Lidhje

Ligji i ri në Hungari kërcënon mediat e pavarura


Komisioni Evropian ka ngritur padi kundër ligjit të Hungarisë për mbrojtjen e sovranitetit, duke thënë se ai shkel rregullat e Bashkimit Evropian. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze, kundërshtarët e shohin ligjin si një kërcënim për mediat e pavarura në Hungari, të cilat mbështeten te donatorët ndërkombëtarë.

Ligji i ri në Hungari kërcënon mediat e pavarura
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:25 0:00

Tamas Bodoky themeloi portalin ‘Atlatszo’ në vitin 2011 si një platformë për gazetarinë e pavarur hulumtuese. Me platformën ‘Atlatszo’, që në hungarisht do të thotë “transparente”, zoti Bodoky hulumton korrupsionin dhe shkeljet e tjera që po bëheshin më të vështira për t'u zbuluar.

“Mediat kryesore janë nën trysni të madhe politike në Hungari. Për këtë aarsye e lashë punën në mediat kryesore dhe themelova organizatën jofitimprurëse, për t'u çliruar nga këto trysni”, thotë zoti Bodoky.

Kjo trysni vjen nga qeveria e kryeministrit Viktor Orban. Analistët e kanë kritikuar prej kohësh Kryeministrin Orban dhe përpjekjet e mbështetësve të tij për të kontrolluar mediat, për të ndikuar te opinioni dhe për të konsoliduar pushtetin e tij.

“Ata filluan të blejnë mediat kryesore. Mediat u pushtuan me besnikë të partisë në pushtet dhe u kthyen në një mjet propagande. Mediat private u kapën nga qeveria dhe u kthyen në një lloj mjeti propagande”, thotë zoti Bodoky.

Në vitin 2018 u krijua Fondacioni i Shtypit dhe Medias të Evropës Qendrore, i njohur si KESMA. Kjo u bë një pikë kthese për mediat e Hungarisë pasi konsolidoi rreth 500 media në një njësi të vetme pro-qeveritare.

Tani, vetëm disa media të pavarura, si ‘Atlatszo’, ‘Telex’ dhe ‘444’, kanë mbijetuar. Për të vazhduar punën, ato mbështeten pjesërisht tek fondet e donatorëve ndërkombëtarë.

Gabor Polyak, profesor i Universitetit ‘Eotvos Lorand’ në Budapest thotë se drejtuesit e Hungarisë kanë aktualisht dy strategji: njëra që krijon propagandën pro-qeveritare dhe financohet nga media publike.

“Pjesa tjetër e sistemit mediatik është e pavarur. Aty gazetarët po bëjnë punë të ngjashme me gazetarët në perëndim, po publikojnë artikuj hulumtues shumë të mirë”, thotë Profesori Polyak.

Por fondet për këto media tani janë në rrezik nga Zyra e Mbrojtjes së Sovranitetit të Hungarisë. Kjo agjenci shtetërore ka për detyrë të hetojë burimet e financimit për mediat, individët dhe shoqërinë civile.

Hungaria thotë se ligji është i nevojshëm për t’u mbrojtur kundër asaj që qeveria e quan “ndërhyrje të panevojshme politike”. Megjithatë, kritikët e qeverisë, duke përfshirë ‘Atlatszo-n’ dhe organizatën ‘Transparency International’ ishin ndër të parët që u vunë në shënjestër.

“Në shënjestër u vunë dy organizata jofitimprurëse që janë shumë aktive në luftën kundër korrupsionit dhe që kanë bërë shumë për të zbuluar korrupsionin e qeverive të Orbanit, në dekadën e fundit”, thotë themeluesi i organizatës ‘Atlatszo’, Tamas Bodoky.

Gazetarët hungarezë janë të alarmuar.

“Kjo zyrë sovraniteti ishte arsyeja që na bëri bashkë dhe publikuam një letër të hapur, duke e cilësuar ligjin si një kërcënim dhe të papranueshëm”, thotë Balasz Kaufmann, gazetar i organizatës së pavarur mediatike ‘444’.

Komisioni Evropian gjithashtu mori masa. Në maj, Komisioni dërgoi një letër zyrtare duke nënvizuar se legjislacioni bie ndesh me rregullat e bllokut evropian.

Hungaria në përgjigjen e saj tha se ligji është për të kufizuar financimin e huaj të partive politike.

Por, komisioni nuk u tërhoq. Në tetor, Komisioni e dërgoi çështjen në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG