Lidhje

Gazetari Woodward thotë në librin e tij të ri se zoti Trump i dërgoi fshehurazi Putinit teste për koronavirusin


Bob Woodward
Bob Woodward

Donald Trump, në kohën kur ishte President, i dërgoi fshehurazi Vladimir Putinit pajisje testimi për koronavirusin, pavarësisht se ato nuk ishin të mjaftueshme në Shtetet e Bashkuara gjatë pandemisë së Covid-19, dhe ka folur disa herë me udhëheqësin rus pas largimit nga detyra, thuhet në një libër të ri të gazetarit Bob Woodward.

Libri “Lufta”, i cili pritet të dalë në treg së shpejti, shtjellon edhe disa nga gabimet e pranuara nga vetë Presidenti Joe Biden dhe përpjekjet e tij për të frenuar përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke përfshirë zemërimin me Kryeministrin Benjamin Netanyahu gjatë negociatave të pasuksesshme për të bindur Izraelin dhe Hamasin që të arrijnë një marrëveshje armëpushimi.

Në fragmentet e botuara të martën nga gazeta The Washington Post, ku ai është ndihmës redaktor, Bob Woodward paraqet detaje dhe veprime negative nga zoti Trump, për të cilin thotë se ka ruajtur marrëdhëniet personale me Putinin gjatë garës aktuale së këtij viti për president dhe në kohën kur Presidenti rus vazhdon luftën kundër Ukrainës, një aleate e Shteteve të Bashkuara.

Ndërsa koronavirusi po godiste rëndë botën në vitin 2020, zoti Trump i dërgoi një numër pajisjesh testimi për Covid-19-ën homologut të tij në Moskë. Putini i pranoi testet, por u përpoq të shmangte pasojat politike për zotin Trump, duke i kërkuar atij që të mos publikonte dërgimin e pajisjeve mjekësore, thuhet në librin e gazetarit Woodward.

Sipas zotit Woodward, Putini i tha Trumpit: "Mos i trego askujt për këtë sepse njerëzit do të zemërohen me ty, jo me mua".

Zoti Woodward citon gjithashtu një ndihmës të paidentifikuar të zotit Trump në libër, i cili tregon se udhëheqësi republikan mund të ketë folur me Putinin deri në shtatë herë pas largimi nga Shtëpia e Bardhë në 2021.

Gazeta The Washington Post, duke iu referuar librit të zotit Woodward, tha se në një moment në fillim të vitit 2024, raporton se ish-presidenti Trump urdhëroi një ndihmës të largohej nga zyra në shtëpinë e tij në Florida, në mënyrë që të mund të bënte një telefonatë private me Putinin.

Libri “Lufta” do të publikohet më 15 tetor, vetëm tre javë përpara zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, në të cilat zoti Trump është në garë të ngushtë me Nënpresidenten demokrate Kamala Harris.

Ndërsa zonja Harris shfaqet në libër, ajo shihet në një rol mbështetës për Presidentin Biden "dhe vështirë se e përcakton vetë politikën e jashtme", raporton gazeta The Washington Post.

Bob Woodward ka përmbledhur presidencat amerikane për 50 vjet dhe ky është libri i tij i katërt që nga fitorja e papritur e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2016. Ai filloi reportazhet e tij presidenciale me ish Presidentin Richard Nixon, i cili u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të skandalit “Watergate” të viteve 1970, i ekspozuar nga kolegu i gazetarit Woodward, Carl Bernstein, i cili punonte për gazetën The Washington Post.

Bob Woodward nxjerr përfundimin se komunikimet e zotit Trump, të detajuara në libër, me një president autoritar në luftë me një aleat të Shteteve të Bashkuara, e bëjnë atë më të papërshtatshëm për të qenë president sesa Richard Nixon-i.

"Trumpi ishte presidenti më i pamatur dhe më impulsiv në historinë amerikane dhe po demonstron të njëjtin karakter si kandidat presidencial në 2024", thuhet në librin e gazetarit Woodward.

Drejtuesit e fushatës së ish Presidentit Trump thanë se libri është i mbushur me "gjepura" dhe "histori të trilluara".

Ato janë "vepra të një njeriu vërtet të çmendur dhe me çrregullime, i cili vuan nga urrejtja për zotin Trump", tha për AFP-në drejtori për komunikim i fushatës së zotit Trump, Steven Cheung.

Sipas rrjetit CNN, i cili siguroi një kopje të librit para publikimit të tij, zoti Woodward citon sharjet e ish Presidentit Biden ndërsa ai diskuton sfidat e tij personale dhe politike.

Presidenti Biden e quajti Putinin "mishërim i së keqes", e kritikoi Netanyahun si "gënjeshtar" dhe tha se "nuk duhej të kishte zgjedhur" Merrick Garlandin si Prokuror të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara.

Sipas librit, gjatë një telefonate në prill, Presidenti Biden u zemërua me Netanyahun.

"Cila është strategjia juaj?", Biden e pyeti udhëheqësin izraelit, sipas librit të gazetarit Woodward.

“Duhet të shkojmë në Rafah”, u përgjigj zoti Netanyahu, duke iu referuar qytetit më jugor në Rripin e Gazës.

"Bibi (zoti Natanyahu), ti nuk ke asnjë strategji", u përgjigj Presidenti Biden, thuhet në librin “Lufta” të autorit Bob Woordward.

XS
SM
MD
LG