shtetet e Bashkuara po i bëjnë thirrje Izraelit të garantojë kalimin e më shumë ndihmave.
Por zyrtari i Hamasit tha se qëndrimet e SHBA-ve ishin kontradiktore.
"Në të njëjtën kohë që amerikanët po bëjnë thirrje për më shumë ndihma humanitare, ata po i dërgojnë miliarda e miliarda dollarë dhe armatime (Izraelit), si dhe çdo herë po përdorin veton në Këshillin e Sigurimit për të bllokuar vullnetin ndërkombëtar”, tha ai.