Qindra veta protestuan të enjten në Mitrovicën e Veriut, kundër arrestimit të një politikani lokal serb nën dyshimet për siç është thënë, veprën e “ngacmimit”.
Udhëheqësi i partisë, Demokracia Serbe, Aleksandar Arsenijeviç, u dërgua në paraburgim prej 48 orësh një ditë më parë, pas raportimit të shefit të kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut Erden Atiç, se politikani serb kishte penguar zyrtarët komunal gjatë një veprimtarie, duke fishkëllyer me një “bilbil”.
Kjo është hera e pestë që ai arrestohet për mënyrën e protestës së tij ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës në veri. Por ndërsa herët tjera ishte liruar brenda orësh, kësaj radhe me kërkesë të prokurorisë i është shqiptuar masa e paraburgimit.
Protestuesit që mbanin në duar mbishkrime si “A është BE-ja e shqetësuar?”, paralajmëruan se edhe nesër do të dalin në rrugë nëse politikani nuk lirohet.
“Ne do të vazhdojmë protestën me bilbil, çdo ditë. Do të bëjmë protestë paqësore demokratike siç kemi bërë deri tani. Kosova është e jona, aq sa është e shqiptarëve, goranëve, romëve, boshnjakëve dhe komuniteteve dhe popujve të tjerë që jetojnë në Kosovë”, tha nënkryetari i Demokracisë Serbe, Stefan Velkoviç.
Disa organizata joqeveritare i kanë dërguar letër Avokatit të Popullit, duke kërkuar reagim të menjëhershëm ndaj këtij rasti. Përfaqësues të këtyre organizatave thanë se aktivizmi politik dhe protesta e Arsenijeviçit kundër zyrtarëve politikë "nuk rrezikon askënd".
“Një veprim i tillë i autoriteteve të Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtës për protestë dhe duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë shoqërinë e Kosovës”, thuhet në një deklaratë të këtyre organizatave.
Aleksandar Arsenijeviç, u bë i njohur gjatë këtij viti me format e protestës së tij dhe kritikave ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës ne veriun e banuar me shumicë serbe, për mbylljen e institucioneve të mbështetura nga Beogradi.