Lidhje

UNICEF: Një ndër tetë vajza përdhunohet ose abuzohet seksualisht para moshës 18 vjeçare


Më shumë se 370 milionë vajza dhe gra, ose një ndër tetë në mbarë botën, kanë përjetuar përdhunim, ose abuzim seksual para moshës 18 vjeç, tha të mërkurën UNICEF, Agjencia e OKB-së për Fëmijët.

Kjo shifër arrin në 650 milionë, ose një ndër pesë, nëse llogariten format "pa kontakt direkt" të dhunës seksuale, si abuzimi në internet ose ai verbal, njofton UNICEF-i në sondazhin e parë global të këtij lloji.

Sipas raportit, ndërsa vajzat dhe gratë janë më të prekurat, 240 milionë deri në 310 milionë djem dhe burra, ose rreth 1 ndër 11, kanë përjetuar përdhunim ose sulm seksual gjatë fëmijërisë.

"Shkalla e kësaj shkeljeje të të drejtave të njeriut është e jashtëzakonshme dhe ka qenë e vështirë që të vlerësohet plotësisht për shkak të stigmës, sfidave të dokumentimit të rasteve dhe investimeve të kufizuara në mbledhjen e të dhënave," tha UNICEF-i në prezantimin e raportit.

Publikimi i tij vjen në prag të një konference globale për t'i dhënë fund dhunës kundër fëmijëve që do të mbahet në Kolumbi muajin e ardhshëm.

UNICEF tha se përfundimet e raportit nxjerrin në pah nevojën urgjente për një veprim të intensifikuar global, përfshirë forcimin e ligjeve dhe ndihmën ndaj fëmijëve në mënyrë që ata të njohin dhe raportojnë dhunën seksuale.

UNICEF thotë se dhuna seksuale i kapërcen kufijtë gjeografikë, kulturorë dhe ekonomikë, por shton se Afrika Nën-Sahariane ka numrin më të madh të viktimave, me 79 milionë vajza dhe gra të prekura, ose 22%.

Azia Lindore dhe ajo Juglindore pasojnë me 75 milionë, ose 8%. Në të dhënat për gratë dhe vajzat, UNICEF vlerësoi se 73 milionë, ose 9%, ishin të prekura në Azinë Qendrore dhe Jugore; 68 milionë, ose 14%, në Evropë dhe Amerikën e Veriut; 45 milionë, ose 18%, në Amerikën Latine dhe Karaibe, dhe 29 milionë, ose 15%, në Afrikën Veriore dhe Azinë Perëndimore. Rajoni i Oqeanisë, me 6 milionë, kishte numrin më të madh të prekur nga përqindja, me 34%.

Rrezikshmëria më e lartë, me 1 ndër 4 vajza ose gra të prekura, ishte në "mjedise të brishta", përfshirë ato me institucione të dobëta, ku janë të vendosura forca paqeruajtëse të OKB-së ose me një numër të madh refugjatësh, sipas raportit.

Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell e quajti dhunën seksuale ndaj fëmijëve "një njollë në ndërgjegjen tonë morale".

"Shkakton trauma të thella dhe të qëndrueshme, shpesh kryhet nga dikush të cilin fëmija e njeh dhe e beson, në vende ku duhet të ndihet i sigurt", tha zonja Russell.

UNICEF-i tha se rastet më të shumta të dhunës seksuale mes moshave të mitura, ndodhin gjatë adoleshencës, veçanërisht midis moshës 14 dhe 17 vjeç, dhe ata që e vuajnë atë ekspozohen janë më të prirur të preken nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, abuzimi me alkool dhe drogë dhe probleme të shëndetit mendor.

"Pasojat amplifikohen kur fëmijët nuk e tregojnë menjëherë përvojën e tyre ... ose e mbajnë plotësisht të fshehtë abuzimin," thotë raporti.

UNICEF-i thotë se rritja e investimeve në mbledhjen e të dhënave është e nevojshme për të përcaktuar shkallën e plotë të problemit, duke pasur parasysh mangësitë e vazhdueshme të të dhënave, veçanërisht për djemtë.

UNICEF-i tha se i ka bazuar vlerësimet për përvojat e vajzave dhe grave në sondazhet kombëtare të kryera në periudhën 2010 - 2022 në 120 vende dhe rajone. Ndërsa vlerësimet për djemtë dhe burrat janë bazuar në një gamë më të gjerë burimesh për të dhënat dhe tek disa metoda indirekte.

XS
SM
MD
LG