Lidhje

Arrestohet një person pranë tubimit të ish-presidentit, zotëronte armë zjarri të mbushura


Një person i arrestuar në një pikë kontrolli sigurie pranë tubimit të kandidatit republikan për President Donald Trump në Kaliforni të shtunën, përballet me akuza për armëmbatje. Dyzet e nëntë vjeçarit Vem Miller iu gjetën në zotërim dy armë zjarri, njëra prej të cilave e mbushur, një karikator me kapacitet të lartë, disa pasaporta si dhe një targë makine false thanë autoritetet të dielën.

Miller, banues në Las Vegas, u ndalua ndërsa ndodhej në një fuoristradë të zezë nga autoritetet e sigurisë së qarkut Riverside.

"Kjo ngjarje nuk ndikoi në sigurinë e ish-Presidentit Trump apo të pjesëmarrësve në takimin elektoral”, tha zyra e sherifit në një deklaratë për shtyp.

Zoti Trump i mbijetoi një atentati në muajin korrik, kur gjatë një tubimi në Butler të Pensilvanisë ai u qëllua dhe u plagos në veshin e djathtë. Në shtator, një tjetër person u akuzua për përpjekjen për ta vrarë zotin Trump. Agjentët e Shërbimit Sekret arritën ta zbulojnë personin e fshehur me një pushkë pranë fushës së golfit të zotit Trump në Palm Beach. Ky i fundit është deklaruar i pafajshëm.

Tubimi i zotit Trump të shtunën u zhvillua në Luginën Coachella, një zonë e njohur për festivalin vjetor të saj të muzikës dhe artit.

Miller u lirua me kusht pasi pagoi një garanci financiare prej 5,000 dollarësh të shtunën.

Sipas të dhënave online, ai do të është caktuar të paraqitet në gjykatë më 2 janar të vitit 2025.

Autoritetet nuk pranuan të spekulojë në lidhje me motivet e personit të arrestuar, por thanë se “ne e dimë se parandaluam që diçka e keqe të ndodhte dhe nuk kishte rëndësi se çfarë do të ishte kjo gjë”.

“Shërbimi Sekret vlerësoi se incidenti nuk ndikoi në operacionet mbrojtëse dhe ish-Presidenti Trump nuk ishte në ndonjë rrezik”, tha Zyra e Prokurorit në një deklaratë të dielën, duke shtuar se hetimet vazhdojnë.

XS
SM
MD
LG