Ministria e Jashtme e Iranit thirri ambasadorin e Hungarisë të martën për të protestuar kundër sanksioneve të reja të Bashkimit Evropian ndaj Teheranit dhe mohoi akuzat e vendeve perëndimore se ka transferuar raketa balistike në Rusi, njoftoi media shtetërore iraniane.
Bashkimi Evropian vendosi të hënën sanksione ndaj shtatë personave dhe shtatë organizatave, përfshirë linjën ajrore “Iran Air”, për lidhje të dyshuara me transferimet iraniane të raketave balistike në Rusi. Britania, e cila nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, vendosi gjithashtu sanksione të reja ndaj Teheranit.
Ambasadori i Hungarisë u thërrit në takim për shkak se Budapesti mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, që përbëhet nga 27 vende.
“Përveç shprehjes së protestës së fortë të Republikës Islamike kundër vendimit të fundit të BE-së, në takim u theksua se përdorimi i metodave të paligjshme dhe shtrënguese si sanksionet kundër Iranit është i papranueshëm dhe i padobishëm”, tha agjencia zyrtare e lajmeve "IRNA".
Britania shtoi nëntë sanksione të reja ndaj Iranit të hënën, pasi Shtetet e Bashkuara thanë muajin e kaluar se Rusia kishte marrë raketa balistike nga Irani për luftën e Moskës në Ukrainë.
Duke mohuar transferimin e raketave, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei tha përmes një postimi në platformën X se: "Disa vende evropiane dhe Britania për fat të keq kanë pretenduar pa prova se Irani ka ndërhyrë ushtarakisht në këtë konflikt. Këto pretendime janë mohuar plotësisht".
Zoti Baghaei tha se vendosja e sanksioneve të reja ndaj individëve dhe subjekteve iraniane ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Një zëdhënës i Organizatës së Aviacionit Civil të Iranit tha për agjencinë shtetërore të lajmeve “IRNA” se linja ajrore kombëtare “Iran Air” do të ndërpresë fluturimet për në Evropë pasi nuk është më në gjendje të marrë lejet e nevojshme të fluturimit. “Iran Air” është e vetmja linjë ajrore iraniane që kohët e fundit ka bërë fluturime drejt Evropës, tha një zyrtar nga Shoqata e Linjave Ajrore Iraniane për Agjencinë e lajmeve “Iranian News Labour”.
Kompanitë ajrore “Saha Airlines” dhe “Mahan Air” dhe zëvendësministri iranian i mbrojtjes Seyed Hamzeh Ghalandari janë përfshirë në sanksionet e fundit.
Me sanksionet e BE-së do të përballen edhe zyrtarë të lartë të Gardës Revolucionare Islamike dhe drejtorët menaxhues të Organizatës së Prodhimit të Avionëve dhe Mjeteve Ajrore.
Sanksionet përfshijnë ngrirje të pasurive dhe ndalime të udhëtimit në Bashkimin Evropian.