Lidhje

Mjeku: Nënpresidentja Harris në gjendje të shkëlqyer shëndetësore


Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris duke zbritur nga avioni në bazën ajrore Andrews, Maryland (11 tetor 2024)
Nënpresidentja dhe kandidatja demokrate për presidente Kamala Harris duke zbritur nga avioni në bazën ajrore Andrews, Maryland (11 tetor 2024)

UASHINGTON – Nënpresidentja Kamala Harris gëzon “shëndet të shkëlqyer” dhe “formën e duhur fizike dhe mendore” për të qenë presidente e vendit, thuhet në një letër të mjekut të saj, të publikuar të shtunën, ku bëhet një përmbledhje e historikut dhe gjendjes së saj mjekësore.

Dr. Joshua Simmons, mjeku i nënpresidentes dhe njëkohësisht kolonel në ushtrinë amerikane, shkruan se zonja Harris, në moshën 59-vjeçare, ruan një stil aktiv të jetesës dhe se nga kontrolli i saj i rregullt mjekësor i bërë në muajin prill, nuk rezultoi ndonjë gjë e pazakontë.

Ajo ka “formën e duhur fizike dhe mendore për të përmbushur me sukses detyrat e presidencës, përfshirë ato të drejtueses ekzekutive, kreut të shtetit dhe komandantes së përgjithshme”, thuhet në letrën prej dy faqesh.

Ekipi elektoral i zonjës Harris shpreson ta shfrytëzojë këtë moment për të nxjerrë në pah kontrastin me kandidatin republikan Donald Trump, i cili ka publikuar ndër vite vetëm të dhëna të kufizuara për shëndetin e tij. Sipas një punonjësi të ekipit të saj elektoral, shpresohet në këtë mënyrë të ngrihen pikëpyetje nëse zoti Trump është i përshtatshëm për detyrën e presidentit.

Ish-Presidenti Trump ka publikuar shumë pak të dhëna shëndetësore, edhe pasi u plagos në vesh nga një plumb gjatë një atentati në korrik.

Dr. Simmons, që ka qenë mjeku i kujdesit parësor për zonjën Harris gjatë 3 viteve e gjysëm të fundit, thotë se nënpresidentja ka një historik alergjish dhe ka ndjekur një imunoterapi me alergenë për tre vitet e fundit.

Dr. Simmons tha se nga analizat e fundit të gjakut të zonjës Harris dhe rezultatet e testeve të tjera nuk rezultoi diçka e pazakontë.

Raporti thotë gjithashtu se zonja Harris mban lente kontakti për një miopi të lehtë. Në historikun mjekësor të familjes së saj ekziston rasti i kancerit të zorrës së trashë (nga nëna e saj). Zonja Harris ndjek me përpikmëri rekomandimet për kujdesin parandalues shëndetësor, përfshirë bërjen e kolonoskopisë dhe mamografisë çdo vit.

Ndërsa zyra e Nënpresidentes Harris publikoi raportin mjekësor, ekipi i saj elektoral theksoi njoftimet e fundit të mediave që ngrenë pikëpyetje në lidhje me shëndetin dhe mprehtësinë mendore të ish-Presidentit Trump dhe se ai nuk ka dhënë informacion në lidhje me gjendjen shëndetësore dhe historikun mjekësor.

Ish-Presidenti Trump, në moshën 78 vjeçare, vuri në dyshim shëndetin e Presidentit Joe Biden kur presidenti 81-vjeçar kandidonte për t’u rizgjedhur. Që kur ai u zëvendësua në kandidim nga zonja Harris, ka tërhequr më shumë vëmendje shëndeti i ish-Presidentit Trump.

Në ditëlindjen e Presidentit Biden nëntorin e kaluar, ish-Presidenti Trump publikoi një letër nga mjeku i tij që raportonte se ish-presidenti ishte në shëndet "të shkëlqyer" fizik dhe mendor.

Letra, e postuar në platformën e mediave sociale të ish-Presidentit Trump, nuk përmbante detaje për të mbështetur pretendimet e tij – matje të tilla si pesha, tensionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit, apo rezultatet e ndonjë testi.

XS
SM
MD
LG