I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof, filloi të enjten një vizitë dyditëshe në Kosovë me një takim me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti ndërsa pritet të takohet edhe me udhëheqësit e tjerë të institucioneve dhe partive politike në vend.
Në një komunikatë të presidences së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t`i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.
Në komunikatë citohet presidentja Vjosa Osmani të ketë “shtruar nevojën e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara” si dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, “që forcon sigurinë e vendit por edhe në stabilitetin e rajonit”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof shkroi në rrjetet sociale se kanë trajtuar disa tema që lidhen “në fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe, zgjerimit të bashkëpunimit të dyanshëm dhe sinergjinë në fusha me interes të përbashkët”. Kryeministri Kurti shkroi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe aleati kryesor”.
Në komunikatën e qeverisë së Kosovës u tha se gjatë takimit u trajtua dhe çështja e dialogut me Serbinë, ku citohet kryeministri Albin Kurti të ketë shprehur “konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit”.
Kjo është vizita e parë e zotit Kasanof në rajon që nga emërimi i tij në këtë post. Në një postim në rrjetet sociale, ambasadori amerikan Jeff Hovenier tha se gjatë takimeve do të theksohet mbështetja amerikane për popullin e Kosovës, duke trajtuar shqetësimet e përbashkëta dhe duke kërkuar përparim në rrugën evropiane të Kosovës si një shtet sovran, i pavarur e shumetnik.
Zoti Kasanof i cili në fillim të javës ishte në Bosnje e Hercegovinë, në Kosovë arriti nga Serbia ku është takuar me udhëheqësit serbë. Në një intervistë për mediumin proqeveritar Kurir në Serbi, ai citohet të ketë thënë se një nga arsyet e vizitës në rajon është parandalimi i konflikteve të mundshme në rajon.
Sipas një përkthimi të Kuririt, zoti Kasanof e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme gjetjen e një mënyre për të ecur përpara në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar kërkesën amerikane që palët të zbatojnë marrëveshjen që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.