Shtetet e Bashkuara vendosën të martën sanksione ndaj një organizatë që sipas zyrtarëve amerikanë, mbledh fonde për Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP). Uashingtoni e ka shpallur PFLP-në organizatë terroriste.
Departamenti i Thesarit, në vendimin e marrë në bashkëpunim me Kanadanë, tha përmes një deklarate se vendosi sanksione ndaj Rrjetit të Solidaritetit me të Burgosurit Palestinez - Samidoun, duke e akuzuar atë si “një organizatë të rreme bamirësie, që shërben për mbledhje fondesh ndërkombëtare” për PFLP-në.
PFLP, e cila gjithashtu është e përfshirë në luftën kundër Izraelit në Gazë, u shpall organizatë e huaj terroriste nga Shtetet e Bashkuara në tetor të vitit 1997. Më pas, në vitin 2001 Uashingtoni e shtoi atë edhe në listën e posaçme të organizatave terroriste botërore.
Departamenti i Thesarit tha se PFLP përdor organizatën ‘Samidoun’ për të mbledhur fonde në Evropë dhe në Amerikën e Veriut. Aktivitetet e grupit u ndaluan nga Gjermania vitin e kaluar.
“Organizatat si Samidoun maskohen si organizata bamirësie që pretendojnë se ofrojnë mbështetje humanitare për njerëzit në nevojë, por në realitet devijojnë fondet për të mbështetur grupet terroriste”, tha në deklaratë nënsekretari i thesarit për terrorizmin dhe inteligjencën financiare, Bradley Smith.
Rrjeti i Solidaritetit të të Burgosurve Palestinez Samidoun nuk iu përgjigj menjëherë kërkeses së agjencisë së lajmeve ‘Reuters’ për koment.
Një anëtar i udhëheqjes së PFLP-së, jashtë vendit, u shtua në listën e të sanksionuarve të martën.
Kanadaja njoftoi, gjithashtu, shpalljen e grupit Samidoun si një entitet terrorist të martën. “Ekstremizmi i dhunshëm, aktet e terrorizmit apo financimi i terrorizmit nuk kanë vend në shoqërinë kanadeze apo jashtë saj”, tha ministri kanadez i Sigurisë Publike Dominic LeBlanc në deklaratën që njoftoi për vendimin.
Departamenti i Thesarit tha se PFLP vazhdoi të marrë pjesë në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit, duke përfshirë pjesëmarrjen në sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin 1200 njerëz u vranë dhe rreth 250 u morën peng në Gazë, sipas të dhënave të shtetit hebre.
Më shumë se 42,000 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake izraelite deri më tani, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.