Lidhje

Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi: 41.1 për qind malazezë, 32.9 për qind serbë, shqiptarët nën 5 për qind


Regjistrimi i popullsisë
Regjistrimi i popullsisë

Drejtoria për Statistikat e Malit të Zi, Monstat publikoi të martën një pjesë të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi të kryer në dhjetor të vitit të kaluar, sipas të cilit në Mal të Zi janë 623,633 banorë, një rritje prej 0.6 për qind krahasuar me të dhënat eregjistrimit të vitit 2011.

Sipas të dhënave të Monstat, asnjë grup etnik në Mal të Zi nuk ka shumicë absolute - 41.1 për qind e qytetarëve e identifikojnë veten si malazezë dhe 32.9 për qind si serbë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011 kemi një rritje të vogël të numrit të përgjithshëm të serbëve. Në regjistrimin paraprak 45 për qind ishte numri i malazezëve dhe 29 për qind i serbëve në Mal të Zi.

Regjistrimi i kryer në Mal të Zi nga 3 deri më 28 dhjetor 2023 tregon se në Mal të Zi 9,45 për qind janë boshnjakë, 4,97 për qind janë shqiptarë, 1 për qind janë rom dhe 0,97 për qind janë kroatë.

Në pyetjen se cila është gjuha e tyre amtare, 36.2 për qind e banorëve malazezë janë përgjigjur se është gjuha malazeze, ndërsa 43.5 për qind janë përgjigjur se gjuha e tyre amtare është serbishtja. Sipas regjistrimit të vitit 2011, gjuha serbe flitej nga 42.88 dhe gjuha malazeze nga 36.97 për qind e popullsisë në Mal të Zi.

Edhe pse regjistrimi është pyetje statistikore dhe udhërrëfyes për pushtetin ekzekutiv se në çfarë mënyre duhet të zbatohen politika të caktuara, veçanërisht ato demografike dhe ekonomike, çështjet e grupeve etnike dhe gjuhës janë mosmarrëveshjet kryesore politike në Mal të Zi që sipas vlerësimit të analistëve po keqpërdoren për qëllime politike.

Forcat pro-serbe dhe pro-ruse si dhe mediat e shumëta në Malin e Zi dhe në Beograd kanë bërë fushatë prej muajsh, duke u bërë thirrje qytetarëve që të deklarohen si serbë.

Fushatës iu bashkua edhe Kisha Ortodokse Serbe , e cila u bëri thirrje qytetarëve që të identifikohen si anëtarë të popullit serb dhe besimtarë të kishës së tyre që flasin gjuhën serbe.

Kisha serbe që vepron ne Malin e Zi e mohon kombin malazez, duke e klasifikuar atë si pjesë të korpusit serb.

Në këtë kuadër edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq vazhdimisht theksoi rëndësinë e regjistrimit në përcaktimin e numrit të serbëve në Mal të Zi.

Opozita malazeze tha të martën se rezultatet e regjistrimit konfirmojnë se përkundër propagandës së fuqishme, trysnive për të imponuar një koncept etnik, Mali i Zi arriti të ruajë karakterin e tij qytetar.

“Natyrisht, inxhinieria etnike ka dështuar. Është treguar se Mali i Zi ka një bërthamë solide, qytetare dhe shumëetnike, e cila qëndron pa u lëkundur në mbrojtje të interesave shtetërore”, tha Daniel Zhivkoviç.

Për shkak të mosbesimit të një pjese të opinionit në rregullësinë e regjistrimit, në fillim të këtij muaji qytetarëve iu është dhënë mundësia që përmes një aplikacioni të kontrollojnë nëse të dhënat për kombësinë, fenë dhe gjuhën që kanë raportuar në regjistrim janë futur saktë.

Monstat njoftoi se qytetarët nuk kanë raportuar parregullsi për sa i përket saktësisë së të dhënave personale.

XS
SM
MD
LG