Në Shtetet e Bashkuara vëmendja është përqendruar në shtatë shtetet e pavendosura, të cilat pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit. Ndërsa disa prej tyre kanë ndryshuar nga pikëpamja politike me kalimin e viteve, korrespondentja e Zërit të Amerikës Dora Mekouari njofton nga Las Vegasi se shteti i pavendosur perëndimor i Nevadës nuk anon fort në drejtim të asnjërës prej dy partive të mëdha në Amerikë.
Shteti me 3.1 milionë banorë i Nevadës është ndoshta më i njohur për Las Vegasin, qytetin e tij e famshëm të lojërave të fatit.
“Është disi paradoksale. Nevada shihet si një shtet liberal, pasi ishte i pari që lejoi divorcin pa arsye, ka lojëra të fatit në disa qarqe dhe lejon prostitucionin. Por, nga ana tjetër, ka edhe një prirje shumë konservatore në disa aspekte”, thotë Thom Reilly nga Universiteti Shtetëror i Arizonës.
Nga viti 1960 deri në vitin 2000, Nevada ka votuar për kandidatët republikanë. Por, në dy dekadat e fundit, Nevada është bërë një shtet i pavendosur, duke votuar në disa raste për kandidatët demokratë.
Popullsia e Nevadës është trefishuar që nga viti 1980. Një pjesë e madhe e banorëve të ardhur rishtazi janë nga shteti liberal i Kalifornisë.
“Ajo që ka ndodhur është se në qarkun e Klarkut, i cili përfshin qytetin e Las Vegasit, tani jeton 72% e banorëve të shtetit me të drejtë vote. Pra, nga një shtet kryesisht rural, Nevada është shndërruar në një shtet urban në pjesën perëndimore të Amerikës”, thotë Ken Miller nga Universiteti i Nevadës në Las Vegas.
“Kemi Las Vegasin dhe pastaj pjesën tjetër të Nevadës. Las Vegasi ka një prirje të anojë më shumë nga demokratët, ndërsa pjesa tjetër e Nevadës është më republikane. Por, shumica e banorëve të shtetit jetojnë në Las Vegas”, thotë David Cardenas, banor i Nevadës.
Megjithë rritjen e madhe të popullsisë, Nevada mbetet një shtet kryesisht i klasës punëtore, me shumë banorë që bëjnë punë fizike.
“Pagat, papunësia, kostoja e banesave, inflacioni dhe çmimi i karburantit mund të ndikojnë tek banorët e Nevadës ndoshta pak më shumë se tek ata të shteteve të tjera”, thotë Ken Miller nga Universiteti i Nevadës në Las Vegas.
Për studentët në Universitetin e Nevadës në Las Vegas, një pjesë e të cilëve do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e 5 nëntorit, përparësi kanë çështje si punësimi dhe arsimi.
“Çështja e abortit, ekonomia dhe arsimi janë të rëndësishme”, thotë Samantha Adame.
“Ekonomia dhe ndoshta kufiri", thotë David Cardenas.
“Jam një student i varfër. Për mua përparësi kanë çmimet e ushqimit dhe një vend pune me pagë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e mia”, thotë Charles Davis, banor i Nevadës.
Në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit, banorët e Nevadës do të votojnë edhe për një propozim për ta përfshirë të drejtën e abortit në kushtetutën e shtetit.
“Tashmë është dëshmuar se çështja e abortit është një motivues i madh i pjesëmarrjes në zgjedhje. Mendoj se kështu do të jetë edhe në zgjedhjet e nëntorit”, thotë Rebecca Gill nga Instituti për Studimin e Çështjeve të Grave në Nevada.
Megjithatë, eksperti Ken Miller thotë se askush nuk duhet të nënvlerësojë shanset e ish-presidentit Donald Trump për ta fituar Nevadën.
“Zoti Trump po perceptohet si një kandidat që nuk ka gjasa të fitojë Nevadën thjesht sepse ai nuk ka fituar dy herët e fundit. Unë nuk do të nënvlerësoja rëndësinë e çështjeve ekonomike për votuesit në këtë shtet”, thotë ai.
Roli kritik si një shtet i pavendosur është arsyeja pse dy kandidatët presidencialë, ish-Presidenti Trump dhe Nënpresidentja Kamala Harris, po bëjnë fushatë në Nevada.